Tuesday , April 20 2021

Familja Ziberi nga Poroji në kushte mizore

Familja 6 anëtarësh Ziberi nga fshati Poroj jeton në kushte të mjerueshme. Me dy djem të sëmurë, me një shtëpi që pikon nga të gjitha anët, pa asnjë kusht elementarë kjo familje kalon këto ditë të ftohta, akoma pa filluar mirë dimri. Anëtarët e kësaj familje druajnë se një ditë do të ngelin edhe pa bukë për shkak se muajin e kalojnë vetëm me një ndihmë sociale. Ata jetojnë në një shtëpi që nuk i plotëson as kushtet minimale për jetesë. Që fati të jetë edhe më tragjik në këtë shtëpi, jetojnë edhe dy djem të cilët kanë lindur me të meta fizike dhe mendore. Shtëpia e tyre me dy dhoma, që ndodhet buzë lumit të fshatit Poroj gjithnjë gjatë reshjeve pikon nga të gjitha anët. Kjo familje ndodhet në këtë shtëpi falë tokës që ia ka ndarë bashkësia lokale për të ndërtuar shtëpinë që më shumë ngjan si një kasolle se sa objekt banimi me kushte normale, por fati i  keq dhe tragjik nuk përfundon këtu. Ata duhet të përballen me skamjen dhe mjerimin çdo ditë ku mungon gjëja elementare buka. Afërsia me lumin ka bërë që e njëjta të jetë përplot më insekte të ndryshme. Jeta në këtë shtëpi që moti ka humbur kuptimin, kurse mjerimi i skajshëm troket pamëshirshëm dita ditës. Ajo që e ka më vështirë në këtë shtëpi është kryefamiljarja e cila duhet të kujdeset për fëmijët, dy djem dhe një vajzë të cilët nuk janë të aftë për punë, kurse muajin e kalojnë vetëm me një ndihmë sociale prej 2000 denarëve.

“Kam katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Njëra vajzë është e martuar, kurse dy djemtë kanë lindur me sëmundje. Jemi munduar disa herë që t`i shërojmë por nuk kemi mundësi. Burri, më shumë është pa punë se sa që gjen punë. Me një ndihmë sociale prej 2000 denarëve çka të blejsh, njëri prej djemve nuk mund të flasë, kurse tjetri mezi folën”, thotë Selvinaze Ziberi, kryefamiljare. Ajo sqaron se mezi mbijetojnë për shkak se me një ndihmë të vogël që marrin nga shteti, kurse me atë ndihmë nuk mund që të sigurojnë jetë normale ngase edhe vetë është e sëmurë dhe nuk kanë mundësi që të blejnë edhe ilaçet. Familja Ziberi nga fshati Poroj, për mrekulli dhe falë zotit kishte shpëtuar nga vërshimet e vitit të kaluar, kurse në opinion madje kishin qarkulluar edhe komente se dy djemtë e saj kanë pësuar por më pas rezultoi të jetë e pavërtetë. “Gjithmonë trishtojmë kur ka reshje, sepse edhe jemi në rrezik nga vërshimi por edhe shtëpia pikon nga të çarat e murrit dhe çatisë. Dimri vjen, dru për ngrohje nuk kam, do të sëmuremi prej së ftohti. Kur kishte vërshime u larguam, sepse ishim në rrezik, uji depërtoi në shtëpi, erdhën dhe na thanë që të largohemi dhe kemi shpëtuar”, thotë Selvinazja.

Kjo familje ka nevojë për ndërtimin e një shtëpie e cila nuk do të pikonte gjatë reshjeve të shiut dhe do të jetë e banueshme edhe gjatë dimrit dhe me ambient më të ngrohtë, kurse për ndërtimin e së njëjtës ata nuk kanë mundësi. Të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë familjen Ziberi mund të paraqiten në numrin 070 915 660./Koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *