Saturday , July 24 2021

As Grubi, as Alimi nuk kërkojnë falje për milionat që ka ndarë qeveria VMRO-BDI për Tarçullovskin

As Artan Grubi e as Ejup Halimi nuk e kanë vlerësuar të nevojshme të distancohen nga BDI-ja, për miliona eurot që gjatë pjesëmarrjes së partisë së tyre në pushtet janë ndarë për kriminelin e dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, Johan Tarçullovski. Ata kanë pasur sot një paraqitje ku kanë folur për autostradën Shkup-Bllacë, mirëpo asnjëri nuk kërkoi falje para Lubotenit për 9.5. milionë eurot që sipas BIRN qeveria ka ndarë për mbrojtjen e Boshkovskit dhe Tarçullovskit në Hagë, në periudhën 2006-2013.

Grubi dhe Alimi paralajmëruan ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-s që ndërlidhet me përbetimet, përkatësisht barazinë ekonomike dhe lidhjen infra-strukturore të territoreve të banuara kryesisht me shqiptarë. Në komunikatën e dërguar, nuk është përmendur asnjë afat se kur d të ndërtohet kjo autostradë, e as nuk jepet sqarim pse nuk është ndërtuar tani e 12 vite sa është BDI në pushtet.

Për këtë arsye, Gazeta Lajm ju paralajmëron se si duket bëhet fjalë për tentim për manipulim të opinionit shqiptar, sepse sipas informacioneve tona, realiteti është plotësisht në kundërshtim me atë që e thonë Grubi dhe Alimi. Informatat tona thonë se VMRO-DPMNE nuk ka pranuar që ndërtimi i kësaj autostrade të futet në buxhetin për vitin 2017 edhe pse në anën kosovare po punohet intensivisht për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Bllacë.

Informacionet e fundit që janë plasuar në mediume thonin se qeveria VMRO-BDI ka paraparë ndërtimin e “rrugës së shpejtë”, e jo të autostradës në aksin Shkup-Bllacë.

Dyshimet i shton edhe vetë deklarata e Grubit, i cili e ka ndërlidhë këtë projekt me politikat e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, kur dihet se projekti i premtuar nga Ahmeti për rrugën Tetovë-Prizren as që ka filluar ndonjëherë, e lëre më të realizohet. Por dyshime më të mëdha ngjallë fakti se as Grubi as Halimi nuk përmendin ndonjë grafë konkrete të buxhetit ku janë paraparë këto mjete. Në mungesë të këtyre argumenteve konkrete, ata kanë përdorë fraza të zbrazëta dhe të përgjithshme, për të mbuluar dështimin në realizimin e këtij projekti, të premtuar vite me radhë.

“Siç i rrëzuam kufinjt me Kosovën dhe Shqipërinë duke mënjanuar përdorimin e pasaportave dhe duke bërë të mundur kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime, sot po promovojmë projektin e bashkëngjitjes të autostradës Shkup-Bllacë-Prishtinë dhe lidhjen e saj me rrugën e Kombit”, deklaroi Grubi, duke harruar se rrugët nuk ndërtohen me fjalë boshe.

 

Pak më në nivel se Grubi, ishte bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 2, Ejup Alimi , i  cili deklaroi se realizimi i këtij projekti është prej një rëndësie të veçantë për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Maqedonisë.

 

“Autostrada Shkup-Bllacë ka një rëndësi të veçantë në krijimin e barazisë ekonomi dhe thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe vendeve fqinje. Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i investimeve në infrastrukturë i cili mund të quhet edhe investim për progres ekonomik të shqiptarëve”, deklaroi Alimi, por duke harruar se BDI tani tre mandate ka premtuar se do të jenë mandate të investimeve në infrastrukturë, por premtimet i ka realizuar në pjeën maqedonase.

 

Alimi gjithashtu përmendi edhe hapjen e pikës kufitare Bellanoc-Stançiç, përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër-Qafë Thanë, si dhe projektimin e autostradës Gostivar Kërçovë, por pa kërkuar falje që këto projekte nuk janë realizuar në afatin e paraparë.

 

I vetmi projekt që nuk e përmendën as Grubi as Halimi ishte vendkalimi Llojan-Miratoc, me siguri nga frika se do të ju replikojë plaku i Llojanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *