SHARE

Gjenerali shqiptar me gradën më të lartë ose njeriu i dytë i armatës, Muhamet Racaj, i cili do të zëvendësohet nga gjenerali Azim Nuredini, pritet ta dorëzojë detyrën. Zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, Racaj i tha TV21 se për shkarkimin e tij e ka kuptuar nga vendimi i shpallur në gazetën zyrtare. Ndërkaq, një gjeneral tjetër i pensionuar Zijadin Tushi thotë se nuk duhet që politika të përzihet në punët e armatës, përcjell Fakte.

“Në rast se e kuptojmë thelbin kryesor, eprorët nuk janë njerëz të politizuar, mirëpo faktori politik po i politizon, madje i bën njerëzit që të jenë të partisë. Kështu bëhet partizimi i armatës. Më vjen keq që e them, por me një vend ku politizohet armata dhe institucionet tjera është shumë e vështirë të funksionoj shteti, jo vetëm në Maqedoni, por edhe kudo në tjetër vend”, tha Zijadin Tushi, Gjeneral i pensionuar.

Në ARM shënohen ndryshime edhe në eshalonët tjera, siç është rasti i togeres Aleksandra Boshkovska, e cila dje mori detyrën si komandante e çetës së parë në batalionin e parë të këmbësorisë në kazermën e Kumanovës. Nga Ministria e mbrojtjes thonë se ajo u bë femra e parë në historinë e ARM-së që do të komandoj një çetë, misioni i së cilës, është zbatimi i detyrave luftarake.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 23 maj, në përputhje me dekretet e Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, do të bëhet dhe pranim-dorëzimi i detyrave për pozitat e drejtorit dhe të zëvendësit të Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, të Komandës së bashkuar operative, si dhe për postin krye shef i shtabit./TV21

SHARE