Dygjuhësia dhe kastravecat

Shkruan: Venhar Ramadani

Para se të filloj të shkruaj, më duhet t’ju them shkurt e shqip: Shqiptarët e Maqedonisë i kanë punët shumë keq! A pajtoheni me mua? Edhe nëse jo, s’ka lidhje!

Lexova se shqiptarët e Malit të Zi ishin bërë bashkë për të bashkuar votën dhe për të kërkuar ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria, për të lëvizur proceset kombëtare përpara. Bravo!

Ju shkruaj në lidhje me shqiptarët e Maqedonisë të cilët që moti e kanë humbur shpresën dhe drejtimin. Gëzimi i vetëm i tyre është fitorja e klubit futbollistik “Shkëndija”. Kaq! As të drejta, as ekonomi, as mirëqenie, as punë, as rrugë, as kanalizime, as ujë dhe as ajër nuk kanë për t’ju gëzuar jetës së tyre. Në Maqedoni përafërsisht janë 700 mijë shqiptarë dhe shtatë parti politike.

Kohëve të fundit është ngritur një dilemë e madhe, e dalë nga plaga të cilën e rihapi kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Zoran Zaev. Ai tha se është koha që në Maqedoni gjuha shqipe të jetë zyrtare! Paramendojeni, këtë e dëgjojmë që nga viti 2001, pas konfliktit të armatosur dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes në Ohër.

Marrëveshja e Ohrit tani është shndërruar në defter të partive politike për të shënuar se sa shqiptarë janë punësuar në administratën shtetërore. Asgjë jetike. Bile, as të punësuarit shqiptarë në Administratë nuk marrin diçka më shumë përveç rrogës.

Kthehemi tek gjuha shqipe. I etur për të tërhequr shqiptarë të dëshpëruar, Zoran Zaev e dha premtimin se gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare, dhe të gjithë reaguan. Disa mendojnë se ai e ka me të vërtetë, e disa mendojnë se e bën për pikë politike. Unë jam tek grupi i dytë.

Ky shkrim nuk është për Zaevin. Është për zaevët tanë. Është për ata që për 25 vite në këtë shtet artificial na japin premtime boshe dhe nuk realizohet me asgjë. Është për ata që e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe vetëm në komuna ku shqiptarët janë mbi 20 për qind.

Në institucione gjuha shqipe është me lutje. Po, po, me lutje! Nëse të duhet ndonjë dokument në gjuhën shqipe, nëpër institucionet e shtetit duhet duruar sjellja e zonjave të ‘’ndryshkura’’ që përgjigjen e parë ta japin: ‘’Ova e Makedonija’’. Por, ‘’kjo është Maqedoni’’. E, ne, si shqiptarë në Maqedoni, duhet t’ia përkujtojmë zonjës se me Kushtetutë dhe me Ligjin për Gjuhë, duhet të na sigurohen dokumente edhe në shqip, nën gjuhën shtetërore!

Partia maqedonase në pushtet, OBRM-PDUKM e Nikolla Gruevskit, propozimin e Zaevit e ka kategorizuar si ‘’jo të arritshëm’’. BDI-ja e Ali Ahmetit e ka komentuar se i dëshirojnë fat Zaevit, por e kanë përkujtuar se deri më tani ka një Ligj për gjuhët.

E, çka të duhet gjuha kur nuk ke fuqi të flasësh pasi je i uritur?

Në fushatën parazgjedhore, Ali Ahmeti në vitin 2013 tha se të rinjtë duhet të mbjellin kastraveca dhe të ruajnë dele këtu në Maqedoni e të mos shkojnë në Itali për t’i bërë këto punë për italianët. Pajtohem por, para së gjithash, Ali Ahmeti duhet të dijë se në Maqedoni duhet që të sigurohen kushte dhe se shqiptarët duhet të subvencionohen për të mbjell sallata e për të ruajtur dele. Të ndihmohen njëjtë si ndihmohen blegtorët dhe bujqit maqedonas. Kjo është më e rëndësishme se Ligji për Gjuhët: mirëqenia dhe mos diskriminimi në ekonomi!

Si ilustrim, desha t’ju tregoj një shembull nga New Yorku: gjatë rrugës prej Aeroportit “John F. Kennedy” për në stacionin kryesor të autobusëve në qendër të metropolit, “Port of NY Authority”, hasa diçka ideale për Maqedoninë, që anashkalon diskutimet politike dhe debatet e ulëta në mes partive. Njoftimet në autobus ishin në anglisht dhe në gjuhë latine. Zgjidhje kjo ideale edhe për Maqedoninë.

Në Maqedoni, me iniciativë të ish-kryeministrit Gruevski, erdhi Ligji që gjuha angleze të mësohet që nga klasa e parë në shkollë fillore, pasi gjuhët janë pasuri. Po, janë, dhe si të tilla duhet të trajtohen.

Personalisht, e përshëndes këtë vendim, edhe pse kishte debate se fëmijët do të angazhohen më shumë sesa është e lejuar. Në të ardhmen, edhe unë mund të jem prind dhe jam i pajtimit që fëmija të mësojë anglishten. Por, edhe maqedonishten. Meqë jemi të ‘’dënuar’’ të jetojmë në këtë shtet, për të funksionuar duhet ditur edhe kjo gjuhë. Ndërsa anglishtja, si pasuri tjetër, është gjuhë universale.

Sidoqoftë, asnjëherë nuk më ka penguar që ta flas maqedonishten! Të flasësh këtë gjuhë nuk është mëkat. Mëkat është që jemi të udhëhequr nga kjo politikë e cila bën ndasi në mes popujve dhe anashkalon të drejtat e një pjese bukur të madhe të popullit në Maqedoni. Përveç anglishtes, nëpër shkolla duhet që edhe fëmijët maqedonas të mësojnë gjuhën shqipe, njëjtë si shqiptarët që mësojnë maqedonishten. Gjuha pra është pasuri e së ardhmes nuk i dihet.

Por, të kthehemi te politika e partive shqiptare në Maqedoni. Për 25 vite në Maqedoni, çdoherë ka pasur nga një parti shqiptare në pushtet që ka folur për mbjelljen e kastravecave dhe nuk ka siguruar kushte për shqiptarët që të punojnë. Për 25 vite në Maqedoni, çdoherë ka pasur parti që kanë folur për zyrtarizimin e gjuhës shqipe e nuk e kanë zbatuar. Për 25 vite në Maqedoni, çdoherë ka pasur parti politike që kanë premtuar punësim dhe mirëqenie ekonomike, por realiteti ka qenë ndryshe e rinia ka ikur në mungesë të perspektivës.

Për 25 vite në Maqedoni, çdoherë ka pasur fjalë boshe dhe inate mesjetare mes partive politike për të nisur ndonjë iniciativë – si në Mal të Zi këto ditë. Sot kemi shtatë parti që reagojnë për propozimin e Zaevit, por që kanë probleme me gabime drejtshkrimore. Kërkojnë zyrtarizim të gjuhës shqipe e Ligjit i thonë ‘’zakon’’ e amendamenteve u thonë “amandman”. Nga maqedonishtja e kanë!

Shqiptarët në Maqedoni janë shumë keq. Shqiptarët në Maqedoni vetes i bëjnë keq. Shqiptarët në Maqedoni lejojnë që patriotizmi t’ju mbush mendjen, e jo ekonomia barkun.

Tani, a pajtoheni se ne jemi shumë keq?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *