Bashkimi i opozitës shqiptare në Maqedoni, ‘mision’ me shumë vullnet dhe pak konkretizim

Vullnet për bashkëpunim opozitar shqiptar ka, megjithatë hapa konkrete ende jo. Është ky qëndrimi i partive politike jashtëparlamentare shqiptare në Maqedoni për Portalb.mk.

Portalb.mk ka kontaktuar me përfaqësues të opozitës për gatishmërinë e partive opozitare për të bashkëpunuar me synim për ta rrënuar regjimin aktual, në zgjedhjet e caktuara për 11 dhjetor.

Në lidhje me temën e bashkëpunimit opozitar, hëpërhë nuk ka asgjë konkrete, thonë nga Lëvizja Besa, pos vullnetit të tyre konkret që të bashkëpunohet.

“Ne jemi të bindur se BDI, të ndihmuar nga “naçallnikët” e VMRO-së, është i fitueshëm pa ndonjë bllok të veçantë opozitar. Në të vërtetë, BESA është e gatshme ta mundë vetë këtë koalicion të dështimeve, mashtrimeve dhe skandaleve, por – përsëri – nuk e përjashtojmë mundësinë edhe për krijimin e ndonjë koalicioni opozitar shqiptar. Bile, për këtë kemi krijuar një komision nga Kryesia Qendrore dhe shpresoj që kjo të rezultojë me informacione pozitive. Por, lajmi është se me ose pa koalicion, BDI-në do ta dërgojmë në pension”, deklaroi për Portalb zëdhënësi i kësaj partie Faton Fazliu.

Nga LR-PDSH na sigurojnë se punohet në drejtim të afrimit të qëndrimeve.

“Ne si LR-PDSH, gjithmonë kemi qenë konkret, të hapur dhe transparent lidhur me këtë çështje, këtë e kemi dëshmuar edhe me konkretizimin e bashkëpunimit me RDK-në, ndërsa kemi interesim që të avancojmë edhe më tej bashkëpunimin opozitar”, tha për Portalb Agon Ferati, nënkryetar i LR-PDSH-së.

Sipas partisë Uniteti, ata që nga paraqitja në skenën politike kanë ndërtuar ura bashkëpunimi mes opozitës jashtë parlamentare shqiptare dhe komunikimi këtyre ditëve ka avancuar në drejtim të shqyrtimit të një draft platforme të përbashkët politike të partnerëve potencial të mundshëm.

“Platforma është e hapur për të gjitha partitë përveç BDI dhe PDSH. Partitë kanë formuar komisione adekuate për këtë çështje dhe besoj së shpejti do të shohim nëse është e mundur dalja me një listë të përbashkët në zgjedhje nga një koalicion shqiptar opozitar”, shprehet për Portalb sekretari i përgjithshëm i kësaj partieMuhamed Ismaili.

Faton Aliti, kryetar i PPD-së thotë se për këtë temë partia e tij ka qenë dhe do të jetë e hapur.

“Sa i përket mundësisë për bashkëpunimin e partive opozitare në këto zgjedhje të parakohshme, PPD-ja vlerëson se kjo është alternativa më përkatëse dhe për këtë kemi qenë dhe jemi të hapur. Kuptohet se për tu arritur ky bashkëpunim fillimisht duhet të ketë vullnet dhe të lihen anash kapriciet. Iniciativa të tilla ka, dhe ne nuk kemi hezituar deri tani, por as edhe në të ardhmen nuk do të hezitojmë të kontribuojmë në këtë drejtim”, tha Aliti për Portalb.

“Bashkëpunimi i opozitës shqiptare ka ndodhe tanimë që para më shume se një vjet i njohur me emrin ‘Aleanca për Shqiptarët’”, kështu mendon kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *