Wednesday , August 4 2021

Duhani, shkaktari më i madh i vdekjeve në Maqedoni

Duhanpirësit janë tre herë më të rrezikuar nga sulmi në zemër dhe në tru për dallim prej joduhanpirësve, ndërsa duhani është ndër shkaktarët më vdekjeprurës në Maqedoni.
Kjo u tha në ditën ndërkombëtare kundër duhanit, ku u shpalosën statistikat alarmante që tregojnë se në Maqedoni 46% e popullatës prej moshës 15 deri në 65 vjet janë duhanpirës. Edhe pse të gjithë janë të njohur me pasojat e duhanit, ata e kanë të vështirë të heqin dorë nga ky ves, përcjell Fakte.
“Kam menduar ta lë duhanin, por nuk mundem. Do të mbetem pa ngrënë ndoshta, por duhanin do ta pi”,- deklaroi një qytetare.
“Këshillat janë të njohura, e di që është i dëmshëm për shëndetin, por është shumë e vështirë të heqësh dorë prej duhanit. Ka shumë kohë të gjatë që pi duhan, kam provuar ta lë disa herë, por nuk kam arritur sukses. Kam provuar me të gjitha metodat: me cigare elektronike, me ngitëse, me filtrues anti-duhan etj, por nuk ka pasur efekt, këto janë gënjeshtra të kulluara, duhanpirësi,-duahanpirës mbetet”,- u shpreh një qytetar.
Autoritetet shëndetësore thonë se përdorimi i duhanit dhe ekspozimi i pirjes pasive janë shkaktarë kryesorë i vdekjeve në 12% nga të gjitha rastet e sëmundjes së zemrës.
Prandaj ka filluar fushata për rritjen e vetëdijes dhe prevenimin e sëmundjeve të ndryshme që vijnë nga duhani. Te të rinjtë tani ka filluar të ketë efekt.
“Hulumtimet tona tregojnë se të rinjtë janë të vetëdijshëm për dëmin që shkakton duhani dhe të njëjtit i miratojnë masat për ndalimin e duhanit në ambiente të mbyllura të cilat ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve”,- tha Elena Koseva.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndetit Publik, në vitin 2016, në Republikën e Maqedonisë, nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit kanë vdekur rreth 11 mijë persona.
“Në vitin 2016, nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit kanë vdekur 10.920 persona me shkallë vdekshmërie prej 526.9 persona në 100.000 banorë. Sëmundjet kardiovaskulare marrin pjesë me 53.5% nga numri i përgjithshëm i vdekjeve dhe janë në vend të parë në strukturën për arsyet e vdekjes”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas OBSh-së, një person vdes çdo gjashtë sekonda në planet për shkak të duhanit. Duhanpirja aktive apo pasive shkakton vdekjen e më shumë se 7 milionë individëve çdo vit.
Sëmundja e kancerit, kryesisht në mushkëri, sulmet në zemër dhe tru janë sëmundjet kryesore që lidhen me duhanin./RTVM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *