Sunday , April 18 2021

BDI që nuk shfrytëzoi Badenterin tani kërkon “vendimmarrje konsensuale”

Vendim-marrja konsensuale, deshifrimi i propagandës së BDI-së

Nëse votimi me shumicë të Badenterit do të të shfrytëzohej rregullisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim atëherë vendimet për çështje në interes të shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë nuk do të miratoheshin pa lejen e përfaqësuesve të shqiptarëve. Ajo që bën tani BDI, në kuadër të platformës së tyre për zgjedhjet e vitit 2016 duke kërkuar “vendimmarrje konsenzuale” është thjeshtë zgjerim i një mekanizmi që nuk e kanë përfillur më herët, komenton për Portalb.mk ish gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Bajram Pollozhani.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje të 11 dhjetorit kërkon vendimmarrje konsenzuale në Parlamentin e Maqedonisë me qëllim që vendimet për çështje në interes të shqiptarëve sipas kësaj partie, “të mos mund të merren pa pëlqimin e përfaqësuesve të shqiptarëve”. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimin e së dielës në Çair të Shkupit duke mos hyrë në detaje tha se vendim-marrja konsensuale është një nga pesë pikat e platformës së kësaj partie.

“Sigurisht që duhet mirëkuptim dhe duhet për shumë çështje madhore të vlej konsensualiteti”-tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti të dielën në tubimin e mbajtur në Çair të Shkupit.

Këto fjalë mund t’i dëgjoni në videon e bashkëngjitur në vijim, prej min.  52:11- 52:38.

Për ta qartësuar këtë kërkesë, Portalb.mk kërkoi sqarim nga zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani të jetë më konkret çfarë nënkupton BDI vendim-marrje konsensuale dhe për cilat çështje madhore e kanë fjalën.

“Vendim-marrja konsensuale nënkupton që vendimet që do t’i merr Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti e që kanë lidhje me interesin publik, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve do të duhet të kenë paraprakisht pëlqimin e përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve, të zgjedhur në zgjedhje” tha Osmani për Portalb.mk.

Portalb: Për çështje të këtilla votohet me shumicë të Badenterit, apo nuk ju mjafton shumica e Badenterit?

Bujar Osmani: Do e elaborojmë saktë çka nënkuptojmë kur ta promovojmë platformën para qytetarëve.

Pse BDI kërkon ta zgjerojë vendim-marrjen konsensuale edhe në institucionet tjera, ndonëse në të gjitha rastet e mundshme të deritanishme nuk e shfrytëzoi të njëjtën në Kuvend?

Pas konfliktit të 2001-shit, në Kushtetutën e Maqedonisë u vendos votimi me shumicë të Badenterit duke mundësuar që ligjet të cilat drejtpërsëdrejti lidhen me interesat e popullatës jo-maqedonase të mos mund të merren pa shumicën e votave të deputetëve jo-maqedonas.
Vendim-marrja e këtillë do të ishte në dobi të të gjithë qytetarëve jo-maqedonas e në veçanti në dobi të shqiptarëve, në rast se do të implementohej rregullisht, tha Pollozhani.

Megjithatë, deputetët shqiptarë asnjëherë deri tani nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Pollozhani thekson se deputetët shqiptarë kanë mundur ta shfrytëzonin shumicë të dyfishtë dhe të bllokonin votimin e ndonjë ligji, në këmbim me ndonjë ligj që do të ishte në dobi të shqiptarëve, por nuk e kanë bërë këtë.

“Nuk e kanë shfrytëzuar këtë element shqiptarët, pasi vazhdimisht janë pajtuar. Për shembull: Kodi Zgjedhor miratohet me shumica të dyfishta, këta kanë mundur mos ta votojnë por votojnë, sepse merren vesh; Kanë mundur edhe buxhetin mos ta votonin nëse nuk do t’u pëlqente; Kanë mundur që ta kushtëzonin votimin e buxhetit, me ndryshimet në ligjet që kërkoi prokuroria speciale; kanë mundur ta barazojnë njësinë zgjedhore numër 6 për ta përshtatur me numrin e votuesve të njësive tjera.”-sqaroi Pollozhani.

Shumica e dyfishtë apo ndryshe e njohur si “Shumica e Badenterit” parashihet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Për ligjet të cilët drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Kontestin në lidhje me zbatimin e kësaj dispozite e zgjidh Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.”-thuhet në Amandamentin e X të Kushtetutës.

Pollozhani tha për Portalb.mk se politikanët shqiptarë nuk kanë qenë të vëmendshëm, pasi që shumica e Badenterit është futur në Marrëveshjen e Ohrit vetëm për vendim-marrje në nivel qendror. Por pastaj politikanët maqedonas e kanë implementuar atë në nivel lokal dhe si rezultat i kësaj për shembull, në qytetet si: Tetova, Dibra, Struga nuk mund të ndërrohen emrat e shkollave.

Megjithatë sipas tij, do të ishte mirë që kjo mënyrë e të votuarit në Parlament të inkuadrohej edhe në punën e disa prej institucioneve kyçe, edhe atë: me Kushtetutë të parashihej zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, qeveria me shumicë të dyfishtë të miratonte propozim-ligje për fusha të caktuara dhe Gjykata Kushtetuese të mund ti abrogojë me shumicë të dyfishtë ligjet që sillen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (pasi që aktualisht Gjykata Kushtetuese mund që ligjet e sjella me shumicë të dyfishtë t’i abrogojë me shumicë të thjeshtë).

“Kjo ka qenë kërkesa ime shumë kohë më parë. Këtë e kam thënë në të gjitha paraqitjet e mia publike, që partitë politike shqiptare që janë në qeverisje të insistojnë që me rastin e ndryshimeve kushtetuese që i ka iniciuar pala maqedonase, të zgjerojnë mundësia e këtij lloj votimi edhe për çështje të tjera”-theksoi Pollozhani.

Sipas tij, kështu do të krijohej siguri më e madhe juridike për mos mbi-votim, respektivisht kundër majorizimit./Portalb.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *