Saturday , January 23 2021

Bill Clinton përsëri mes shqiptarëve, në “Shtëpinë e Bardhë” të Sal Rusit

Ish-presidenti Bill Clinton u takua përsëri me shqiptaro-amerikanë, këtë javë, në shtëpinë e veprimtarit dhe biznesmenit të shquar shqiptaro-amerikan Sal Rusi, në New York, transmeton Illyriapress.

Ky është takimi i dytë fondmbledhës për fushatën presidenciale, në atë që njihet ndryshe si “Shtëpia e Bardhë” e Staten Island. Pak muaj më parë, këtu ishte vetë kandidatja e Partisë Demokrate, Hillary Clinton, transmeton Fakte.

Shumë shqiptaro-amerikanë mbështesin ish-Sekretaren e Shtetit në zgjedhjet që do të mbahen në 8 nëntor të këtij viti.

Hillary Clinton njihet me shqiptarët që nga koha kur bënte fushatën presidenciale për Bill Clinton, pastaj si Zonjë e Parë dhe si Senatore e Amerikës për New York-un.

Presidenti Clinton falenderoi në veçanti dy organizatorët, bashkëshortët Sal dhe Vivian Rusi, dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e shqiptaro-amerikanëve në Amerikë.

Takimi nuk ishte i hapur për median por informacionet në këtë shkrim janë nga pjesëmarrës të takimit, duke përfshirë edhe vetë botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Gjatë një bisede me Presidentin Clinton, botuesi Bajrami i tregoi se gazeta shqiptare e Amerikës ishte e para që i bëri thirrje publike Hillary Clinton që të hynte në garë për Presidente. Ai i dha Presidentit Clinton një kopje të gazetës “New York Daily News”, ku kishte botuar një faqe urim për ditëlindjen e ish-Sekretares së Shtetit, në të cilën i bëhej thirrje që të konkurronte për presidente sepse ishte njeriu më i përgatitur dhe më me përvojë për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.

Bill Clinton, një hero për shqiptarët, sidomos për shkak të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia, u gëzua shumë nga ky fakt dhe e mori me vete gazetën, pasi lexoi aty për aty një pjesë të tekstit.

Ai u tregua bujar me kohën që vuri në dispozicion për takimin me shqiptarët. E di, tha, që ju jeni mbledhur këtu ngaqë e mbështesni Hillary Clinton për presidente, po nuk më rrihet pa treguar edhe njëherë se pse këto zgjedhje kanë rëndësi.

Presidenti kapi tema që u interesojnë shqiptarëve. Si ndihma për bizneset e vogla. Shumë prej tyre kanë nevojë për hua serioze dhe nuk po u jepen. Amerikanët shpëtuan bankat e mëdha në Wall Street, por këto janë tepër të kursyera me biznesin e vogël.

Clinton tregoi sesi kur ishte president bizneset e reja hapeshin në numër rekord në botë, ndërsa tani SHBA nuk ishte as në 10 më të mirat. Ndonëse dy të tretat e vendeve të reja të punës në këto dekada kanë ardhur nga biznesi i vogël, pak është bërë për ta ndihmuar.

Ai foli për legalizimin e emigrantëve pa dokumente. Pse të mos ligjërohen këtu ata që punojnë shumë, paguajnë taksa, respektojnë ligjet, rrisin fëmijët si amerikanë të vegjël dhe nuk bëjnë gjëra të këqia?

Clinton falenderoi shqiptarët për kontributin e tyre në SHBA, jo vetëm ekonomik por për mënyrën sesi e kanë pasuruar Amerikën. Ai foli për Sal dhe Vivian Rusin, për fqinjët e tij shqiptarë, për emigrantët që sheh çdo ditë në rrugët amerikane që shkojnë në punë e kontribuojnë fuqishëm.

Ai përmendi sigurinë e Amerikës dhe se si ekspertët e anti-terrorizmit dhe politikës së jashtme nuk kanë dyshim se Hillary Clinton është e vetmja kandidate serioze në garë.

Duke u nisur nga fakti që Sal Rusi ishte dikur vetë republikan, Bill Clinton tregoi se sa shumë republikanë në fakt, në këto zgjedhje po bëjnë një përjashtim sepse janë shokuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kandidatit Donald Trump.

Ai solli si shembull një nga gazetat kryesore, në Dallas, Texas, e cila ka bërë thirrje që të votohet për Hillary Clinton. Kjo është hera e parë që kjo gazetë mbështet një kandidat demokrat që nga Lufta e Dytë Botërore.

Clinton u tregua megjithatë shumë i kuptueshëm ndaj atyre që mbështesin kandidatin Trump. Nëse njihni njerëz, tha ai, që duan të votojnë për të, mos i fyeni e mos i quani budallenj. Ka shumë njerëz që me të drejtë janë zhgënjyer e që janë lodhur duke pritur ndryshime.

Ai tha se Amerika është vendi më i suksesshëm në botë për më shumë se një shekull, por jo të gjithë kanë përfituar njësoj.

Duke cituar një poet irlandez ai tha se “sakrificat e gjata, e bëjnë zemrën gur”, ai tha se shumë njerëz meritojnë më shumë shanse në këtë vend, ndaj tha slogani i fushatës së Hillary Clinton, “më të fortë së bashku”, është kuptimplotë. Vetëm një Amerikë ku jemi të bashkuar mund të jetë një Amerikë e madhe dhe e suksesshme.

Shqiptarët e duartrokitën dhe e takuan me shumë dashuri.

Për Sal Rusin, kjo ishte një tjetër akt i rëndësishëm mbështetje për një kauzë të rëndësishme historike.

Në ato momente, në krah të njeriut që nga më të shumtët ka ndikuar në fatin e shqiptarëve në atdhe, ai ndaloi një çast për të respektuar të atin e tij.

““Falenderoj babain që na solli në këtë vend te mrekullueshëm”, tha Sal Rusi, “ku ndërtuam një jetë të bukur për vete dhe familjet, por ku kemi edhe mundësitë që të ndihmojme të tjerët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *