Tuesday , April 20 2021

Dështon atentati për gjakmarrje, policia i arreston duke përgatitur silenaciatorin

Një grup të rinjsh u arrestuan nga Policia e Tiranës pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ishin duke përgatitur një silenciator për armë me qëllim vrasjen e një personi për motive hakmarrje.
Ata u kapën në flagrancë duke përgatitur silenciatorin për ta montuar në pistoletën tip “Zastava”, të cilën e mbanin pa leje.

Sipas Policisë së Tiranës, arma po përgatitej për të kryer vrasjen e një personi ndaj të cilit donin të merrnin hak, por për arsye hetimi dhe sigurie emri i shënjestrës së tyre nuk bëhet i ditur nga policia.

Arma u gjet në banesën e Edmond Markut, 32 vjeç nga Durrësi. Ai rezultonte i shpallur në kërkim edhe nga Policia e Lezhës për veprën penale të vjedhjes, ndërsa ishte dënuar me 3 muaj burg edhe për drejtimin e makinës në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit arrestuan në flagrancë; Edmond Markun, Blindim Isa, 25 vjeç, banues në Kukës, i dënuar më parë për vrasje me dashje; Artur Shehu, 22 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike si dhe Klodjan Koca, 34 vjeç, banues në Fushë-Kuqe.

Ata do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. /Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *