Saturday , June 19 2021

Gruevski i gatshëm të nisë dhe luftë ndër-qytetare për t’i ikur ballafaqimit me drejtësinë

Retorika e zhvilluar nga kreu i partisë së VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski, paraqet një mënyrë tejkalimi i situatës ku ai e percepton veten si humbës. Duke e parë vetën si humbës, Gruevski mori guximin që të njëjtën ta shndërrojë në humbje të shtetit, e që tërë kjo është një mënyrë se si më lehtë dhe më pastër të ikë nga dhënia përgjegjësisë për krimet e bëra për 10 vite sa ai ka qenë në qeverisje. Kështu vlerësojnë profesorët universitar e që njehërit janë edhe njohës të çështjeve politike në Maqedoni, në lidhje me qëndrimet e Nikolla Gruevskit, për atë, se nëse gjuha shqipe zyrtarizohet në Maqedoni, e njëjta do të nënkuptonte kantonizim dhe federalizëm për të, shkruan Portalb.mk.

Në këtë rrjedhë të trajtimit të kësaj problematike, sociologu Ali Pajaziti, vlerëson se qëndrimi i Nikolla Gruevskit në raport me gjuhën shqipe paraqet synim për “mobilizim të turmës për të fshehur krimet e bëra” duke e marrë kështu ndjenjën se ai është “shpëtimtari” i Maqedonisë.

“Deklaratat e Gruevskit lidhur me gjuhën shqipe dhe ndryshimet tektonike që janë duke ndodhur në vendin tonë paraqesin ligjëratë të një mini-dikatori i cili është duke humbur pushtetin dhe të gjitha privilegjet e partitokracisë më tepër se njëdekadëshe, që ka arritur të krijojë një mit për veten dhe partinë dhe tani kur për herë të parë duhet të dalë në opozitë S.O.S.-in e kërkon te nacionalizmi dhe kleronacionalizmi. Kërkon t’i mobilizojë turmat për të fshehur krimet për të cilat do duhet të përgjigjet para gjyqësisë, dëshiron ta tensionojë atmosferën që të rrezikohet paqja dhe të gjithë të jemi të preokupuar me mbijetesën fizike, maqedonasit edhe me atë të shtetit, kështu që ai të jetë mesi i rrejshëm, që e ka bërë, e ruan dhe e shpëton shtetin, ndërsa as e ka bërë, as e ruan as mundet që ta shpëtojë, ngase një njeri që s’di të ndërtojë raporte humane mes komuniteteve s’mund të jetë shtetbërës, ai mund të jetë vetëm cub partiak, ekstremist dhe manipulues me ndjenjat kombëtare. Gjuha shqipe është kërkesë racionale dhe sociologjikisht e qëndrueshme sepse një sërë shtetesh jetojnë denjësisht me multilingualizëm e jo vetëm me dygjuhësi. Ridefinimi duhet të ndodhë, sepse siç janë duke shkuar punët me kësifarë establishmenti, pa respekt të shumëkulturësisë s’ka ardhmëri”, shprehet Ali Pajaziti.

Krahas kësaj, Petar Arsovski për Portalb edhe njëherë bëri të ditur se Nikolla Gruevski nga kreu i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaevi kërkon të refuzojë pikërisht atë që e kishte pranuar, dhe shton se zyrtarizimi i gjuhës shqipe nuk nënkupton kantonizim dhe federalizim për Maqedoninë.

“Në princip, realizimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhe më atë dhe miratimi i ligjit për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në tërë Maqedoninë, nuk nënkupton me çdo kusht kantonizim dhe federalizim për shtetin. Kjo retorikë e VMRO-DPMNE-së ka për qëllim vendosjen e politikave narrative gjatë kohës në opozitë dhe nuk duhet të merret si serioze. Të gjitha partitë maqedonase duhet ta kenë të qartë se ardhmëria e integrimit, shihet edhe me mundësinë që Gruevski e ka pranuar të njëjtët që tash nga Zaevi kërkon ta refuzojë”, shkruan Petar Arsovski.

Profesoresha Besa Arifi, këtë politikëbërje të Nikolla Gruevskit e sheh më një dimension shumë më të gjerë, sa e dërgon atë deri në atë se kur sulmohet shteti sulmohet vetë Nikolla Gruevski, i cili i nxitur nga premisa “kur sulmohet shteti, vetëm nga populli mund të mbrohet” tenton të nxisë popullin për mos-tolerancë dhe urrejtje që në fund të arrijë të mbijetojë nga akuzat e shumta për krimet e bëra.

“Dygjuhësia, prej të cilës shumica në Maqedoni frikësohen, sipas Gruevskit ajo paraqet synim dytësor. Pas dygjuhësisë do të fillonin përgatitjet për kantonizim, ky një qëllim tjetër i Gruevskit. Protestimi kundër përdorimit të gjuhës shqipe në vitin 2017 duket patetike, ata harruan apo sërish nuk duan të rikujtohen, se hiq më pak se para disa javëve, Gruevski vetëm se kishte pranuar dygjuhësinë ashtu siç pranoi pothuajse tërë Platformën Shqiptare, në përjashtim të reformave të Pribesë dhe Prokurorisë Speciale Publike.
Nikolla Gruevski është i vetëdijshëm se me ligjin e ri të gjuhëve nuk do të pasojë asgjë e re përveç se do të realizohet në mënyrë të plotë Amendamenti i 5 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ku parashihet zyrtarizmi i gjuhës shqipe në Maqedoni që prej vitit 2001. Kështu, ai mënjanohet nga pranimi i këtyre ndryshimeve, kurse tash me po të njëjtat e frikëson popullatën me gjoja kantonizim dhe federalizëm e cila nuk do të ndodhë asnjëherë në një shoqëri inkluzive. De facto Maqedonia tash e 10 vite ka qenë e kantonizuar, kurse kjo nuk do të ndodh në Qeverinë e re, ku zëri dhe vota e qytetarëve do të vlejë më shumë. Gruevski realisht frikësohet nga bashkimi ynë si qytetarë të Maqedonisë, dhe pikërisht për këtë ai vazhdon të thirret në mosdurim, mostolerancë dhe urrejte, duke nxitur të njëjtat të qytetarët”, u shpreh Besa Arifi.

Publicisti Bardhyl Zaimi do të shtonte, se dygjuhësia në shtetet multietnike është gjë normale, dhe moszbatimi i të njëjtës do të cenonte “paradigmën ndërkulturore evropiane”.

“Dygjuhësia në shtetet multietnike është gjë më se normale. Për shqiptarët gjuha është realitet identitar dhe historik, dinjitet politik dhe kulturor në shtet. Është dimension barabarësie në tërësinë shtetërore dhe nuk ka të bëjë me federalizimin. Ato janë perceptime raciste politike që frymëzohen edhe nga një elitë intelektuale e deplasuar dhe agresive që kanë ekologji urrejtëse ndaj realiteteve shumëgjuhësore në Maqedoni. Dhe kjo cenon rëndë paradigmën ndërkulturore evropiane. Ky lloj diskursi kërkon të delegjitimojë të drejtën e shqiptarëve për të mbrojtur gjuhën si ekzistencë historikisht të pranishme në Maqedoni dhe për ta vazhduar dominimin mbi shqiptarët. Pretendimin për dominim etnik mbi shqiptarët e maskojnë me tezën për federalizim për të delegjitimuar të drejtën e gjuhës”, shprehet Bardhyl Zaimi.

Përndryshe, para disa ditësh ish-kryeministri i Maqedonisë, lideri i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski doli me qëndrim publik se pranimi i dygjuhësisë është qëllim shkatërrimi i shteti të Maqedonisë, dhe për këtë ai vlerëson se “po e humbasim shtetin” dukë u thirru në premisën “se kur shteti sulmohet, atë mund ta mbrojë vetëm populli”.

Dhe, për ti ndalur të gjitha këto, Gruevski kërkoi ndihmën e popullit.

“Nëse populli nuk është aktiv sa duhet dhe i vendosur, Republika e Maqedonisë nuk do të jetë Republika e Maqedonisë, dhe në disa rata, dhe në disa faza operacioni do të përfundoj. Por nëse populli është aktiv dhe i vendosur, dhe nëse nuk bjerë pre e propagandës mediatike dhe nuk pasivizohet, nuk ka asnjë mundës që operacioni të ketë sukës”, shkroi Nikolla Gruevski.

Kurse tërë këtë mesazh sikur simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së e kuptuan shumë qartë duke protestuar ditë me radhë dhe duke shkaktuar incidente.

Rikujtojmë të mërkurën u gjuajt me vezë vetura e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, të martën u sulmuan fizikisht dy gazetarë të portalit A1on gjatë protestave të iniciativës proqeveritare “Për Maqedoninë e bashkuar”. Pas deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për televizionin e afërt me partinë e tij “Sitel”, në lidhje me atë se “ai nuk do të mbart përgjegjësi për destabilizim të situatës” dhe ftesës së tij “për mobilizim të popullit”, sulmet e dhunshm dhe tensionet gjatë kohës së fundit janë rritur.

Fizikisht është sulmuar edhe një vajzë, nga persona të panjohur, pasi që ajo ka pasur të vendosur shami në kokë.

Porositë nga “personat e fshehtë”, por megjithatë të përputhura me “skenarin” e paralajmëruar të VMRO-DPMNE-së, janë të adresuara ndaj partisë së Zaevit, pasi që i njëjti ra në pajtim për një ligj të ri për gjuhën shqipe.

“Mos e shisni shtetin”, porosi me këso përmbajtjesh janë shpërndarë në mbarë Maqedoninë për funksionarët e LSDM-së, pasi ata janë afër koalicionimit me BDI-në. Të njëjtat, janë të mbushura me nacionalizëm, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes.

Gjithashtu “Mëhalla e Gjerë” e Manastirit, të martën në mëngjes ishte i vërshuar me bankënota të falsifikuar prej 1.000 denarëve të shtypura në gjuhën shqipe, por edhe me broshura në të cilat shkruhet “dënim prej 5.000 eurove për të gjithë ata që nuk dinë gjuhë shqipe”.

Më herët, u paraqitën disa shtabe të thyera të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, u demolua  kafeneja “Izlet, u sulmua fizikisht deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri, ndërsa “Komitët”, tifozët e klubit futbollistik “Vardari” kanë rrahur disa kosovarë pas përfundimit të ndeshjes se sotme me Shkëndijën e Tetovës.

Ministri i MPB-së të mërkurën në një konferencë për shtyp, tha se MPB-ja i dënon ngjarjet e fundit dhe ju siguron se do t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.

“Do të sanksionohet të gjitha përpjekjet për prishjen e rendit dhe paqes publike”, tha Nuhiu.

Për ta kulmuar situatën e tensionit, Gjorge Ivanov, nuk ia dha mandatin Zaevit, pasi që sipas tij ai “po e shet Maqedoninë”, gjë që në mënyrë plotësuese ka nxitur urrejtje në bazë nacionaliste, por edhe mes aktivistëve partiak. /Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *