Saturday , June 19 2021

BE: Ivanov të mandatojë Zaevin; Hahn: Pengesat, të papranueshme

Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn pret që pas mbledhjes së 67 firmave të nevojshme, presidenti Gjorgje Ivanov të mandatojë udhëheqësin e LSDM-së, Zoran Zaev, për krjimin e qeverisë së re në Maqedoni.

“Ndryshimet në shoqëritë demokratike janë të natyrshme dhe duhet të përshëndeten kur vijnë si rezultat i zgjedhjeve të besuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i lartë i BE-së.

“Pranimi dhe respektimi i rezultateve zgjedhore, si dhe e drejta e udhëheqësve për të tentuar krijimin e qeverisë është shenjë e demokracisë së shëndoshë. Pengesat dhe mosvlerësimi i përpjekjeve të tilla nuk kanë vend në një proces demokratik”, thekson Hahn.

Sipas tij, për këtë arsye BE-ja pret nga të gjitha partitë që t’i respektojnë parimet dhe standardet demokratike, të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të kenë për qëllim mënyrën e bashkëpunimit në vend, e jo të nënvlerësojnë njëri-tjetrin.

“Ishte pikërisht ky qëndrim që e çoi vendin drejt krizës”, mësohet të ketë thënë Hahn. Komisioneri shtoi se opozita dhe mazhoranca kanë përgjegjësi dhe peshë në funksionimin e një demokracie, e që të dyja mund t’i japin formë ardhmërisë së shtetit.

Mbrëmjen e së shtunës, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski është parë të hyjë në selinë e presidentit. Bashkë me të ka qenë edhe sekretari i qeverisë, e njëkohësisht funksionari i lartë i VMRO-DPMNE-së, por ende nuk dihet çfarë është biseduar me Ivanovin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *