“Ka dështuar takimi i liderëve, të partive opozitare i cili pritej të mbahet sot në ora 12 në Shkup, i thirrur nga lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pasi që në këtë takim nuk kanë ardhur, lideri i LR – PDSH-së, Ziadin Sela ai i partisë UNITETI, Gëzim Ostreni dhe i RDK-së, Vesel Memedi”, raporton gazetari i Portalbit nga terreni.

Në këtë takim ishin vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes BESA dhe pjesëtarët e shkëputur nga RDK-ja e Vesel Memedit, për këtë edhe takimi u anulua.

“Përgjegjësia për mosprezencën e UNITETIT dhe LR – PDSH-së, ngelet tek ata. Ne vazhdojmë të jemi të hapur për bashkëpunim”, kanë thënë nga Lëvizja BESA dhe pjesëtarët e shkëputur nga RDK-ja e Vesel Memedit.

Takimi i liderëve të partive opozitare – shqiptare të cilët nuk janë pjesë e Parlamentit, sot duhej të mbahej me qëllim që sipas, Kasamit, për të dhënë fillimisht frymën e bashkëpunimit, që pastaj do të rezultojë me komunikimin dhe dialogun e grupeve të punës, që ato të mund ta vazhdojnë procesin e bashkërendimit të aktiviteteve për arritjen e këtij synimi.

Rikujtojmë se Sela ka pranuar që të takohet me liderët e opozitës shqiptare, me ftesë të Shoqatës së të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politik Shqiptarë, e cila ditë më parë e ftoi opozitën në takim me qëllim, që sipas tyre, të komunikimit, bashkëpunimit  dhe unifikim të votës opozitare jashtëparlamentare të shqiptarëve. /Portalb