Wednesday , December 12 2018

BE i kërkon Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen bashkëpunimit

Koçijançiq i ka ftuar të dyja palët që të respektojnë angazhimet për “pajtim, bashkëpunim rajonal e marrëdhënie të mira fqinjësore”.

Pas refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në takimet e CEFTA në Kosovë, zëdhënësja e Përfaqësues së BE-së për Politikën e Jashtme, Maja Koçijançiq, ka ftuar të dyja palët që të respektojnë përkushtimet e tyre për “pajtim, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore”, percjell Fakte.

Ajo komentet i bëri në informimin e përditshëm të BE-së, të enjten, pas pyetjes së Deutsche Welles, nëse BE-ja fton Serbinë që të ulet në tryezën e CEFTA-s dhe të diskutojë masat.

“Mendoj se e dini se parimet thelbësore të perspektivës evropiane të rajonit janë të bazuara në pajtim, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore…është një përkushtim që është bërë nga të gjithë. Ne presim që këto përkushtime të respektohen tërë kohën dhe kjo është arsyeja pse kjo porosi po përciellt te udhëheqësia kosovare dhe ajo serbe”, tha Koçijançiq.

Ajo vazhdoi ta quajë masën e Kosovës si shkelje të marrëveshjes CEFTA, edhe pse deri tash nuk ka pasur asnjë vlerësim apo kumtesë nga Sekretariati i CEFTA, në lidhje me masën e Kosovës.

Asnjë ankesë nga vetë CEFTA

Drejtori i Sekretariatit Emir Xhikiç, në një intervistë më të hershme për DW, kur Kosova sapo kishte vendosur taksën për 10 përqind për mallrat nga Serbia, u shpreh se në sekretariat dhe në mekanizmat e CEFTA deri tash është bërë vetëm një ankesë nga Bosnja.

“Për momentin ne nuk jemi të informuar nga palët për rastin, përveç një letre që Bosnja e Hercegovina ja ka dërguar Komisionit Evropian, dhe e dimë rastin nga mediat”, u shpreh Xhikiq.

Sipas mekanizmave të marrëveshjes CEFTA, në rast mospajtimi rreth masave të caktuara, palët bëjnë ankesë dhe tentojnë t’i zgjidhin çështjet në marrëveshje bilaterale. Përtej këtij mekanizmi, CEFTA mbetet e kufizuar për mundësitë e zgjidhjes së problemeve, gjë të cilën e pranon edhe drejtori Xhikiq. “Përveç pjesës së konsultimeve bilaterale, mekanizmat e tjerë nuk mundësojnë zgjidhje”, thotë Xhikiç. “Deri tash është treguar se mekanizmi i plotë që është tash në dispozicion të palëve të CEFTA … nuk është plotësisht funksional”, pati shtuar ai.

Pala kosovare refuzon që ky veprim është në kundërshtim me CEFTA-n duke thënë se kjo është bërë në kuadër të masave që i lejon marrëveshja.

Përsa i përket vlerësimit të bërë nga Mogerini se masa kosovare është shkelje e marrëveshjes së CEFTA, edhe pse nuk ka ndonjë vendim nga vetë organizata, Koçijançiq mbajti vijën e mëhershme duke mos iu përgjigjur pyetjes.

“BE monitoron përmbushjen e të gjitha detyrimeve të marra nga partnerët në rajon…presim që Sekretariati i CEFTA dhe të gjitha palët të marrin masat e nevojshme që të sigurojnë që marrëveshja respektohet plotësisht”, tha ajo./dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.