David Schwendiman – kryeprokuror i Gjykatës së Posaçme për Kosovën

Prokurori amerikan, David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë, transmeton Fakte.

Në dhjetor të vitit 2014, ai ishte emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.

Në një njoftim të së hënës, thuhet se “Prokuroria e Posaçme do të vazhdojë me hetimet e filluara nga ekipi i hetuesve të specializuar dhe do të vazhdojë me përgatitjet për fazën e ardhshme të punës”.

“Pres që të takohem me njerëz në rajon dhe të takohem edhe me mediet kur të jetë e mundur në javët dhe muajt e ardhshëm”, citohet të ketë ai.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015 , parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe ajo do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Prokurorët dhe gjykatësit do të jenë të gjithë ndërkombëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *