Saturday , November 17 2018

Basha thirrje shqiptarëve në Maqedoni: Votoni pro referendumit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një vizitë në Maqedoni ku u takua me të gjithë lidershipin shqiptar. Zhvillimi i referendumit në 30 Shtator ishte temë qendrore e bisedimeve të Bashes. Ai u prit nga kryetari i BDI-së  Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare  Menduh Thaçi, kryetari i Lëvizjes Besa,  Bilal Kasami, kryetari i Partisë Aleanca e Shqiptarëve,  Ziadin Sela, si dhe nga kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Në takimet me krerët e politikës shqiptare në Maqedoni, Basha vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për të votuar në referendumin e 30 shtatorit ç’ka do t’i hapë rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO por edhe të garantimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Prononcimi i plotë për mediat pas takimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

Ali Ahmeti: Kisha kënaqësinë të bëj një takim me mikun tim, kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, me ç’rast nga zemra me rrjedh që miqtë e vërtetë në ditë të rëndësishme takohen e bashkëbisedojnë kokë me kokë për zhvillime, aq më tepër në këto ditë të rëndësishme ku kryetari i PD-së së Shqipërisë na dha forcë e na inkurajoi për një proces shumë të rëndësishëm. E informova mbi organizimin tonë, mbi rrjedhën e zhvillimeve në vend. Në 30 shtator vendoset për paqen, për stabilitetin, për sigurinë. vendoset mbi ardhmërinë për vendin tonë.​

Është një moment historik që nuk përsëritet dhe tërësisht për këtë angazhim z Basha na dha përkrahjen e fortë që ne të vazhdojmë me përkushtim që vendi ynë të jetë anëtar i plotë në NATO, të jetë anëtar i plotë në Bashkimin Europian. dhe me 30 shtator vendoset jo vetëm për një Maqedoni stabile por për një rajon shumë më të sigurtë, si për popujt që jetojnë këtu ashtu edhe vendet rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj do doja ta falenderoja nga zemra mikun tim Lulzim Bashën për këtë përkrahje kaq të sinqertë që po u jep jo vetëm shqiptarëve por të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë sepse 30 shtatori është paqja, stabiliteti, siguria, ardhmëria, marrëdhënia me fqinjët, janë në dobi të të gjithëve dhe nga paqja fitojmë të gjithë. Ky ishte mesazhi që dha kryetari i Partisë Demokratike i cili na entuziazmoi dhe besoj se suksesi nuk do të mungojë i dashur z Basha.

Me 30 shtator nuk është një referendum i thjeshtë. Me 30 shtator nuk votohet thjeshtë për një marrëveshje të arritur mes dy vendeve ku zgjidhet një problem gjysëm shekullor. Me 30 shtator votohet për ardhmërinë e vendit tonë. Në 30 shtator votohet për më shumë paqe, stabilitet dhe siguri dhe kjo arrihet duke qënë anëtar në NATO dhe në BE. Kjo do të thotë se 30 shtatori është ditë historike për ne. Ditë e papërsëritshme.

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të vetëjdishëm se vendoset për faqet e tyre pavarësisht se kujt komuniteti dhe feje ata i takojnë. Ditë historike dhe asnjë nuk duhet të hezitojë por të dalin e të votojnë për të ardhmen e vendit tonë.

Lulzim Basha: Kam ardhur të ndaj me kënaqësi qendrimin e përbashkët të të gjithë forcave politike të shqiptarëve në Maqedoni. Liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, miku im Ali Ahmeti, e tha qartë dhe shkoqur. Mesazhi i tij, i cili rezonon sot anembanë Maqedonisë pranë qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, është mesazhi i stabilitetit, i paqes, i sigurisë dhe i të ardhmes së sigurtë të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj si anëtare e aleancës më të madhe më të fuqishme politike dhe ushtarake në botë, aleancës së NATO-s dhe si prolog i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Unë jam këtu që në emër të Partisë Demokratike të mbështes dhe të përgëzoj nga zemra përpjekjet e palodhura të lidershipit shqiptar, të z Ali Ahmeti, të kolegëve të tij, krah për krah edhe forcave të tjera politike të Maqedonisë që me 30 shtator të shënohet një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë por edhe për mbarë rajonin duke hedhur hapin vendimtar drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Partia Demokratike ka një porosi apo një këshillë, një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për bashkëkombasit tanë shqiptarë, të dalin masivisht e të marrin pjesë masivisht të gjithë në referendumin e 30 shtatorit dhe të hedhin votën e tyre për Maqedoninë në NATO dhe për të ardhmen e sigurtë euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë dhe mbarë rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.