Thursday , June 24 2021

DIALOGU NDËRKULTUROR

DIALOGU NDËRKULTUROR,

MËNYRA MË EFIKASE PËR VENDOSJEN E RETHANAVE MË STABILE POLITIKE DHE TË SIGURISË NË MAQEDONI DHE REGJION

D-r.Gëzim Ostreni

Në vitin 1992, Kombet e Bashkuara, ndërmorrën veprime për mbrojtjen e Maqedonisë nga zgjerimi i luftës edhe në këtë teritor (Rezolutën 795 – 11 dhjetor 1992), duke vendosur Forcat për Mbrojtje të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR), të cilat më vonë u quajtën (UNPREDEP), Forcat e Vendosura Preventive të Kombeve të Bashkuara, për pengimin e përhapjes së luftës në Maqedoni. Kjo ishte një preventive e mirë. Por, nuk u arrit të veprohet në mënyrë parandaluese me zgjidhjen e problemeve, të cilat Maqedoninë e brenin nga brenda. Problemet ndërnacionale, për të cilat edhe tani, partitë politike, pushteti dhe asociacionet tjera duhet pasur kujdes, që të realizohen sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe kërkesave aktuale, për të mos u përsëritur gabimet.

Maqedonia është bashkësi shumë etnike dhe për evitimin e krizave dhe përplasjeve të brendshme, është shumë e nevojshme vendosja e rrethanave më stabile politike dhe të sigurisë brenda saj, që do të reflektonin edhe në sigurinë e regjionit. Partitë politike me përcaktimet programore afatgjate dhe zgjedhore, për të siguruar kohezion social dhe për të ndërprerë konfliktet aktuale, duhet të angazhohen për ndërtimin e shtetit të qytetarëve të barabartë, i cili do të mbështetej në dialogun ndërkulturor në bazë etnike, fetare, gjuhësore dhe nacionale, për zhvillimin e vlerave universale – demokracisë dhe sundimit të shtetit ligjor, në Maqedoni.

Republika e Maqedonisë, sundon me hapësirën ku kryqëzohen interesat e shteteve fqinje, që mbështesin teorinë se secili prej tyre i ka borxh territor fqinjit të saj, përfshirë edhe Maqedoninë si fqinje e shteteve për rreth, duke u mbështetur në bashkësitë etnike dhe dallimet kulturore, të cilat e përbëjnë laramanin nacionale demografike të qytetarëve në shtetet fqinje dhe në Maqedoni.

Ky realitet kulturor shumë etnik shndërrohet në tendosje të marrëdhënieve ndërnacionale mes bashkësive etnike në kuptim të nxjerrjes së fakteve se kujt i takon Maqedonia, cila bashkësi është autoktone dhe jeton në territorin e saj të mbisunduar nga bashkësia tjetër. Nga kjo arsye, duke u nisur nga gjendja që sundon me shekuj, përmes punës së kreatorëve të asociacioneve të ndryshme duhet të kontribuohet për zhvillimin e dialogut ndërkulturor për promovimin e vetëdijes, mirëkuptimit, pajtimit dhe tolerancës, për pengimin e konflikteve dhe arritjes së integrimit të fortë dhe kohezionit në shoqërinë maqednase.

1.      SHUMËLLOJSHMËRIA KULTURORE ËSHTË TRASHËGIMI HISTORIKE

Gjatë historisë, në Ballkan ndodhin një sërë dyndjesh dhe migrimesh të popujve dhe ndryshime të kufijve, para dhe pas erës së re, që tani e imponon dialogun ndërkulturor.

Gjatë analizës së gjendjes në Maqedoni, krijohet përshtypja se, toleranca dhe mirëkuptimi i gjerë realizohen vetëm formalisht dhe shpesh përfaqësojnë vetëm retorikë të bartësve të funksioneve nga të gjitha asociacionet e mundshme shoqërore-politike dhe ekonomike, që tregon se mungon angazhimi serioz për menaxhimin me shumëllojshmërinë kulturore, për zhvillimin e mirëkuptimit për kultivimin e dialogut ndërkulturor për ruajtjen e lirisë të qytetarit, të bashkësive etnike, si kusht për Maqedoni demokratike, që do të ndikonte edhe në kushtet e sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon.

2.      IDEJA E DIALOGUT NDËRKULTUROR DHE QËLLIMET

Ideja dhe qëllimi i këtij materiali është të japë kontribut për intensifikimin e dialogut ndërkulturor në Republikën e Maqedonisë. Të hapet procesi i shkëmbimit të mendimeve mes bashkësive etnike më të mëdha (maqedonase dhe shqiptare), me mirëkuptim të përbashkët dhe respekt, me dëshirë dhe aftësi për të dëgjuar mendimin e tjetrit dhe të pengohet tendenca për asimilimin e bashkësive të vogla, që krijon hapësirë për dyshime të ndërsjella, shqetësime, pakënaqësi dhe diskriminim.

3.      PENGESAT E DIALOGUT NDËRKULTUROR

Kështu do të kontribuohet për evitimin e pengesave për zhvillimin e dialogut ndërkulturor, nga të cilat pengesa më e vështirë e kësaj natyre është mosnjohja e të kaluarës historike të shekullit XX në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, mosnjohja e gjuhës dhe kulturës shqiptare nga ana e maqedonasve etj. dhe mungesa e vullnetit të mirë të pushtetit dhe politikës për mosdiskriminimin e bashkësisë etnike të shqiptarëve etj., (si racizëm, ksenofobi, mos tolerancë fetare, urrejtjeje etj.,) që përfaqëson kanosje të përhershme ndaj paqes dhe sigurisë në vend.

Zhvillimi i luftës kundër këtyre qëndrimeve duhet të përforcohet në të gjitha lëmit, në arsim, kulturë, në organizimin e shoqërisë civile, në bashkësitë fetare, mediat dhe në të gjitha institucionet tjera për zgjerimin e dialogut ndërkulturor, (ashtu siç porositet nga BE-ja).

4.      SHOQËRIA CIVILE, GJUHA DHE HISTORIA

            Gjuha shqipe nuk përmendet në Kushtetutë dhe ligj. E drejta e përdorimit të saj shprehet e varur nga përpjestimi i numrit të popullatës në Maqedoni, që tregon se shteti nuk dëshiron as ta përmend emrin e saj, e ku më ta tolerojë përdorimin e plotë. Shndërimi i njerëzve në numra dhe përqindje, gjatë historisë ka treguar se është shumë i rrezikshëm.

Nga kjo mund të konstatohet se gjuha paraqet pengesë të madhe në njohjen e ndërsjellë, mirëkuptimin dhe zhvillimin e dialogut ndërkulturor. Ky dialog nuk mund të zhvillohet mes qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë, ngase shqiptari e njeh gjuhën, historinë dhe kulturën e maqedonasit dhe të Maqedonisë, ndërsa maqedonasi nuk e njeh historinë dhe kulturën e shqiptarit dhe shqiptarëve në Ballkan, për arsye se nuk e njeh gjuhën shqipe, e cila do t’i mundësonte, qasje në këto dhe lëmi tjera të jetës shoqërore-politike të shqiptarit dhe bashkësisë së tyre.

Shqiptari e njeh historinë, kulturën dhe gjithçka tjetër për Maqedoninë, ngase ai formohet në kuadër të sistemit arsimor. Ndërsa rinia maqedonase për shqiptarin mëson nga propaganda e zezë. Ai edukohet nën ndikimin e parullave: “shiptari nadvor![1]„ , „mrtov shqiptar e dobar shiptar„[2] , „gasni komori za shiptarite!„[3] etj., që është veti e nazizmit, në vend të promovimit të vlerave themelore si faktor vendimtar për pajtim, respektim, mirëkuptim dhe besim reciprok ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni, që mund të përmirësohet përmes arsimit, të shkruarit dhe të ligjëruarit të historisë për bashkëjetesën dhe përpjekjet e përbashkëta që nga Kryengritja e Ilindenit dhe Lufta e Dytë Botërore, shprehjes së trashëgimisë së vërtetë kulturore, mediave, sportit, gjatë punësimit dhe në vende të punës, etj., duke u mundësuar t’i njohin marrëdhëniet e vërteta ndëretnike në të kaluarën për t’i evituar stereotipat, të fitojnë besim ndaj bashkëqytetarëve të tyre me identitet shoqëror ndryshe dhe kulturë tjetër, që do t’i evitonte ndarjet dhe përçarjet e brendshme, duke e arritur qëllimin e dialogut ndërkulturor brenda shtetit dhe do të krijonte kushte që ai të zhvillohet në mënyrë të mirëfillte edhe me shtetet fqinje.

14508646_10207340379014216_370945155_n 14508760_10207340379054217_1063863574_n 14527488_10207340379094218_1219039509_n 14542862_10207340379134219_1340546803_n

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *