Tuesday , April 20 2021

BDI injoron edhe deputeten e vet

Në vendet me demokraci në Kuvend ka llogaridhënie. Ky leksion në praktikën politike të Maqedonisë duket i panjohur. Së paku kështu tregojnë faktet.

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Nora Aliti, më 30 qershor në seancën për pyetje të deputetëve në mes tjerash kishte pyetur edhe për Analizën e Marrëveshjes së Ohrit, çfarë do të bëhet me Analizën, cila është ardhmëria e saj dhe a ka kaluar e njëjta në Qeveri, shkruan Portalb.mk.

Sot, një muaj e gjysmë nga parashtrimi i pyetjes, për deputeten Nora Aliti është ende e panjohur pyetja të cilën ia dërgoi Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht kryeministrit Festim Halili.

“Fatkeqësisht akoma nuk kam marrë përgjigje edhe pse sipas Rregullores së Kuvendit Neni 42 paragrafi 3 parashihet afat prej 20 ditëve për përgjigje me shkrim në situate kur përgjigja nuk merret përgjigje në seancë plenare kur është parashtruar pyetja. Përgjigjet e pyetjeve të deputetëve pavarësisht formës së caktuar bëhen publike në ueb faqen e Kuvendit, ku mund ta konfirmoni se nuk kam pranuar përgjigje”, deklaroi për Portalb deputetja Aliti.

Ndryshe, në Analizën e publikuar në ueb faqen e SIOFA-s shkruan se: “Ky raport shqyrtues është përgatitur nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (SIMKO) dhe do të paraqitet në Këshillin e Ministrave për diskutim dhe miratim”, duke mos precizuar afat.

Edhe vet zv/kryeministri Festim Halili në një intervistë dhënë Portalbit me rastin e 15 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, nuk jep ndonjë datë se kur Analiza duhet të kalojë në Qeveri.

“Ky dokument është në procedurë qeveritare dhe së shpejti do të miratohet nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Prioritet i jonë është transparenca dhe përgjegjësia shtylla këto që ne i kemi bazament i punës dhe rrugës tonë të përbashkët. Analiza në vete përmban një konglomerat të zgjeruar dhe shumë të saktë me të dhëna empirike e shkencore që pasqyron funksionimin e  MKO-së. Me kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi po punojmë intensivisht që kjo çështje një herë e mirë të zgjidhet siç duhet  që këto barriera dhe sfida që na servohen të kanalizohen nëpërmjet rrugës institucionale dhe demokratike . Qëndroj konsistentë dhe me bindje se puna e palodhshme dhe vullneti për një të ardhme të sigurt do vendoset një herë e përgjithmonë. Për shkak të realiteti faktik politik dhe rrethanave nuk mund të potencoj dhe precizoj datë të caktuar, por ju siguroj që në një të ardhme të afërt ajo do jetë evidente”, shprehet për Portalb zv/kryeministri Halili.

Analiza e MKO-së është dokument me 318 faqe me konstatime dhe rekomandime, siç thuhet në dokument, për forcimin e kohezionit social në Maqedoni./PORTALB

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *