Wednesday , September 26 2018

Gjuha shqipe ende nuk gjen përdorim në institucionet maqedonase

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, pas 17 vitesh, lë shumë për të dëshiruar edhe pse ky dokument ishte paraparë të përmbyllet në afat prej katër vitesh.

Në bazë të dokumentit kornizë të Marrëveshjes së Ohrit i cili i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni gjatë vitit 2001, konfirmohet karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase. Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se pikërisht në këtë drejtim është sfiduar Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar sfidat e zbatimit të Ligjit të gjuhëve me anë të së cilit mundësohet përdorimi më i zgjeruar i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. përmes një postimi në Facebook tha se kjo marrëveshje mbetet garantuesi kryesor i të drejtave të shqiptarëve dhe stabilitetit në Maqedoni.

Lidhur me këtë çështje për gati pesë muaj po vazhdon beteja mes Parlamentit dhe Presidencës rreth nënshkrimit të Ligjit të gjuhëve nga ana e presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjen e integrimeve, Bujar Osmani, të hënën tha se me miratimin e Ligjit të gjuhëve përmbyllet pjesa legjislative e Marrëveshjes së Ohrit.

“Ligji i gjuhëve është miratuar. Ju e dini se pengesa është tek presidenti. Tani nuk duam ta ngarkojmë situatën për shkak të disa çështjeve që janë të rëndësishme, është çështje kohe do të thosha, tani po bëjmë përgatitje për implementimin e ligjit sepse publikimi në gazetën zyrtare dëshirojmë të na gjejë të gatshëm për implementimin e të njëjtit” ka theksuar Osmani.

Por, Asim Sinani, profesor universitar, i cili ka bërë dhe një analizë shkencore për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet e shtetit, për Radion Evropa e Lirë thotë se është e pakuptimtë të premtohet 17 vite për diçka që duhej të përmbyllej para një dekade e më shumë.

“Qeveria e Maqedonisë ka probleme esenciale dhe problemi kryesor është se kemi premtime, por nuk kemi zbatim konkret të ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe do të jetë zyrtare kur maqedonasit do ta ndryshojnë mentalitetin e tyre i cili është jugosllav dhe mentaliteti i tillë i pengon ata që të arrijnë një marrëveshje historike e cila do t’u garantojë të dy palëve të jetojnë në paqe dhe prosperitet”, vlerëson Sinani.

Nga ana tjetër, Vlado Popovski, i cili ishte i kyçur në cilësinë e ekspertit gjatë hartimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se ai personalisht ndan mendimin se Ligji i gjuhëve ka shumë mangësi teknike dhe do të përballet me shumë probleme gjatë zbatimit, megjithatë ky ligj me pa të drejtë thotë se mbetet i bllokuar nga ana e presidentit të shtetit.

“Ligji i gjuhëve pasi u miratua për herë të dytë në Parlament, presidenti i shtetit është i obliguar ta nënshkruaj të njëjtin. Personalisht mendoj se presidenti në këtë rast ka përgjegjësi politike dhe kur t’i mbarojë mandati ai mund të ballafaqohet me përgjegjësi juridike për shkak të bllokimit të Ligjit të gjuhëve, Kushtetuta është e prerë pasi ligji për herë të dytë merr vizë nga shumica parlamentare Presidenti është i detyruar ta dekretojë pas çka i njëjti duhet të publikohet në gazetë zyrtare dhe fillon zbatimi praktik”, thotë Popovski.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, sfidë në vete mbetet edhe sistematizimi i punonjësve në administratë duke pasur për bazë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit.

Gjatë të hënës edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka pranuar se përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është vetëm 19 për qind, që është larg 25 për qindëshit aq sa është numri zyrtar i shqiptarëve në Maqedoni.

Sfidë në vete është dhe moszgjidhja e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Dokumenti kornizë i cili i dha fund konfliktit të armatosur dhe solli paqen mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vend, atëkohë u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, Lubço Georgievski, liderët e katër partive politike LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.