Friday , January 22 2021

Hapet Samiti i Varshavës, NATO: Nuk ka më luftë të ftohtë

Në Samitin e Varshavës, NATO-ja duket se do të ndjekë një strategji të dyfshtë: demonstrimin e forcës përmes trupave shtesë në lindje dhe njëkohësisht rifillimin e dialogut me Moskën.

Polonia, mikpritësja e takimit të Aleancës, është një prej shteteve që këmbëngulën në një prani sa më të madhe trupash për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Rusia fqinje. Të njëjtin pretendim nxorrën edhe vendet baltike.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka garantuar mbështetje aleatëve lindore, por njëkohësisht tregohet i kujdesshëm duke i mëshuar idesë së dialogut.

“Ne nuk duam një luftë të re të ftohtë. Lufta e ftohtë i përket së shkuarës dhe aty duhet të mbesë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një dialog konstruktiv e kuptimplotë me Moskën për t’i bërë qëllimet tona të qarta, për të davaritur çdo keqkuptim e për të reduktuar rrezikun që incidentet ushtarake të dalin jashtë kontrollit. Rusia është fqinji ynë më i madh dhe një pjesë përbërëse e sigurisë së Europës. Për këtë arsye, mbështetja e dialogut është thelbësore”, ka deklaruar Stoltenberg.

Ekspertët mendojnë se prania më e madhe e trupave në Poloni dhe vendet baltike është një masë psikologjike për t’i qetësuar banorët e tyre.

Udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve do të japin në Poloni përfundimisht dritën e gjelbër për vendosjen e nga 1.000 ushtarëve shtesë të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Përveç kësaj do të përforcohet edhe një brigadë shumëkombëshe në Rumani.

Që nga samiti i fundit në Njuport, NATO-ja ka krijuar tashmë gjashtë depo me pajisje dhe armatime në shtetet lindore anëtare të saj, të destinuara për furnizimin e forcës së reagimit të shpejtë, e cila përbëhet prej 40.000 vetësh mund të dislokohet brenda pak javësh në qoftë se Rusia përgatit ndonjë sulm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *