Saturday , July 24 2021

Çmendet moti në Tiranë! Rrëzohen 8 pemë, bllokohen rrugët, disa zona pa energji

Shiu i dendur dhe stuhia pushtoi për disa minuta kryeqytetin pak pas orës 15:00, ditën e sotme. Mjaftoi një rrebesh shiu ku rrugët të tejmbusheshin nga uji, ndërsa probleme u shkaktuan dhe në qarkullimin e automjeteve. Në rrjetet sociale qarkullojnë imazhe mbi pasojat e stuhisë ku duken edhe xhama dhe dritare të thyera, transmeton Fakte.

Qytetarët që kanë telefonuar në “News 24” kanë raportuar dhe për rrëzimin e pemëve pranë shkollës “At Zef Pllumi”, ku për pasojë janë dëmtuar dhe disa automjete.

Raportohen 8 pemë të rrëzuara në zona të ndryshme në Tiranë.

Nga stuhia janë dëmtuar kabllot e energjisë në Kodër- Bathore. Ndërsa nga shiu i dendur ka shkarje dheu dhe bllokim të rrugës në Ibë.

OSHEE njoftoi edhe për stakime të energjisë elektrike në disa zona të Tiranës si në “Don Bosko”, “Komuna e Parisit”.

“Punonjësit janë në terren për të rikthyer energjinë”, njofton OSHEE.

Vranësirat dhe shirat lokalë që nisën këtë javë do të vijojnë edhe për dy ditët e ardhshme. Të martën mbi vendin tonë sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave do të mbizotërojë mot me vranësira të çrregullta dhe shira lokalë të herëpashershëm, kryesisht në lindje të vendit.

E njëjta situatë pritet të vijojë edhe gjatë të mërkurës ku temperaturat do të variojnë nga 17 gradë Celsius minimalja në vendet malore e deri në 34 gradë Celsius në vendet e ulëta. Ndërsa të enjten do të nisin rritja e temperaturave dhe moti i kthjellët do të mbizotërojë vendin deri në fundjavë./BalkanWeb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *