Sunday , November 18 2018

BE publikon raportin me 10 konkluzionet për Shqipërinë

Ndër prioritetet kyçe të BE-së vazhdon të jetë reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit dhe korrupsioni, rëndësia e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i funksionimit të SPAK dhe BKH

Raportii i BE-së me 10 konkluzionet për Shqipërinë thekson rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi, dhe finalizimin e ngritjes dhe funksionimit të organeve të reja të sistemit si Njësia Speciale e Hetimit e AntiKorrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) apo Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Ndër prioritetet kyçe të BE-së vazhdon të jetë reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta. Një tjetër pikë e raportit është ajo e uljes së numrit të azilkërkuesve, thotë Report Tv që siguroi raportin, përcjell Fakte.

Raporti i plotë:

Këshilli vlerëson progresin e reformave të Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, si reforma në administratën publike, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriu, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe ato të pronës. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit është një gur themeli i një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësi.

Procesi i ri-vlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët (Vettingu) ka nisur të japë rezultatet e para të prekshme, duke përfshirë edhe anëtarët e lartë të gjyqësorit, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë progresin e deritanishëm dhe të ndjekë intensivisht Reformën në Drejtësi, që synon rritjen e pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, përmes avancimit të procesit të Vettingut, i cili është vendimtar për suksesin e tij.

Këshilli mirëpret përpjekjet për krijimin e një rekordi të qëndrueshëm në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vënë në dukje se çmontimi i grupeve të krimit të organizuar mbetet një sfidë e rëndësishme.

Këshilli thekson rëndësinë që Shqipëria të ndjekë më tej me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, duke u mbështetur në rezultatet e para të rëndësishme të vërejtura gjatë muajve të fundit.

Këshilli përgëzon Shqipërinë për bashkëpunimin e saj të ngushtë dhe të forcuar me agjencitë e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së dhe pret që kjo praktikë reciprokisht e dobishme të vazhdojë.

Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe duhet të sigurojë se rezultatet e mëtejshme duhet të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në çmontimin e rrjeteve kriminale të organizuara. Në kuadrin e reformës së drejtësisë, institucionet e specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ende duhet të krijohen sipas kuadrit ligjor tashmë në fuqi.

Krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme.

Këshilli përsërit nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, duke përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe qasjen në të drejtat e personave që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë dhe për të siguruar zbatimin në përputhje të ligjit kuadër duke adresuar në aktet nënligjore përkatëse të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë të drejtën për vetë-identifikim të lirë.

Këshilli gjithashtu përsërit nevojën për zbatimin efikas të të drejtave pronësore.

Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës mbi reformat lidhur me BE është thelbësor për të avancuar në axhendën e reformave në dobi të qytetarëve dhe për të afruar vendin më pranë BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.