Wednesday , July 28 2021

DSK jashtë çdo kontrolli, pa llogaridhënie edhe para të zgjedhurve të popullit!

Jo vetëm ndaj Prokurorisë Speciale Publike, por edhe ndaj Kuvendit të Maqedonisë ku janë të zgjedhurit e popullit, Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit ka qenë hermetikisht e mbyllur. Këtë e vërtetojnë në deklaratat e tyre për Portalb, deputetët dhe kryetari i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Kundërzbulim, njofton Portalb.mk.

Deputeti Zylfi Adili, nënkryetar i Partisë Uniteti tha se Komisioni për mbikëqyrjen e shërbimeve pati kontakte me DSK dhe Agjencinë e Inteligjencës, por që të njëjtat nuk kanë qenë korrekt, sidomos kur Adili ka kërkuar përgjegjësi për rastet e ndjeshme që kanë të bëjnë me interesin shqiptar.

“Nuk kanë qenë korrektë në raport me Komisionin kuvendor. Mund të them lirisht se këta institucione e kanë llogaritur veten se mund të vendosin për gjithçka në këtë shtet, duke mos respektuar as Ligj e as Kushtetutë. Ata nuk kanë qenë të sinqertë në raport me ne, sidomos për interesat shqiptare, siç është: rasti i Kumanovës, Sopotit, Monstra dhe raste tjera ku përgjegjës ka qenë sistemi i sigurimit të shtetit. Unë mendoj se nuk ka pasur bashkëpunim të mirë mes Kuvendit, konkretisht Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e shërbimeve dhe DSK-së”, deklaroi për Portalb Adili.

Deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu vlerëson se maja e antishqiptarizmës rrjedh nga shërbimet dhe se tentimet që DSK të bashkëpunojë me Kuvendit ka qenë farsë.

Përgjim“DSK-së i ka shërbyer parlamenti për të dëshmuar se gjëja ka demokraci. Tani, jo që s’i jep llogari parlamentit, por nuk bën hesap askënd, qoftë edhe gjykatat. Aty është bërë dosja edhe e kreut të PDSH-së, diku 2004-2007. Të mos flasim për gjëra tjera. Ata janë një gjenerator i të gjitha të këqijave, aksioneve spektakolare kundër shqiptareve. Unë as s’i kam bërë hesap, sepse konsideroj se maja e antishqiptarizmit është aty. Prej aty kanë nisur të këqijat, e pastaj në forma juridike janë zbatuar”, theksoi për Portalb Fejzullahu.

Hari Llokvenec, nga LSDM, kryetar i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Kundërzbulim tregon se DSK vetëm deklarativisht ka premtuar bashkëpunim me Kuvendin.

“Në momentin e parë, kur Komisioni dhe unë si kryetar i kërkuam dokumentet bazë, si parakusht që të mund të bëjmë një inspektim thelbësor, dhe jo vetëm formal, të punës së tyre, ata na refuzuan. Nga Drejtoria kërkuam listën e pajisjes që është siguruar më vitin 2006, listën e porosive më pajisje që Drejtoria i ka bërë deri në fund të vitit 2015 … kërkuam të gjithë procedurat interne, protokollare dhe akte nënligjore që janë udhërrëfyes kryesor se si funksionon Drejtoria. Në asnjërën prej kërkesave nuk morëm përgjigje pozitive”, sqaroi për Portalb Llokvenec.

Mosdhënia e përgjegjësisë nga Sistemi i sigurisë në vend krijon pasiguri te qytetarët. Analistët nuk e përjashtojnë  mundësinë që përgjimi i paligjshëm ende mund të zgjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *