Wednesday , April 21 2021

Arrestimi i Kelmendit, MPJ i dërgon notë proteste Serbisë

Pasi që Gjykata e Beogradit i ka shqiptuar Hilmi Kelmendit 30 ditë paraburgim, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka nisur një notë proteste ndaj autoriteteve serbe.

Bashmir Xhemaj, zëdhënës i MPJ-së, i ka konfirmuar “Indeksonline” thotë se MPJ është duke e përcjellë rastin dhe se nota e protestës është dërguar.

“Kemi nisur një notë proteste ndaj autoriteteve të Serbisë dhe jemi në kontakt me autoritetet atje dhe me personat tjerë për ta përcjellë rastin. I kemi kërkuar mbështetje edhe vendeve në Bruksel edhe vendeve tona partnere”, është shprehur ai.

Kurse juristi Tomë Gashi, në anën tjetër, thotë se fletarrestet në bazë të të cilave Serbia po i arreston ish-pjesëtarët e UÇK-së janë politike dhe nëse ekziston dyshimi mbi këta persona për krime lufte, EULEX-i duhet t`i hapë rastet në Kosovë e të mos lejohet arrestimi i tyre në Serbi.

“Gjithmonë ka ekzistuar zyra ndërlidhëse mes UNMIK-ut me Serbinë me autoritetet juridike serbe dhe ka ekzistuar e ekziston zyra mes EULEX-it mes autoriteteve juridike serbe. Kështu që çdo institucion ndërkombëtar që në këtë rast është EULEX-i mund t`i marrë rastet e personave që mund të jenë të dyshuar dhe eventualisht të hapen rastet në Kosovë për qytetarët e Kosovës e jo që të lejohet që në dyshim të autoritetit të Serbisë të arrestohen në Serbi. Ata thjeshtë nëse duhet, duhet të arrestohen në Kosovë e jo në Serbi”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Gashi ka thënë se kur ishin në pyetje Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Agim Çeku, ishin ndërkombëtarët ata që i liruan, andaj edhe për këta civilë duhet të ndërmerren masa.

“Kur ata vet kanë qenë në pyetje si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Agim Çeku, gjithmonë ndërkombëtarët i kanë liruar dhe kështu duhet të kërkohet për këta civilë të thjeshtë të cilët pa marrë parasysh a kanë qenë ushtarë të UÇK-së apo jo, janë duke u trajtuar si të tillë dhe janë duke u trajtuar si terroristë në territorin e Serbisë”, ka shtuar tutje Gashi.

Sipas tij, këso lloj arrestimesh ka pasur që nga viti 1999 dhe do të vazhdojnë deri sa nuk bëhet trysni te ndërkombëtarët që fletarrestet për ish-pjesëtarët e UÇK-së të mos trajtohen nga ana e Serbisë.

Ndryshe, Hilmi Kelmendi nga Gjakova është personi i dytë që u arrestua nga autoritetet serbe, kurse Nehat Thaçi ishte arrestuar më 29 shtator deri sa po shkonte në Nish të Serbisë./Indeksonline

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *