Wednesday , July 28 2021

Dy fjalë për iniciativën e partisë UNITETI

Shkruan: Hamdi Nuhiju

Partia Uniteti e  Gëzim Ostrenit, Zylfi Adilit, Muhamed Ismailit e personaliteteve tjera të nderuara dhe respektuara për kontestimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor të këtij viti, është një iniciativë pozitive nga shumë aspekte.

Edhe pse në aspektin politik, UNITETI në këtë mënyrë reflekton dobësi përballë pushtetit të organizuar, por në aspektin e plotësimit të parakushteve dhe kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ata mund që të kanë argumente.

Janë tre argumente bazë të cilat mund ta forcojnë iniciativën e partisë UNITETI për kontestimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor: mos prononcimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Prokurori Speciale Publike, njësia problematike numër gjashtë me numër më të madh votuesish në krahasim me njësitë tjera zgjedhore, edhe pse kjo gjë duhet zgjidhur në mënyrë proporcionale si dhe votuesit e diasporës.

Këto tri argumente mund që të janë tre pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për me 11 dhjetor të këtij viti. Edhe pse mund të përmenden edhe argumente tjera kur jemi te kjo temë, por  në interesin e shqiptarëve të Maqedonisë janë këto tre argumente.

A mundet që Gjykata Kushtetuese, me kryetar të ri të saj të vendose kundër kësaj inicative të partisë Uniteti? Nga praktika e deritanishme mund që të konstatojmë se kjo Gjykatë Kushtetuese nëse është në dobi të pushtetit anulimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e pranon këtë iniciativë, ndërsa nëse është në dëm, e hedh poshtë.

Duke e pasur parasysh situatën e këtillë, partia UNITETI politikisht mund që të dëmtohet nga kjo iniciativë, pasi që do të sulmohet nga kundërshtarët e saj politik se kjo parti nuk është e përgatitur për zgjedhje ose se po i frikësohet përballjes me partinë në pushtet.

Ekziston edhe një interpretim tjetër i cili ka gjasa të mëdha që të mos jetë i vërtet, por sillet vërdallë. Partia UNITETI po akuzohet nga disa kundërshtar të saj si dorë e zgjatur e partisë në pushtet, dhe iniciativat që partia në pushtet nuk mund t`i nise vet, ato i bënë përmes partisë UNITETI. Por duke i përcjell ngjarjet në terren, ky interpretim bie tërësisht poshtë.

Përndryshe, shtylla e Marrëveshjes së Përzhinos që prodhoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është Prokuroria Speciale Publike. Cka do të ndodh nëse Gjykata Kushtetuese pak para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të thotë se Ligji për Prokurori Speciale Publike bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe se kjo Prokurori do të duhet të shpërbëhet?

Cili mekanizëm do ta detyronte Gjykatën Kushtetuese që të mos prononcohet në këtë temë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare? Nëse realisht ndodh kjo gjë, atëherë kushti kryesor i Marrëveshjes së Përzhinos e që lidhet direkt me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kredibile dhe të besueshme, veprimtaria e Prokurorisë Speciale Publike, bie poshtë. Njëkohësisht do të kontestoheshin edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për me 11 dhjetor, si dhe vendi do të përballej me sanksione direkte nga Faktori Ndërkombëtar.

Sanksionet e Faktorit Ndërkombëtar kësaj here do të bëhen shumë haptas për shkak të harxhimit të energjisë në zgjidhjen e krizës politike, si dhe humbjen e durimit nga lojërat dhe labirinthet politike të ujqve politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *