Friday , December 6 2019

Çfarë e pret botën shqiptare në vitin 2019?

Nga Enver Robelli

Viti që lamë pas ka paralajmëruar kthesa të mëdha – në politikën botërore, por edhe në nivel lokal. Se si do të përballen shqiptarët me vështirësitë e reja në vitin 2019, do të varet edhe nga aftësia e klasës politike në Prishtinë e Tiranë, e cila viteve të fundit jo përherë ka qenë për duartrokitje.

Në 6 muajt e ardhshëm janë disa sfida: në janar numri i pasagjerëve shqiptarë në linjën Prishtinë-Vjenë-Hagë do të rritet; do të shtohen presionet për «zgjidhjen» e çështjes së Kosovës – dhe edhe pas «zgjidhjes» (eventuale) pakënaqësia do të jetë e madhe në shoqëri; në qershor do të vendoset nëse Shqipëria do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Në rast se ndonjë shtet anëtar i BE-së e bllokon këtë plan, qeveria aktuale në Tiranë do të gjendet nën presion edhe më të madh.

Ky presion tashmë ka filluar nga studentët, sepse jo vetëm ata janë lodhur nga politika e «performansave artistike», improvizimeve, tenderomanisë, folklorizmit dhe popullizmit. Nëse lufta e bandave të Shkodrës brenda 2 muajsh merr jetën e 6 vetave, siç ka ndodhur sivjet, dhe nëse kjo luftë arrin deri në lagjet e Brukselit dhe e detyron edhe qeverinë e këtij vendi të ndërhyjë – atëherë kjo tregon gjendjen alarmante në disa pjesë të Shqipërisë.

Si matanë Drinit, si këndej vazhdon papërgjegjësia masive ndaj resurseve publike, keqpërdorimi i parasë publike, manipulimi ose tentimi për manipulim i tenderëve, hallakatja e arkës publike me qëllim të zhvatjes janë bërë pjesë e kulturës së përditshme politike.

Ndëshkimin nga ana e BE-së e kanë përjetuar kudo shqiptarët. Mund të bëhet një debat i gjatë nëse Brukseli gabon që ndëshkon qytetarët dhe jo pushtetarët. Qeveritë perëndimore flasin me të zgjedhurit e një populli. Është përgjegjësia e popullit kur i zgjedh ata. Askush nuk i ka penguar maqedonasit të zgjedhin partinë e Nikolla Gruevskit. Sa më shumë pushtet që kanë autokratët, aq më paranoikë bëhen. Gruevski bleu një veturë të blinduar që i kushtoi buxhetit mbi gjysmë milioni euro. U dënua për këtë dhe duhej të shkonte në burg. Iku në Hungari.

Për shkak të sistemit të kalbur juridik dënimi i një (ish-)kryeministri, presidenti apo ish-presidenti s’mund të merret me mend në viset shqiptare. Pakkush beson se politikanët shqiptarë nuk kanë bërë krime më të mëdha financiare. Por, si shumë akterë të jetës publik edhe këta gëzojnë lirinë e palaços. Të jesh i korruptuar në viset shqiptare është edhe cool, sepse kësisoj tregon se je i fortë. Mbi ligjin. Në psikikën shqiptare ekziston një lloj fascinimi për të jashtëligjshmin.

A do të ketë ndryshim në këtë qasje në vitin 2019? Nuk shihen shenja të qarta. Përkundrazi – gjithnjë e më shumë po shitet si akt guximi kur njerëz që do të duhej të denonconin të keqen bëhen tok dhe mbrojnë politikanët e korruptuar prej të cilëve jo rrallë përfitojnë.

20 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s do të ishte një moment i mirë për të bërë bilancin. Por, bilancin e bëjnë shoqëritë që janë të vetëdijshme për pusin ku janë fundosur. Ajo ditë e bilancit nuk duket e afërt shikuar nga perspektiva e 31 dhjetorit 2019. Por, gjatë historisë shpesh ka ndodhur që në çastet më të papritura të shihet shpresë. Për atë duhet punuar të gjithë!/FAKTE

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *