Tuesday , April 20 2021

E tërë Kumanova me emra të komunizmit

“Proleterske Brigade”, “Tode Mendoll”, “Boris Kidriq”, “Vasa Pellagiq”, “Nikshiçka”, “JNA”, “Nova Jugosllavija”… janë vetëm disa nga emrat e rrugëve kryesore në qytetin e Kumanovës, ndërsa vetëm rruga “Bajram Shabani” është emër shqip. Tragjiko-komedi është emir i sheshit të qytetit – “Nova Jugosllavija”, emër ky që nuk ndërlidhet aspak me Kumanovën dhe përbërjen e saj

Kumanova vazhdon të identifikohet me komunizmin dhe figurat serbe. Edhe pse me popullatë të përzier etnike, asnjë nga rrugët e qytetit të Kumanovës nuk mbajnë emra të ndonjë personaliteti shqiptar. Madje, edhe në lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë, emrat serb kryesojnë, transmeton Fakte. Asgjë shqiptare nuk ndjehet, ndërsa komuna vazhdon ti ngjajë një qyteti monoetnik. “Proleterske Brigade”, “Tode Mendoll”, “Boris Kidriq”, “Vasa Pellagiq”, “Nikshiçka”, “JNA”, “Nova Jugosllavija”… janë vetëm disa nga emrat e rrugëve kryesore në qytetin e Kumanovës, ndërsa vetëm rruga “Bajram Shabani” është emër shqip. Tragjiko-komedi është emir i sheshit të qytetit – “Nova Jugosllavija”, emër ky që nuk ndërlidhet aspak me Kumanovën dhe përbërjen e saj. Besnik Memeti, këshilltar komunal i PDSH-së, thekson se në Këshillin Komunal kjo çështje është parashtruar është diskutuar disa herë, ndërsa është iniciuar edhe nga këshilltarët e Partisë Demokratike Shqiptare, megjithëse nuk ka hasur në konsensus. “Sepse, me kërkesën për t’u riemërtuar rrugët ku janë të banuara kryesisht me shqiptarë, partitë e tjera maqedonase kanë kërkuar që të riemërohet edhe sheshi, por jo në mënyrën e përbërjes etnike të tërësisë së qytetit, dhe për këtë është vendosur që të merret edhe mendimi i Qeverisë. Kurse sa i përket emërtimit të rrugëve që nuk kanë emra, kanë kërkuar që të bëhen në formë numerike pa emra, megjithatë për vendimin ndaj kësaj ideje, ende nuk ka një gatishmëri të merret një iniciativë e këtillë në Këshillin Komunal, e sidomos tani para zgjedhjeve të 11 dhjetorit”, thotë Memeti, i cili potencon së në qytetin e Kumanovës madje ka emërtime të rrugëve që nuk përkojnë as me maqedonasit, por as me shqiptarët. Ndërsa këshilltari i BDI-së, Ridvan Hasani, shprehet se kjo çështje tanimë është pjesë e programit politik e që ka qenë marrëveshje koalicionimi me LSDM-në në nivel lokal. “Këtë çështje, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim e kanë ngritur në Këshillin Komunal, si dhe kemi kërkuar që të bëhet një listë e gjerë me emra dhe të formohet një Komision nga këshilltarët komunal, administrata e komunës, si dhe historianë dhe intelektualë të tjerë të qytetit për të përpiluar një listë të gjerë numerikisht me emra, të cilat janë në përputhje me pjesën dërrmuese të asaj lagjeje dhe rruge, mirëpo ky Komision s’është formuar ende dhe s’ka filluar me punë”, tregon Hasani, sipas të cilit, emërtimi i rrugëve me numra është i papranueshëm për BDI-në e Kumanovës.Udhëheqësja e Sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Kumanovës, Lidija Lang Spasovska, arsyetohet se mosndryshimi i emrave të rrugëve këtë vit është lidhur ngushtë me paralajmërimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi siç thotë ajo, në kohë zgjedhjesh, është i ndaluar riemërimi i rrugëve, ndërsa këtë iniciativë Këshilli Komunal do ta diskutojë në përputhje me Ligjin pas mbarimit të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 11 dhjetor “Këtë iniciativë duhet sërish ta iniciojnë Këshilltarët Komunal, ndërkaq Qeveria duhet ta përkrahë me pëlqim pozitiv, sepse emërtimin e tyre e garanton Ligji për Vetëqeverisje Lokale i publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe atë në dispozitat e përgjithshme, kryesisht neni 22, pika 1, ku thuhet se: Komunat janë kompetente për kryerjen e punëve vijuese si Lista e kompetencave, Veprimtaritë Komunale, Përcaktimi i emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera të infrastrukturës. Ndonëse për ta arritur ndonjë ndryshim në të mirë të këtij procesi, gjithnjë mund të vijë në shprehje stopimi i tij, sepse pesha numerike e votimit, pa i përjashtuar paragjykimet e trashëguara nga e kaluara, mund ta stopojnë. Mundësia për ta arritur ndonjë emërtim të ri gjithnjë është konsensus politik, sepse në të kundërtën do të ishte labirint”, thotë Spasovska.

 

Emrat e rrugëve, relikte të sistemit komunist

Sevdail Demiri, historian nga Kumanovë, pohon se emrat e rrugëve të qytetit të Kumanovës janë relikte të sistemit komunist jugosllav. “Ato janë mbetje ideologjike të një sistemi tanimë të perënduar, dhe mbi 90 për qind e tyre sot nuk përfaqësojnë kurrfarë vlere bashkëkohore. Pra, emrat e rrugëve të sotme që janë të stërmbushura kryesisht me emra komunistësh të parëndësishëm, nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve të këtij qyteti. Madje, ato emra jo që nuk kanë të bëjnë fare me të kaluarën e shqiptarëve, por as të maqedonasve dhe bashkësive tjera etnike që jetojnë në Kumanovë. Emrat e rrugëve dhe shesheve duhet të reflektojnë realitetin shumetnik të qytetit dhe të pastrohen nga ngarkesat ideologjike të së shkuarës. Andaj, është e nevojshme që Këshilli dhe Kryetari i Kumanovës të ndërmarrin hapa konkret në drejtim të ndryshimit të këtyre emërtimeve, ashtu siç ka bërë kohë më parë Qyteti i Shkupit. E, nëse nuk mund të arrihet pajtueshmëri në këtë plan, në mes të përfaqësuesve politik në pushtetin lokal, atëherë më mirë do të ishte që rrugët e Kumanovës të përshkruheshin me numra. Me këtë zgjidhje nuk do kishte vend për fërkime në baza nacionale, në një vend të ndjeshëm siç është Kumanova shumetnike, shumëreligjioze dhe shumëkulturore”, thotë për gazetën KOHA, historian Sevdail Demiri./KOHA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *