Tuesday , June 22 2021

DW: Ballkani po zien sërish (video)

Për një kohë të gjatë, thotë “Deutsche Welle”, u duk se Ballkani më në fund i përzuri fantazmat e së shkuarës. Konfliktet u shuan, armiqtë e dikurshëm i dhanë dorën njëri-tjetrit, dialogu filloi të ushtrohej, perspektiva e anëtarësimit në BE jepte shpresë duke e bërë edhe Bashkimin Europian të lumtur.

Por tani Ballkani po zien sërish, aq sa dy ministra të Mbrojtjes të dy anëtarëve ballkanikë të NATO-s, ajo shqiptare, Mimi Kodheli dhe homologu kroat, Damir Krsteviç i drejtuan një  letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shqetësimi i tyre ishte Serbia, e cila me politikën e saj po rrezikon sigurinë në rajon. Në mënyrë të veçantë theksoheshin “zhvillimet e fundit” si kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës e më gjerë.  Me “zhvillimet e fundit” nënkuptohet jo vetëm treni serb me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, apo muri i Mitrovices, por diçka më shumë: është fjala për tone të reja nacionaliste deri tek përdorimi i retorikës së luftës nga disa politikanë të vendeve ballkanike, transmeton Fakte.

“A mos vallë perëndoi epoka e pajtimit të rajonit?”,  pyet DW dhe po i hapet rruga një rikthimi të nacionalizmit.

Politologu në Universitetin e Zagrebit, Nenad Zakoshek mendon se fitili i nacionalizmit nuk është shuar ndonjëherë plotësisht në rajon. Sipas tij, ishte perspektiva e qartë e një të ardhmjeje në BE ajo që mbajti nën fre të tilla ndjesi dhe mundësoi ecjen përpara në paqe. Shtyrja e kësaj perspektive, arsyeton Zakoshek, po krijon një dinamikë negative sepse zhgënjimi nga blloku po kthehet në problem.

Ai sjell si shembull Maqedoninë, një vend që në kendvështrimin e politologut ka pësuar regres për shkak të shtyrjes së perspektivës së anëtarësimit. Zakoshek konsideron se një epokë e re e gjeopolitikës mund të kthehet në rrezik lufte për Ballkanin.

Nëse me Presidentin Trump përjetojmë largimin e amerikanëve dhe BE është e shqetesuar me hallet e veta, atëherë tendencat aktuale ne rajon mund te forcohen akoma më shumë e të mos harrojmë pastaj, kujton ai, edhe sesi hyjnë në skenë aktorë të tjerë si Rusia me sistemin e saj autoritar./TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *