SHARE

Mijëra palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës edhe sot do të tubohen në kufirin me Izraelin në kuadër të “Marshit të Kthimit të Madh”, raporton Anadolu Agency (AA).

Tubimi i sotëm është emëruar “E premtja e dëshmorëve dhe të burgosurve”, ndërsa palestinezët nga orët e mëngjesit kanë filluar të mblidhen në kufi për të vazhduar protestën paqësore në shiritin kufitar edhe përkundër intervenimit të ushtarëve izraelitë me plumba të vërtetë.

Pritet që turma e demonstruesve të rritet para namazit të xhumasë, i cili sërish do të falet në kufi.

Ndërkohë, edhe në Bregun Perëndimor të okupuar pritet të organizohen protesta pas namazit të xhumasë në mbështetje të marshit në Gaza.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka lëshuar njoftime pothuajse kërcënuese nga ajri për banorët e Gazës, duke i paralajmëruar “të mos afrohen në kufi” dhe “të mos dëmtojnë gardhin kufitar”.

“Ushtria jonë është e gatshme për çdo gjë. Ushtria jonë do të bëjë çdo gjë për të parandaluar çdo lloj sulmi”, thuhet në njoftimet e hedhura nga ushtria izraelite.

Ndryshe, të paktën 35 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe mbi 3.000 janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” me rastin e “Ditës së Tokës”, 42-vjetorin e pushtimit të një pjese të madhe të territoreve palestineze nga ana e Izraelit më 30 mars të vitit 1976.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

SHARE