Saturday , June 19 2021

Edhe universiteti “Nënë Tereza” vendoset në shkollë fillore (video)

Hapësirat e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” që po shfrytëzohet nga  fakultetet e disperzuara të Universitetit të Tetovës, do t’i shfrytëzojnë edhe studentët e universitetit të ri “Nënë Tereza”.  Rektori i këtij Universiteti, Aziz Pollozhani theksoi se për shkak të zvogëlimit të numrit të studentëve të UT-së dhe reduktimit të fakulteteve të disperzuara,  hapësira e tepërt i është lënë në dispozicion universitetit të tyre.

“Ne kërkuam një mirëkuptim dhe bashkë vendosëm që për sa nuk ju duhet studentëve të Universitetit të Tetovës hapësira të organizojmë në atë mënyrë që të shkojmë edhe ne aty me një pjesë të aktivitetit tonë që lidhet me laboratorët”, tha Aziz Pollozhani, Rektor i UNT-së.

Sipas tij, arsyeja kryesore e shfrytëzimit të këtyre hapësirave është krijimi i  kushteve sa më adekuate dhe themelimi i laboratorëve në përputhje me nevojat e fushave  teknike, që janë pjesë e Universitetit Nënë Tereza.

Nga Zyra për informim të Universitetit të Tetovës theksuan se hapësirat e Sh. F “Kongresi Manastirit”, nuk janë pronë e Universitetit të Tetovës por të Komunës së Çairit dhe se ata kanë vendosur për një hap të tillë.

“Hapësirat për studimet e disperzuara në Shkup, Universitetit të Tetovës i janë dhënë për shfrytëzim nga Komuna e Çairit. Universiteti i Tetovës procesin mësimor-shkencor të studimeve të disperzuara në Shkup, do vijojë ta realizojë në të njëjtat hapësira”, nga Zyra për Informim të UT-së.

Nga Komuna e Çairit thonë se kanë vendosur të ndihmojnë këtë proces duke vlerësuar se hapësirat në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” janë zgjidhja më e mirë për rrethanat aktuale me qëllim që të ketë proces cilësor  arsimor deri në ndërtimin e objektit të Universitetit “Nënë Tereza” në hapësirën e ish-kazermës “Ilinden”.

“Në këtë hapësirë studentët e Universitetit “Nënë Tereza” do të kenë në dispozicion 3 (tre) laboratori dhe 1 (një) amfiteatër”, thanë nga Komuna e Çairit.

Universiteti “Nënë Tereza” në mungesë të objektit po shfrytëzon hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore dhe të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Rektori Pollozhani thekson se ndërtimi i objektit të ri  pritet të përfundojë brenda 3 viteve. Në këtë universitet deri tani janë regjistruar 220 studentë që po ndjekin studimet në fakultetet kryesisht të shkencave teknike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *