Saturday , June 19 2021

Disbalanci i njësive zgjedhore, Ja çfarë mendon opozita

Partitë jashtëparlamentare shqiptare; Uniteti, PPD, Lëvizja Besa, RDK dhe LR-PDSH në prononcimet e tyre për Portalb kanë shprehur qëndrimet e tyre dhe propozimet për rregullimin e çështjes me disbalancin e njësive zgjedhore.

Nga partia Uniteti thonë se ndarja e Maqedonisë në gjashtë njësi zgjedhore është e padrejtë, pasi nuk lejon akumulimin e votës shqiptare si dhe vështirëson paraqitjen e ofertave të reja politike.

“Në Kodin zgjedhor është caktuar kufi për dallim votuesish me zonave +/-5%, dhe në kontinuitet zonat me shumicë shqiptare prekin pragun e lartë, ndërsa ato maqedonase prekin pragun e ulët, që kërkon 10% më tepër vota për një deputet shqiptarë në krahasim me një deputet maqedonas. Nëse ky prag kalon kufirin zgjedhor, sipas ligjit, zgjedhjet janë të pavlefshme dhe joligjore. Këtë e dinë edhe partitë në pushtet”, tha për Portalb sekretari i përgjithshëm i partisë Muhamed Ismaili.

Sipas tij, edhe me këtë çështje po bëhen pazare mes katër partive negociuese se cilët votues të barten nga njëra në zonë tjetër, qoftë për përfitime partiake apo përfitime etnike.

Partia për Prosperitet demokratik vlerëson se, disbalanci në mes njësive zgjedhore në asnjë mënyrë nuk mund të jetë çështje e vullnetit.

“Plus minus 5 %-in e kërkon dispozita e Kodit Zgjedhorë. Tejkalimet në përqindje në shikim mund të duken të vogla por në fakt luajnë rol të madh në barazinë e peshës politike të votës. Andaj realizim i procesit zgjedhorë pa ekuilibruar këto disbalancë në mes njësive zgjedhore ,zgjedhjet do ti bënte jolegale dhe jokredibile, madje antikushtetuese. Kanë ndodhur dhe siç po shihni po ndodhin absurditete të mëdha. PPD-ja në kohë tërhoqi vërejtjen se metodologjia që u praktikua për hartimin e Listës së përgjithshme zgjedhore nuk ishte adekuate. Në praktikë ajo u pa ashiqare se e komplikoi procesin dhe si e tillë vlerësojmë se nuk është e besueshme sepse mbi tridhjetë mijë qytetarëve ju merret e drejta e votës duke mos u evidentuar në listë. Mund të thuhet se kanë patur kohë qytetarët dhe akoma kanë mundësi të paraqiten!? Po, por nuk është qytetari i obliguar të dëshmojë ekzistencën e tij, edhe atë disa herë, por është shteti ai që duhet të verifikojë qytetarët. Madje qytetari nuk është i obliguar ti dijë të gjitha ligjet e vendit”, theksoi për Portalb kryetari i kësaj partie Faton Aliti.

PPD-ja është e mendimit se parlamenti para shpërbërjes do duhet të harmonizojë disbalancin me ndryshimet në Kod dhe për këtë duhet Ministria e Drejtësisë veç më të kishte marrë hapat konkret. Përndryshe, sipas tyre, me të drejtë mund të dyshohet se kjo është edhe një nga shumë tentimet dhe mënyrat për manipulimin e Zgjedhjeve.

Në lidhje me disbalancin e njësive zgjedhore, Lëvizja BESA është duke përgatitur një analizë dhe këto ditë do të dalë me propozim konkret, njoftojnë nga aty.

“Në jemi nisur nga kriteri që të gjitha njësitë të kenë numër të barabartë të votuesve, me çka mendojmë se askush nuk do të ndjehej i diskriminuar. Natyrisht, mbetemi në qëndrimin se Maqedonia duhet të jetë një njësi zgjedhore dhe të votohet me lista të hapura, por për këtë do të veprojmë kur ta fitojmë mandatin e popullit”, deklaroi për Portalb zëdhënësi i Lëvizjes Besa,Faton Fazliu.

Kreu i RDK-së Vesel Memedi vlerëson se mosnjesimi i njesive zgjedhore apo diskriminimi që i bëhet njësisë 6 zgjedhore është anti kushtetuese. Sipas tij, lehtë mund të ngritet cështja e legalitetit dhe kredibilitetit të zgjedhjeve.

“Mungesa e vullnetit për njësimin e njësive ndodh për shkak të kompromiseve të fëlliqura dhe të fshehta të aktoreve politik, e gjitha në kurriz të votës shqiptare. Zgjidhja e vetme do të ishte ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore”, theksoi për Portalb Memedi.

Nënkryetari i LR-PDSH-së, Agon Ferati potencon se disbalanci i vërtetë ndodh mes trupit votues real dhe atyre 300.000 votuesve fiktiv që ende ndodhen nëpër listat e votuesve. Ai vë në theks se nga kjo padrejtësi, shqiptarët humbën mundësinë që në Parlamentin e ardhshëm të kenë numër më të madh të deputetëve, përafërsisht 39-42 deputet shqiptar.

“Ndërsa, sa i përket disbalancit aktual, me këtë trup votues të papastruar, shqiptarët sërish mund të shtojnë numrin e mandateve për 3 ose 4, por partitë me të drejt vendim-marrjeje çuditërisht heshtin. Këtë mund ta bëjnë vetëm partitë që kanë mandate në Parlament dhe përfaqësues të tyre në KSHZ, pra BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat janë treguar krejtësisht të papërgjegjshme ndaj mbrojtjes së interesave shqiptare, madje mos interesimi i tyre, do ti sjellë në një gjendje që të bëjnë edhe shkelje ligjore.  Konkretisht, Njësitë zgjedhore 3 dhe 4 në total kanë 55.845 votues më pak se Njësia zgjedhore nr.6, ndërsa zgjedhin numër të njëjtë të deputetëve. Kalimi i pjesës së ngelur të Dibrës në zonën 5 është i pamjaftueshëm për barazimin e Njësive zgjedhore, për shkak se një pjesë e saj veçmë i takon Njësisë 5 me një ndarje të çuditshme që kanë bërë në 2011, ndërsa është e nevojshme që edhe Zajazi dhe Osllomej të kalojnë në njësinë 5. Me këtë shqiptarëve do të ju shtohen +2 mandate në këtë zonë”, sqaroi për Portalb Ferati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *