Wednesday , July 28 2021

Grabovci: Qeveria mos të ngutet për demarkacionin

Paralajmërimet e njerëzve të afërt me kryeministrin Isa Mustafa, se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të dërgohet këtë javë për ratifikim në Parlament, nuk ka marrë dritën jeshile nga Partia Demokratike e Kosovës. Të paktën, kështu është deklaruar për “Indeksonline”, shefi i Grupit Parlamentar nga kjo parti, Adem Grabovci.

Ai ka thënë se Qeveria e Republikës duhet të tregohet e kujdesshme dhe t’i shtjerrë të gjitha mundësitë për këtë çështje, e tek pastaj ta sjellë për ratifikim në Kuvend. Sipas tij, debati rreth marrëveshjes së demarkacionit është një çështje e cila është penguar në kohën kur është dashur të vjen në Parlamentin e Kosovës.

Debati për demarkacionin në Kuvend

Grabovci thotë se për shkak të politizimit tej mase dhe të panevojshme të kësaj çështje, është pamundësuar zhvillimi i një debati.

“Tash kur jemi në këto rrethana të reja, pas gjithë këtij politizimi të skajshëm që i është bërë kësaj çështje, unë e vlerësoj që Qeveria e Republikës  së Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme kur do ta bij në Kuvend këtë çështje dhe duhet t’i shtjerrë disa mjete që janë në dispozicion dhe duhet ta gjej kohën e duhur se kur është koha më e përshtatshme për të ardhur në Kuvend”, ka thënë ai.

Image

Më tej, Grabovci thotë se deputetët janë duke pritur versionin zyrtar të vijës kufitare, e pastaj të implementohet iniciativa e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, që të ketë debat të hapur për këtë çështje.

“Para se të kalojë në votim, të debatohet dhe të shteren gjitha argumentet dhe kundërargumentet me krejt qëllimin të merret vendimi më i drejtë i mundshëm që është në interes të shtetit të Republikës së Kosovës. Por, gjithsesi duke i respektuar edhe interesat e shtetit mik, Malit të Zi. Dy shtetet tona nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrin por dy palët janë që të respektohen interesat e vendeve mike”, u shpreh ai.

Sipas tij, demarkacioni nuk duhet të jetë një veprim i cili përkundër përpjekjeve për të stabilizuar situatën, të acaroj atë.

Grabovci thotë se PDK-ja është e interesuar që të ketë një debat të hapur, të qetë, kudo t’i  mundësohet të gjithë deputetëve, por edhe ekspertëve e qytetarëve të thonë fjalën dhe argumentet e tyre e më pas bashkërisht të merret vendimi i cili ka rëndësi të madhe për vendin.

Deputetët ‘tradhtarë’

Kurse deklaratat e disa deputetëve opozitarë, të cilët i kanë quajtur ‘tradhtarë’ personat që votojnë pro kësaj marrëveshje, Grabovci i ka quajtur jo etike.

Sipas tij, gjërat me interes nacional për vendin duhet të ndahen, të debatohet dhe të merret vendime duke u shkarkuar nga ndikimet e interesat politike.

Fatkeqësisht, Grabovci  thotë se edhe tek kjo çështje e cila është ndër çështjet më të rëndësishme, një pjesë e politikanëve kanë bërë përpjekje që thjesht ta shfrytëzojnë për të ardhur në pushtet.

“Vlerësoj se gjithë ata që përdorin këto shprehje, se tashmë është bërë mode dhe e kanë bërë shumë lehtë dhe në mënyrë të papërgjegjshme këto etiketime nëse shprehjet “Nëse je me mu, je patrioti më i madhi”, apo “Nëse mendon ndryshe je tradhtar”, kjo për mua është shumë e padrejtë, e dëmshme dhe është e dënueshme”, është shprehur ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *