Wednesday , July 28 2021

Dorëhiqet Lita nga Arkivi: U shndërrua në çerdhe shovinistësh, BDI e miratoi në heshtje

Që nga ardhja e Filip Petrovskit në krye të Arkivit Shtetëror, në maj të viti 2015, ky institucion është shndërruar në çerdhe të politikës shoviniste të VMRO-së. Kështu ka deklaruar Qerim Lita në numrin e ri të Revistës SHENJA, i cili  ka thënë se ka qenë pikërisht kjo arsyeja, që pas tetë viteve është detyruar të tërhiqet nga posti që ka ushtruar në Arkivin Shtetëror, atë të zëvendësdrejtorit. Ai tha se për këtë situata ka njoftuar edhe partinë shqiptare në pushtet BDI, por nuk ka marrë asnjë mbështetje.

“Tash aty shkelen të gjitha dispozitat ligjore e kushtetuese, bëhen botime pa asnjë kriter shkencor dhe anashkalohet tërësisht trashëgimia kombëtare, fetare, kulturore e shqiptarëve të këtyre trevave etj. Për një politikë të tillë opinioni i gjerë shqiptarë është njoftuar me kohë, përmes pres-konferencave ose deklaratave dhënë mediave elektronike e atyre të shkruara. Përveç kësaj, disa herë u jam drejtuar strukturave udhëheqëse shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, prej të cilëve nuk kam hasur kurrfarë mirëkuptimi ose mbështetje”, ka thënë për Revistën SHENJA, Qerim Lita, ish zv/drejtor i Arkivit Shtetëror, transmeton Fakte.

Mes tjerash Lita ka thënë se deri në vitin 2008, Arkiva Shtetërore nuk është konsideruar si institucion i të gjithë qytetarëve të vendit, aq më pak i shqiptarëve,  ndërsa gjërat kanë ndryshuar me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim midis Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë dhe Arkivit Qendror të Shqipërisë, ndërsa në shkurt të vitit 2010 edhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

“Nuk është e tepërt të thuhet se, krahas Arkivit Qendror Shqiptar dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë është ndër arkivat më me interes në rajon për historiografinë shqiptare në përgjithësi, veçmas për trevat e aneksuara nga pushtuesi serb në mbarim të vitit 1912, sepse në të ruhet një numër i madh i dokumentacionit arkivor, i cili hedh dritë mbi ngjarjet e zhvillimet e shumta politike, ushtarake, arsimore, kulturore, ekonomike, demografike, sociale etj”, ka thënë më tej ai.

Duke pasur parasysh këto fakte, Lita ka thënë se brenda tetë viteve sa ka qenë pjesë e Arkivit është angazhuar që nëkëtë institucion të krijohen kushte të barabarta edhe për hulumtuesit shqiptarë, ndaj të cilëve ky institucion pati një politikë tepër të ashpër, sidomos kur bëhej fjalë për qasjen e tyre në lëndët arkivore me interes për historinë e kombit shqiptar.

Për momentin Arkivi ka të punësuar 298 të persona prej tyre 68 janë shqiptarë ose rreth 24%./Shenja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *