Sunday , January 17 2021

E vërteta për bllokimin e reformës sipas Bashës (fjala e plotë e kreut të PD

Kryetari i PD, Lulzim Basha, e quajti mashtrim të turpshëm prentendimin e një dite më parë se ai ka prezantuar kushte të reja pas arritjes së marrëveshjes. Ishte ambasada e SHBA ajo që bëri një deklaratë të tillë, por Basha nuk e përmendi direkt atë. Ai u tregua i kujdesshëm për të mos e drejtuar gishtin ndaj ambasadorit, ashtu siç ka bërë ai duke e drejtuar disa herë gishtin ndaj Bashës si fator. Për të faktuar se ky pretendim i ambasadës amerikane nuk qëndronte, Bashës iu desht t’u tregonte gazetarëve një deklaratë të bërë prej tij përpara se marrëveshja të arrihej, ku fliste për aplikimin e të njëjtit variant në të 4 institucionet e drejtësisë, transmeton Fakte. Më poshtë deklarata e plotë:

DEKLARATA E BASHËS:

Mirëmëngjes. E sigurt që shumica prej jush në këtë sallë kanë ndenjur deri në orët e vona mbrëmë dhe kanë nisur ditën sot herët në mëngjes, sikurse unë dhe bashkëpunëtorët e mi dhe mijëra qytetarë. Po, me mijëra qytetarë që dje pavarësisht bindjeve politike, iu bashkuan gëzimit të përligjur për arritjen e marrëveshjes kombëtare për Reformën në Drejtësi.

Marrëveshje, e cila nuk i shërben interesit të një partie politike por interesit të Shqipërisë dhe çdo shqiptari. Kemi një marrëveshje. Përpjekjet tona kanë arritur një marrëveshje më të mirë, një projekt më të mire, jo për Partinë Demokratike por për Shqipërinë, ndaj sot i bëj thirrje të gjitha palëve ta votojnë këtë marrëveshje në Kuvendin e  Shqipërisë.

Për fat të keq, mbrëmë, kjo marrëveshje është vënë sërish në dyshim dhe jam sot këtu për t’i shpjeguar çdo shqiptari faktet.

E para, ka pasur një mirëkuptim, një marrëveshje prej kohësh se për të katër institucionet, subjekt i nenit 88 do të aplikohej e njëjta formulë. Për të katër institutucionet, e keni dëgjuar me dhjetra here këtë, ta them këtu në këtë sallë.

Të Hënën, kjo pjesë e marrëveshjes është konfirmuar nga Partia Socialiste. Këtë e thotë negociatori i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Këtë e konfirmon negociatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani. Të Hënën, negociatori i Partisë Socialiste ka pranuar se marrëveshja qendron për katër institucionet, sigurisht për KLGJ dhe për KLP me tre anëtarë për mazhorancën dhe dy anëtarë për opozitën.

Eshtë pretenduar dje, se Basha ka prezantuar kushte të reja pasi është arritur marrëveshja.

Ky është një mashtrim i turpshëm.

Ditën e Hënë, Partia Socialiste i konfirmoi negociatorit tim përmes negociatorit të saj se marrëveshja është për të katër institucionet dhe shikoni çfarë ka thënë Lulzim Basha ditën e Martë, një ditë para marrëveshjes se djeshme në këtë sallë në prani të gazetarëve:

Mbi bazën e këtyre kritereve sigurisht do të vendoset nëse i plotëson apo nuk i plotëson. Dhe mosplotësimi i njërit prej kritereve automatikisht e çon aplikuesin në moskandidim. Plotësimi i gjithë këtyre kritereve përbën listën e kandidatëve nga e cila pastaj, sipas procedurës së parashikuar në procedurën hibride, përzgjidhen komisionerët e Vettingut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e KLGJ-së jogjyqtarë dhe anëtarët e KLP-së joprokurorë”.

Pra, përzgjidhen komisionerët e Vetingut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e jogjyqtarë të KLGJ-së, përzgjidhen anëtarët joprokurorë  KLP-së, sipas të njëjtën formulë.

Ky ka qenë qëndrimi i Lulzim Bashës, për ata që nuk e dinë dhe për ata që rrejnë me dëshirë apo me projekte të zeza për Shqipërinë.

Partnerëve ndërkombëtarë sot dua t’u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë dje nga pala kundërshtare bie përtokë me këto dy prova.

U them gjithë partnerëve, SHBA, BE, këto janë fakte të bazuara mbi evidenca të pakundërshtueshme. Ky është qëndrimi i im të martën.

Ku është kushti i ri? Ku është kushti i ri?

Mbrëmë në mesnatë në një moment sinqeriteti, Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit Ad–Hoc për drejtësinë, pranoi se drafti zyrtar i PS, drafti zyrtar që ndodhet sot në Kuvend sipas procedurave zyrtare, me përjashtimin e opozitës pas dështimit të së hënës, nuk përfshin as rekomandimet Nuland, as rekomandimet Hahn.

Por duan të na bëjnë ne, të besojmë që të pranojmë pjesën për KLGJ-në dhe për KLP-në. Pse?

Ky është një draft i parakorduar. PD, kurrë nuk e ka pranuar këtë draft, as nuk e ka parë këtë draft. Pjesa për KLGJ-në dhe KLP-në është formula e vjetër e votës të vetme të transferueshme që ne e kemi konsideruar publikisht vota e vetme e trafikueshme.

Pse ndodh kjo? Ndoshta e shpjegojmë pak më vonë.

Por ne kemi një marrëveshje. Ne i përmbahemi kësaj marrëveshje. Ne jemi gati ta votojmë këtë marrëveshje sot në Parlament, për interesat e Shqipërisë.

Këtë kam deklaruar dje publikisht para shqiptarëve, këtë ka deklaruar në mënyrë unanime grupi parlamentar.

Pse do ta bënim diçka të tillë? Pse do t’ia anonçonim marrëveshjen Kancelares Angela Merkel, Ndihmës Sekretares Victoria Nuland, Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn, kryetarit të Partive Popullore Joseph Daul, kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian Elmar Brok, kryetarit të Presidencës të Bashkimit Europian Lajcak, në telefon gjatë gjithë ditës.

Pse do ta bënim këtë dhe pastaj të riktheheshim në tavolinë për të ribërë marrëveshjen? Pse a mund ta thotë dikush?

Ky është një mashtrim i pacipë.

Ka një marrëveshje mbi tavolinë dhe Edi Rama duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe t’i japim shqiptarëve sot reformën e shumëpritur në drejtësi sipas draftit të rakorduar nga të gjitha palët.

Partia Demokratike do të jetë sot në Parlament me votat e saj për këtë marrëveshje.

I bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat dhe të heqë pengesën e fundit duke votuar marrëveshjen e arritur për reformën në drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *