Saturday , June 19 2021

Edhe dy javë nga shpërbërja e Parlamentit. Nuk janë mbyllur ende tre çështje

Kanë mbetur edhe dy javë nga shpërbërja e Parlamentit ndërkohë që ende nuk janë mbyllur tre çështja të hapura të domosdoshme që të mbahen zgjedhjet e parakohshme më 11 dhjetor. Deri më 12 tetor deputetët duhet të miratojnë ndryshimet e Kodit zgjedhor për të korrigjuar tre njësi zgjedhore, Njësinë zgjedhore 6 për shkak të tejkalimit të numrit të votuesve për 5 qind dhe njësitë 3 dhe 5, ku numri i votuesve është për 5 për qind më i vogël se sa parashihet me Kodin zgjedhor.

Njëherit, deri më12 tetor deputetë duhet të miratojnë edhe ndryshimet e Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, që kërkohet nga Prokuroria speciale. Duke pasur parasysh afatet e shkurta për miratimin e këtyre ndryshimeve deri në shpërbërjen e Parlamentit, disa deputetë të partive në pushtet dhe opozitë druajnë se nëse katër partitë më të mëdha nuk arrijnë marrëveshje për mbylljen e këtyre çështjeve të hapura, mund të vijë deri te shtyrja e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor.

Nënkryetari i Parlamentit nga BDI, Rafis Aliti, njëherit edhe anëtar i grupit punues për balancimin e numrit të votuese në njësitë zgjedhore, për KOHA thotë se nëse ka vullnet politik të gjitha këto çështje të hapura do të mbylleshin deri më 12 tetor dhe Parlamenti mund të shpërbëhet. “Nëse ka vullnet politik nga të gjitha subjektet politike konform ligjit zgjedhor për balancimin e njësive,  për shkak se tre njësi zgjedhore kanë kaluar apo janë nën pragun e numrit të votuesve siç parashihet në Kodin zgjedhor, atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen me 11 dhjetor”,  thotë deputeti Rafis Aliti nga BDI.

Balancimi i numrit të votuesve është kërkesë e Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ) deri të deputetët, ku kërkohet balancimin i numrit të votuesve në Njësinë zgjedhore 6, ku bëjnë pjesë Tetova, Gostivari dhe Mavrovë-Rostusha, sepse ka tejkalim të numrit të votuesve për plus 5 për qind. “Është obligim i deputetëve që sa më shpejtë të arrijnë marrëveshje dhe ta mbyllin ketë çështje. Për korrigjimin e numrit të votuesve në këto tre njësi zgjedhore është formuar edhe grup punues në Parlament dhe për detyrë ka të gjejë mënyrë se si të barazohet numri i votuesve në të gjitha 6 njësitë zgjedhore. Kemi mbajtur vetëm një takim, i cili përfundoi pa sukses. Prandaj, të hënën(sot) në koordinim te kryetari i Parlamentit do ta hap këtë çështje dhe me koordinatorët e partive parlamentare do të debatojmë për këtë çështje. Varësisht qëndrimeve të kundërta, mendoj se edhe kjo çështje do të rregullohet dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 11 dhjetor”, thotë Aliti.

Pengesë tjetër që mund të jetë shkak që zgjedhjet e caktuara me 11 dhjetor të shtyhen, sipaszëdhënësit të LSDM-së Petre Shilegov, është edhe vonesa e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të refuzuar iniciativën kundër Prokurorisë speciale. “Mosmbyllja e disa çështjeve të hapura deri në shpërbërjen e Parlamentit më së shumti i konvenon VMRO-së, që  kjo të jetë arsyeja që të shtyhen sërish zgjedhjet e parakohshme të caktuara më 11 dhjetor. Zgjedhjet patjetër do të mbahen më 11 dhjetor dhe ne si parti do të bëjmë çmos që këto çështje të hapura t’i përfundojmë më 12 tetor, për t’ju mos u lënë mundësi që të kemi sërish shtyrjen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, thotë për KOHA, Shilegov

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *