Thursday , June 24 2021

ANALIZË DHE VLERËSIM I KOALICIONEVE DHE REZULTATET E TYRE ME KONKLUZIONE

VËREJTJE: Materiali përfaqëson mendim personal.
Unë si Kryetar i UNITETIT, në këtë drejtim
do të nagazhohem për realizimin e vendimeve
të organeve të partisë.

 

Shkruan: Gëzim Ostreni
Shoqëria në Republikën e Maqedonisë gjendet para zgjedhjeve të detyrueshme të parakohshme për të evituar kolapsin politik, i cili i kanoset shthurjes politike dhe mbretërimit të kaosit në të gjitha institucionet e shtetit, që kontribuon për rënien e qytetarëve në apati nga gjendja shoqërore ekonomike dhe sociale. Partitë politike duhet të jenë të vetëdijëshme se për rikthimin e Republikës të Maqedonisë në binarët e shpëtimit kombëtar, është i nevojshëm rikthimi i besueshmërisë së qytetarëve, se do të fillojë të funksionojë shteti ligjor, i cili e ka humbur terkun dhe funksionin e tij, duke ia lëshuar vendin mitës, korrupsionit dhe veprimeve tjera kriminale. Kjo është gjendje shumë serioze, që e dëshmon angazhimi i Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për të ndihmuar daljen e saj nga gjendja në të cilën është gjetur.
Meqë na presin zgjedhjet e parakohshme, është e nevojshme të bëhet një analizë e thuktë, sa më reale për të vlerësuar koalicionet, duke filluar që në vitin 1991 për të parë rezultatet e arritura, të cilat do të shërbenin për të ndërtuar qëndrim për mënyrën e pjesëmarrjes në koalicionet e mundshme.

1. Nocioni
Më parë duhet njohur nocionin e koalicionit, i cili definohet si lidhje e përkohshme mes shteteve në politikën e jashtme si dhe koalicionet në politikën e brendshme. Brenda shtetit, kjo shprehje përdoret në politikë dhe diçka më rrallë në ekonomi. Ky veprim është ndër më të rëndësishmit në politikë. Ndërtimi i koalicioneve, që zhvillohen në hapësirën parlamentare mes partive politike, por edhe në shoqërinë civile, në të cilën në mënyrë permanente krijohen dhe shpërbëhen koalicionet e interesit.
Politika është aftësi e të mundshmes, ndërsa për të krijuar partneritet politik, detyrimisht është e nevojshme gatishmëria për kompromise.
Koalicioni është lidhje e përkohshme e krijuar për të realizuar ndonjë qëllim ose për të ngritur aktivitete të përbashkëta. Në politikën e jashtme koalicioni ka rol tejet të rëndësishëm. Për këtë do ta përmendim si shembull vetëm koalicionin antifashist nën mburojën e të cilit u zhvillua Lufta e Dytë Botërore dhe u arrit fitorja. Ndërsa në politikën brenda shteteve, koalicioni i partive politike u mundëson bashkëpunim për t’i bashkuar resurset e tyre. Pra, të angazhojnë energji plotësuese dhe me koalicionin të bëhen më të fuqishme se sa do të ishin secila për vete për të marrë mandatin, ose për t’u bërë pjesë e qeverisë për qeverisjen e vendit.

2. Kushtet për koalicion
Për të pasur kuptim dhe për të qenë efikas, koalicioni duhet të plotësojë disa kushte:
E para, qëllimi i të gjithë pjesëmarrësve duhet të jetë i njëjtë ose në pajtueshmëri;
E dyta, të gjitha partitë e angazhuara në koalicion, doemos duhet të jenë të përfshira në mënyrë të barabartë dhe të realizojnë efekt të barabartë të veprimit brenda koalicionit, ndërsa leverditë nga bashkëpunimi në koalicion, patjetër të jenë më të mëdha nga dëmi që mund të pësojë partia dhe
E treta, gjatë bashkëpunimit në koalicion politik, është shumë e rëndësishme që partneri i koalicionit të mos e humb identitetin e vet. Të mos heq dorë nga vlerat kyçe të Programit Politik të cilat diskutohen dhe koalicioni të mos mbarojë me atë që partnerit më të madh të koalicionit t’ia “dorëzojë” trupin e vet politik – votuesit e vet.
Për dallim nga koalicionet në shoqërinë civile, të cilat insistojnë të jenë sa më të zgjeruara, për të treguar se përfaqësojnë interesat e një numri sa më të madh të veprimtarëve, koalicionet e partive politike janë më racionale, ato janë “minimale”.
Në politikë koalicioni bëhet për t’u vendosur shumicë politike. Koalicioni i partive politike, të cilat mund ta fitojnë mbi gjysmën e shumicës në Parlament, zakonisht nuk janë me strukturë të fortë, por janë më shumë lëvizje sesa parti në kuptim tradicional. Këto lëvizje nga “brenda” janë koalicione të veçanta të afërta me grupet ideologjike. Në politikë ka raste kur është e domosdoshme të ndërtohet “koalicion i koncentruar” ose i “zgjeruar”, i “madh”. Këto lloj koalicionesh janë të dëshirueshme vetëm në momentet kyçe, në kohën e ndërtimit të shtetit ose kërcënimit nga lufta, ngase atëherë bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave, të cilat janë mbi interesat partiake ose për interesa botërore në nivel të politikës ndërkombëtare siç u përmend, koalicioni antifashist ose koalicioni kundër Sadam Huseinit, etj. I tillë ishte edhe koalicioni i zgjeruar në Republikën e Maqedonisë i krijuar në vitin 2001, nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s, për të përfunduar luftën e UÇK-së. Qeveria e koalicionit të madh, pra, koalicioni i madh, i cili e formoi Qeverinë e Maqedonisë me pjesëmarrje të të gjitha partive politike parlamentare, të cilat e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit dhe i votuan ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë në pajtim me këtë Marrëeshje. Në të gjitha kushtet tjera është me rëndësi të vendoset koalicion, i cili do të ishte sa më shumë në pajtueshmëri, sa më i qëndrueshëm dhe me kohëzgjatje sa më të madhe. Partnerët e koalicionit gjithmonë bëjnë “pazare” mes veti, bëjnë lëshime të ndërsjella dhe gjatë kësaj heqin dorë nga disa prioritete të tyre.
Nëse koalicioni gjatë realizimit në praktikë nuk gëzon pajtueshmëri të programeve politike të partive ose liderëve, vlera e koalicionit shpejt i anashkalon leverditë që ajo i sjell. Partnerët për ta ruajtur shumicën në parlament, detyrohen që për leverdi të qëndrimeve të partnerit, të heqin dorë nga një pjesë shumë e madhe e prioriteteve të tyre politike dhe njëkohësisht në mënyrë të ndërsjellë bllokojnë çdo ide reformuese, e cila vjen nga ana e partnerit. Nëse partnerët e koalicionit nuk kanë pajtueshmëri të programeve, sigurisht që rezultati i qeverisjes së tyre të përbashkët do të jetë bllokada e përhershme, amullia ose prapambetja, që për pasojë do ta ketë dorëheqjen nga trupi politik i alternativës qeverisëse ose transformimi në vasal politik për të siguruar leverdi personale dhe grupore siç ndodhi me Bashkimin Demokratik për Integrim.
Përvoja flet se kampanja parazgjedhore gjithmonë ka filluar, por edhe tani fillon më së paku gjashtë muaj para shpalljes të zgjedhjeve, siç është tani rasti me partnerët e koalicionit qeveritar aktual VMRO – BDI, ngase këto parti përsëri do të marrin pjesë në zgjedhjet, ato insistojnë që sa më tepër ta përmirësojnë imazhin e tyre të dëmtuar deri në palcë, duke i shfrytëzuar pa pengesa kapacitetet e resurseve të pushtetit për organizimin e “para-kampanjës”.
Aktiviteti për grupime politike i shprehur përmes koalicioneve tash po përshpejtohet, për arsye se gjendja aktuale në Maqedoni e ka imponuar ndarjen e rreptë dhe agresive, duke përfshi opozitën e fortë maqedonase dhe partitë shqiptare jashtëparlamentare, që shpie në luftë kundër bllokut qeveritar aktual të korruptuar dhe mitëmarrës.
Partitë maqedonase në pozitë dhe opozitë janë në përplasje të jashtëzakonshme për të rikthyer Maqedoninë në binarët e demokracisë dhe zhvillimin e sajë në atë drejtim. Kohën e fundit vërehen ndryshime të mëdha brenda LSDM-së, e cila pretendon të shndërohet në parti qytetare me përbërje shumënacionale, duke u përpjekur që në radhët e sajë t’i përfshij edhe shqiptarët. Ky është proces i njohur që përsëritet në marrëdhëniet ndërnacionale mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i bazuar ekskluzivisht në nevojën e partive maqedonase ose grupeve patriotike, të cilat i ftojnë shqiptarët për veprim të përbashkët brenda një partie për zgjidhjen e problemeve të Maqedonisë dhe pas arritjes së qëllimeve të tyre, i flakin jasht nga shteti, të cilin së bashku e kanë krijuar, duke i shpërngulur, burgosur e vrarë, siç ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Bortërore me Partinë Komuniste të Jugosllavisë – Maqedonisë, pasardhëse e të cilës është LSDM-ja. Nga kjo arsye, në këtë nivel të zhvillimit të marrëdhënieve ndërnacionale, individët – anëtarë të saj duhet pasur kujdes se ku e shpiejnë popullin shqiptar.
Sa u përket partive shqiptare jashtëparlamentare, ato nuk duhet të kultivojnë vetëm qëndrimin se duhet korrur fitore në zgjedhjet vetëm kundër BDI-së si pjesë e koalicionit qeveritar aktual të komprometuar.
Nëse vazhdojmë me vlerësimin e këtij qëndrimi, arrijmë të konstatojmë se BDI-ja pa tjetër duhet të zhduket nga pozicioni qeverisës, ngase është shndërruar në parazit në kurrizin e qytetarit dhe është shndërruar në vasal të VMRO DPMNE-së. Por shtrohet pyetja: Cili do të jetë rezulltati nëse VMRO DPMNE-ja do të fitonte në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare dhe nuk do ta humbte pushtetin? Çka do t’u ndodhte partive shqiptare jashtëparlamentare? A do të mundeshin ato të realizojnë premtimet e shpallura në programet e tyre afatgjate dhe zgjedhore?
BDI-ja në këtë rast, përfaqëson vetëm 25 për qind të qeverisë të keqe të udhëhequr nga kryeministri diktator, Nikolla Gruevski, i cili përpiqet ta zgjas jetën e tij politike, duke u përpjekur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parakohshme me afro 20 partitë e koalicionit të tij të fitojë VMRO DPMNE-ja, ndoshta për të qenë i sigurt, e mbështetur edhe nga BDI-ja. Kështu, nëse në këto zgjedhje nuk veprohet për humbjen politike të VMRO DPMNE-së, atëherë partitë shqiptare jashtëparlamentare edhe po të formojnë koalicion të përbashkët, përsëri do të ngelin në gjendjen e tanishme edhe sikur të fitojnë 30 deputetë në Parlament në krahasim me 93 deputetët maqedonas e të tjerë. Në këtë mënyrë, koalicioni i partive shqiptare jashtëparlamentare do të jep sinjalin se shqiptarët po organizohen vetëm për të hy në qeveri, duke e zëvendësuar BDI-në dhe se do të vazhdojnë të bëjnë probleme kundër shtetit, të cilat në vend që të shpjegohen si përpjekje për demokratizimin e mëtutjeshëm të Republikës të Maqedonisë, gjë që do të ishte me leverdi për të gjithë qytetarët, do të propagandohej si problem i madh për shpërbërjen e Maqedonisë, ndarjen e saj, shkak ky për t’u bashkuar forcat politike maqedonase në një koalicion nën hije siç u bë ndërmjet VMRO-së dhe LSDM-së në Strugë e gjetiu, për t’i penguar shqiptarët për arritjen e qëllimeve të tyre. Në këtë rast mënyra e vetme për ta hequr nga pushteti BDI-në është përpjekja për t’i shmangur që të dy partitë e koalicionit qeveritar nga pushteti, VMRO-në dhe BDI-në.
Një gjë e tillë mund të arrihet nëse përveç koalicionit mes partive shqiptare të mbështetet edhe koalicioni opozitar maqedonas, me kusht që t’i pranojë kërkesat e bllokut të koalicionit për barazi të plotë të shqiptarëve me maqedonasit. Kjo formë e organizimit parazgjedhor krijon kushte për marrjen e mandatit për krijimin e qeverisë me pjesëmarrje të partive shqiptare dhe krijohen kushte për ndryshime në Kushtetutën e Republikës të Maqedonisë. Në këtë mënyrë do të definohej edhe blloku politik që do të ishte garanci për funksionimin e shtetit qytetar me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Ky bllok politik do t’i fitonte edhe zgjedhjet e ardhshme komunale dhe ato presidenciale, pa dallim nëse presidenti do të zgjidhet nga populli ose në Kuvendin e Republikës të Maqedonisë.
Pozicionet nismëtare të partive në pushtet në gara për zgjedhjet parlamentare me partitë opozitare, sidomos të partive jashtëparlamentare, janë të ndryshme në arenën parazgjedhore.
Partitë parlamentare në pozitë, meqë nuk treguan rezultate në mandatet e kaluara dhe, edhe ato rezultate që i arritën i dogji zjarri i krijuar nga “shpërthimi i bombave” të opozitës maqedonase LSDM-së, thjeshtë hyjnë në arenë, e cila nuk është konkurruese në garën, në kuptim të drejtë të fjalës. VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk janë në pozitë, e cila premton zhvillime për të mbajtur shpresë. Një pjesë e madhe e votuesve pret zgjidhjen e çështjeve të komplikuara të mitës, korrupsionit dhe veprimeve tjera kriminale përmes Prokurorisë Speciale, të cilës i nevojitet edhe mbështetje adekuate gjyqësore për të nxjerrë në dukje dhe për të vendosur masa të drejtësisë për izolimin dhe riedukimin e bartësve të veprave të rënda penale. Gjendja e këtillë nuk duhet të na mashtrojë. Pluralizmi politik do të vazhdojë të funksionojë. VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja përpiqen të riorganizohen dhe në gjendje të përpjekjeve për të ruajtur pasurinë e grumbulluar do të bëjnë të pamundurën për të fituar në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, që premtojnë shpëtim nga përgjegjësia për liderët e partive, mitëmarrësit dhe të korruptuarit tjerë. Ky konkluzion përcillet edhe me kërcënime nga “popullistët” se populli do të vendos se kush zotëron këtu dhe se pas fitores diktatori Gruevski, “me shkelma do t’i nxjerrë jashtë Katicat” dhe të tjerët-ndërkombëtarët, të cilët punojnë për ta kuruar Maqedoninë.
Gjatë këtij vlerësimi del në dukje edhe kapaciteti i resurseve, të cilat janë në shërbime dhe funksione të ndryshme. BDI-ja duke u shndërruar në teknokraci sinjalizon se mbështetet në punën dhe aktivitetin e mijëra anëtarëve të saj të punësuar, në resurset qeveritare si dhe në personat e pranuar në administratë dhe me këto kalkulon në fitore.
Partitë politike jashtëparlamentare, nuk guxojnë të gabojnë në vlerësimet e veta. Ato duhet të sigurojnë që, duke u marrë me pastrimin e llogarive mes veti, të mos krijojnë hapësirë të lirë ku do të vepronin dhe manipulonin VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja me të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, përfshirë edhe votuesit, për ta mundur opozitën maqedonase dhe ta ruaj gjendjen aktuale të keqe. Kështu në vend të dialogut dhe marrëveshjes mes partive opozitare, përfshirë edhe ato maqedonase, arena parazgjedhore lehtë mund të shndërrohet në gara të sfiduesve, çka partive qeveritare aktuale, të cilat nga funksioni hyjnë në arenë, mund t’ua mundësonte fitoren e mandatit që në rundin e parë të zgjedhjeve. Nga këto arsye dhe shumë të tjera, duke analizuar gjendjen e cila sot mbretëron në Maqedoni, logjika flet se është më se i nevojshëm krijimi i bllokut të koalicionit parazgjedhor sa më të gjerë për fitore në zgjedhjet parlamentare të parakohshme kundër partive qeveritare VMRO – BDI dhe satelitëve të mundshëm. Çmimi i humbjes të partive opozitare dhe jashtëparlamentare shqiptare në zgjedhjet do të ishte tepër i lartë për shumë kohë.
Pozicioni i LSDM-së është premtues për fitoren e saj në zgjedhjet e parakohshme Parlamentare. Por, lideri i saj vazhdon të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve nën vellon e ndërtimit të shtetit qytetar. Ai këtë e proklamon në të gjitha shfaqjet e tij para opinionit publik në të gjitha format. Disa nga mjetet e informimit, duke dashur që kjo me të vërtetë të ndodhë, e mbështesin duke afirmuar metaforën se “në këto protesta, rrugët flitnin edhe shqip. Në to valëvitej edhe flamuri shqiptar. Rinia studentore mbështet bashkëjetesën” etj. Nga puna e investuar shihet se bëhen përpjekje për të tërhequr aktorë të ri, para së gjithash shqiptarë, të cilët do ta mbështesnin politikën e tij. Ky veprim kërkon analizë shkencore për të arritur te konkluzioni i saktë: nëse lideri i partisë LSDM dëshiron të plotësojë partinë e tij edhe me shqiptarë me qëllim të ngritjes së numrit të votave dhe të mbaron me kaq, apo dëshiron me të vërtetë ta demokratizojë Maqedoninë dhe ta vendos në binarët e shtetit qytetar, që do të ishte diçka që shqiptarët e dëshirojnë.
Të analizojmë se çka është e mirë për shqiptarët dhe të tjerët në Maqedoni:
Së pari, nëse shqiptarët si individë anëtarësohen në LSDM, ata do të shpërndahen si pikat e shiut në tërë Maqedoninë dhe nuk do të përfaqësojnë agregat energjie shoqërore-politike për ta lëvizur rrotën e demokracisë drejt sigurimit të lirive dhe të drejtave themelore të tyre me ndryshimet të cilat duhet bërë në Kushtetutë. Kësi farë partie, siç u përmend, funksiononte në Maqedoni, Lidhja Komuniste e Maqedonisë, e cila u soll mos më keq me shqiptarët. Në një përzierje të këtillë pa garanci që mund ta frenojë vullnetin e keq të politikanëve maqedonas në të ardhmen siç ndodhi me abrogimin e Kushtetutës të vitit 1974, do të përsëritej ajo që ndodhte me shqiptarët në Jugosllavi e Maqedoni para dhe pas kësaj, gjatë tërë shekullit XX, gjatë të cilit ato iu nënshtruan torturës, burgosjes dhe vrasjeve nga pushteti.
E dyta, çka do të ndodh nëse shqiptarët janë të shpërndarë dhe përfaqësojnë vetëm individë në partinë LSDM dhe në zgjedhjet fiton VMRO DPMNE-ja, ndërsa shqiptarët kanë humbur një pjesë të forcës së tyre politike të pavarur?
E treta, nëse shqiptarët në mënyrë të organizuar përmes partive i qasen marrëveshjes për koalicion parazgjedhor me garanci se së bashku me LSDM-në do të veprojnë për realizimin e programit politik zgjedhor të përbashkët dhe në këtë platformë kontribuojnë për fitoren e mandatit me lista të përbashkëta dhe në këtë rast partitë shqiptare janë garanci se kërkesat e shqiptarëve do të plotësohen, në të kundërtën deputetët e partive shqiptare të koalicionit nuk e mbështesin koalicionin dhe e bëjnë të pa mundur punën e koalicionit në Kuvendin e Republikës, kështu që partia maqedonase në mungesë të suksesit në punën e Kuvendit, do t’i humb zgjedhjet e ardhshme, diçka që ajo nuk mund ta lejojë. Në këtë formë të organizimit nuk do të ketë mundësi që partia tjetër maqedonase ta ndihmojë partinë maqedonase në pushtet, ngase ajo si opozitë tenton të fitojë të gjitha zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë zgjidhje ekziston vetëm një rrezik, e ai mund të paraqitet nëse ndonjëra nga partitë shqiptare, do të vazhdonte ta mbështesë partnerin maqedonas të koalicionit pas bllokimit nga partitë shqiptare të koalicionit, siç ndodh me mbështetjen aktuale të VMRO DPMNE-së nga BDI-ja.

3. Përvoja nga koalicionet në retrospektivë
Përgatitjet për zhvillimin e demokracisë pluraliste në Maqedoni filluan me sjelljen e Ligjit për partitë politike, i cili mundësoi qasjen e Maqedonisë radhëve të reja të demokracisë evropiane. Ky Ligj mundësoi që në vitin 1990 në Maqedoni, të organizohen zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe lokale.
3.1. Zgjedhjet pluraliste në Maqedoni
3.1.1. Zgjedhjet lokale
Zgjedhjet e para për pushtetin vendor, u mbajtën më 11 nëntor 1990 njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare. Ato u zhvilluan në 34 komuna, sipas ndarjes territoriale të Maqedonisë në atë kohë. Ndërsa më 17 nëntor 1996, pas riorganizimit politik lokal me Ligjin e ri për ndarjen territoriale të Maqedonisë, në 124 komuna, u realizuan zgjedhjet e dyta lokale, në të cilat këshillat komunale u zgjodhën sipas modelit zgjedhor proporcional, ndërsa zgjedhja e kryetarëve të komunave u bë sipas metodës së shumicës. Numri më i madh i komunave i takonte partisë Lidhja Socialdemokrate.
Në zgjedhjet e treta lokale kishte më shumë se një parti shqiptare dhe të gjitha ishin në kundërshtim me njëra tjetrën. Në këto zgjedhje në vitin 2000, në mungesë të koalicionit shpërtheu dhuna mes partive shqiptare, e cila e arriti kulmin me vrasjen e një të riu shqiptar. Kjo kontribuoi që dalja në zgjedhje të mbetet në shkallë të ulët, më pak se 30 për qind.
3.2. Zgjedhjet parlamentare
Siç u përmend, zgjedhjet parlamentare u mbajtën në të njëjtën kohë me ato lokale. Më 11 nëntor 1990 dhe më 8 janar të vitit 1991 u konsolidua Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Zgjedhjet u zhvilluan në dy raunde votimi.
Që në këto zgjedhje fillon manipulimi me listat zgjedhore për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, të cilat kishin dallim mes tyre për 159.632 votues.

3.3. Qeveri eksperte
Pas konsolidimit të Kuvendit, më 20 mars të vitit 1991, për shkak të rezultateve të balancuara të arritura në zgjedhjet, që nuk garantonin mbështetje të fortë për një parti politike, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë eksperte të Maqedonisë.
Në këto kushte PPD-ja mori pjesë në qeverinë eksperte ndërsa më vonë, për herë të parë edhe në atë të koalicionit pas zgjedhor në krye me Branko Cërvenkovskin me disa ministra, të cilët i plotësonin kushtet “morale dhe politike” të kritereve maqedonase.
Koalicioni nuk ishte vetëm kërkesë e PPD-së, por edhe nevojë e PKM PTD maqedonase si dhe traditë e shkollës jugosllave për të reflektuar, sipas kritereve ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e shqiptarëve në pushtetin e ri “demokratik” që po krijohej. Kjo kishte suksesin e saj që u shpreh me vlerësimin pozitiv ndërkombëtar të Kushtetutës të vitit 1991 dhe dështimin e politikës së PPD-së për artikulimin e kërkesave të shqiptarëve. Ajo nuk arriti të definojë dhe të përcaktohet për njërin nga konceptet, për atë të autonomisë së shqiptarëve në Maqedoni ose për Maqedoninë si shtet qytetar, ku edhe bashkësitë etnike do të ishin të barabarta, duke u bërë pjesë konstitucionale e shtetit në Maqedoni.
Veprimi politik që u përshkrua lidhur me koalicionin PPD – PKM PTD është rast që duhet marrë parasysh, ngase udhëheqësit politik dhe ato të shtetit të Maqedonisë, gjatë historisë kur kanë vështirësi gjithmonë i thërrasin shqiptarët për të zgjidhur vështirësitë dhe posa ato kalojnë, atëherë përsëri i flakin jashtë nga sistemi. Kjo përvojë e përjetuar gjatë gjithë shekullit XX, e cila ka tendencë të vazhdojë edhe gjatë shekullit XXI duhet pasur aktualisht parasysh prandaj hapat gjatë bashkëpunimit duhet hedhur me kujdes.
3.4. Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale tetor-nëntor 1994
Më 9 shtator 1994, u shpallën zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Rrethi i parë i zgjedhjeve filloi me 16 tetor, ndërsa pjesa tjetër u zgjodh pas raundit të dytë zgjedhor.
Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare: Partia për Prosperitet Demokratik fitoi 12 deputetë, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve në Maqedoni (PDSH) me 4 deputetë, Partia Popullore Demokratike me 2 deputetë , Lidhja Demokratike e Shqiptarëve – Partia Liberale me 1 deputet, Koalicioni PPDSH-PDP me 1 deputet, gjithsej 20 deputetë.
Në qeverinë që u formua, nga 19 ministra vetëm 4 ishin shqiptarë dhe nga ata njëri pa resor, që do të thotë se vetëm 3 ministra udhëhiqnin me ministri.
Brenda kohës u shtuan mospajtimet ndërmjet partive që përbënin shumicën. Disa deputetë të pavarur u kyçën në partitë e reja, ndërsa Partia Liberale e Maqedonisë në muajin shkurt të vitit 1996 u largua nga koalicioni “Lidhja për Maqedoninë” dhe me këtë edhe nga Koalicioni Parlamentar dhe kaloi në opozitë. Shumica maqedonase në koalicion me PPD-në vazhdonte të ketë numrin e nevojshëm të deputetëve për të dominuar në Kuvend.
3.1.5. Zgjedhjet presidenciale
Në zgjedhjet presidenciale, partitë politike shqiptare, në veçanti PPD-ja nuk paraqiti kandidat shqiptar, ashtu që në këtë rast hyri në koalicion të heshtur parazgjedhor, për të mos ia rrezikuar fitoren Kiro Gligorovit, i cili që në raundin e pare fitoi 52.44 për qind të votave.
Gjatë mandatit të parë dhe të dytë PPD-ja nuk arriti të realizojë gati asgjë nga programi i saj politik. Ishte koha kur shtypja e shqiptarëve dhe persekutimi arrinte kulmin. PPD-ja vepronte në mënyrë jashtë institucionale, hapte shkolla të mesme, për ta evituar gjendjen e krijuar me paralelet e përziera, u formua Universiteti i Tetovës, u bënë përpjekje për shpalljen e “Iliridës” etj. Por, asgjë nga këto përpjekje deri sa PPD-ja ishte në pushtet nuk u institucionalizua.
Siç shihet VMRO – DPMNE-ja në këtë kohë nuk është në pushtet. Ajo nuk ka mundësi të veprojë praktikisht kundër shqiptarëve, por ajo flet, i akuzon dhe premton se do të jetë e ashpër kundër shqiptarëve. Flet për dëbimin e tyre nga Maqedonia, “se shqiptari i vdekur është shqiptar i mire”, kërkojnë “dhoma gazi për shqiptarët”, nuk do ta lejojë përdorimin e gjuhës shqipe, simboleve kombëtare dhe shumë të tjera.
Këto qëndrime ishin të kahmotshme në programin politik afatgjatë dhe zgjedhor të LSDM-së – Komunistëve të vjetër, të cilët që nga para Çubrilloviqit i vazhdonin masakrat kundër shqiptarëve, shpërnguljet, presionet nga më të ndryshmet e deri te ndodhitë në Gostivar në vitin 1997 dhe më pas deri në zgjedhjet e vitit 1998 kur e humbën pushtetin. Kjo parti e organizuar në pushtet vriste dhe vrau deri në vitin 1998, ndërsa partia VMRO-DPMNE nuk pati mundësi të vrasë, ajo më shumë bënte veprime verbale, që ndikoi për të ashpërsuar dhe tendosur gjendjen kundër shqiptarëve, krijoi kushte për gara me LSDM-në për të provuar se kush do të jetë më i ashpër ndaj shqiptarëve, gjendje kjo që nxehej më së shumti në fushatat zgjedhore.
Në këto kushte arritën zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Në këtë kohë duhet përmendur ndryshimet e reja ligjore të sjella me pajtim të të gjithë partive politike, përfshirë edhe ato shqiptare.
Në këtë pako ligjesh, vend qendror zë ligji i ri për zgjedhjen e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në të cilin risi ishte përcaktimi për model të kombinuar të zgjedhjeve. Sipas tij 85 deputetë u zgjodhën sipas parimit të shumicës në 85 njësi zgjedhore, në të cilat ishte organizuar pushteti, në përputhje me elektoratin, ndërsa 35 deputetë u zgjodhën sipas parimit proporcional, ku territori i shtetit paraqet një tërësi dhe këto u zhvilluan vetëm në një raund.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 18 tetor, ndërsa raundi i dytë që zhvillohej sipas parimit të shumicës u mbajt më 1 nëntor 1998.
Në zgjedhjet fitoi Koalicioni “për ndryshime” i VMRO-DPMNE-së dhe i Alternativës Demokratike me 62 deputetë.
Në këto zgjedhje morën pjesë edhe dy partitë shqiptare, të cilat as që provuan të formojnë koalicion dhe arritën që Partia për Prosperitet Demokratik të ketë 13 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare 11 deputetë, ose gjithsej 24 deputetë shqiptarë të ndarë në pozitë dhe opozitë.
Në këto kushte, edhe pse PPD-ja kishte fituar 13 deputetë, VMRO-DPMNE dhe Alternativa Demokratike e mori në koalicion pas zgjedhor PDSH-në.
Koalicioni VMRO-DPMNE, Alternativa Demokratike dhe Partia Demokratike Shqiptare e formuan Qeverinë në krye me Lubço Georgievskin, në kabinetin e të cilit kishte 13 ministra të VMRO-DPMNE-së, 8 nga Alternativa Demokratike dhe 5 nga Partia Demokratike Shqiptare, nga të cilët vetëm dy prej tyre udhëhiqnin ministri të Qeverisë, ndërsa tre prej tyre ishin ministra pa resor. Kjo është shkalla më e ulët e pjesëmarrjes së shqiptarëve në qeverinë maqedonase si rezultat i koalicionit pas zgjedhor që nga viti 1991 e deri në vitin 2001.
Në vitin 1999 u organizuan zgjedhjet presidenciale, në të cilat për kryetar të Republikës së Maqedonisë u zgjodh Boris Trajkovski.
Në kohën e Qeverisjes të këtij koalicioni në Republikën e Maqedonisë, në vitin 2001, shpërtheu lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila për të krijuar kushte për plotësimin e kërkesave të UÇK-së, lidhur me nevojën për nënshkrimin e Marrëveshjes të Ohrit dhe ndryshimin e Kushtetutës, e imponoi riformimin e Qeverisë në Qeveri të koalicionit të gjerë, për shpëtimin e Maqedonisë, në të cilën bënin pjesë të gjitha partitë politike parlamentare.

4. Çka fitojnë dhe çka humbin shqiptarët me koalicionet

4.1. Çka fiton një parti shqiptare nëse vetë merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme?
Nëse një parti shqiptare merr pjesë në zgjedhjet çfarëdo lloji qofshin ato, parlamentare, presidenciale, ose lokale, do të ballafaqohet jo vetëm me koalicionet maqedonase, por edhe më ashpër me partitë shqiptare pjesëmarrëse në zgjedhjet, siç ndodhë gjithmonë.
Në rastet e zgjedhjeve parlamentare, pas zgjedhjeve, meqë njëra nga partitë sipas traditës të krijuar për të respektuar vullnetin e shumicës të shprehur për mes votës të shqiptarëve, do të bëhet parti në pozitë, duke hyrë në koalicion me partinë maqedonase që do ta fitojë mandatin, partitë shqiptare do të ishin të ndara në pozitë dhe opozitë dhe do të vazhdonin të përplaseshin mes veti gjatë punës në parlament, pra do të flisnin, ndërsa “karvani” i partive maqedonase do të vazhdonte të ec, duke realizuar programin e tyre zgjedhor, siç ndodhte deri tani.
Një gjë e tillë do ta keqësonte edhe më tepër gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni në të gjitha aspektet, ngase partia, e cila do të hynte në pushtet në kushte ideale do të kishte 1/3 e deputetëve shqiptarë, që nuk do të përfaqësonte asfare agregati të energjisë politike, e cila do të amortizohej edhe më tepër nga përplasjet me opozitën shqiptare në parlament për çdo çështje, që do të ishte në rend të ditës për zgjidhje, kështu që do të zhvillohej një luftë e ashpër vetëm mes tyre, duke i lënë rahat blloqet politike maqedonase ta zhvillojnë punën, pa pasur pengesa nga kërkesat e shqiptarëve, për t’i detyruar që të bëjnë diçka në këtë drejtim.
4.2. Çka fiton koalicioni i partive shqiptare jashtëparlamentare nëse formohet, në koalicion pas zgjedhjeve me një parti ose koalicion maqedonas?
Analiza dhe vlerësimi retrospektiv i veprimeve gjatë krijimit të koalicioneve të partive shqiptare që u parashtrua, tregon se janë zhvilluar koalicione pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat nuk ishin të frytshme, ngase janë koalicione, të cilat nuk kontribuojnë për marrjen e mandatit që do të ishte kusht për nënshkrimin e marrëveshjeve para zgjedhjeve, lidhur me realizimin e përcaktimeve politike të partive shqiptare në programet zgjedhore.
Koalicionet e formuara pas zgjedhjeve nuk mund të jenë të frytshme, nga shkaku se partia, e cila e ka fituar mandatin gjithmonë ka kushte të krijojë koalicion me çdo parti tjetër të vogël të interesuar për të hy në qeveri për interesa personale ose grupore, me çka do të krijonte kushte të sigurta për miratimin e ligjeve dhe dokumenteve tjera në parlament. Kështu që koalicioni pas zgjedhjeve është i pavlerë, sikurse jep shembull koalicioni aktual VMRO DPMNE – BDI .
Koalicioni i partive shqiptare jashtëparlamentare, në gjendjen aktuale, vlerësohet se mund të fitojë më së shumti 30 deputetë në relacion me 93 të tjerë, të cilët do t’u takonin koalicioneve të pozitës dhe opozitës të udhëhequr nga partitë maqedonase. Kështu, pa koalicion parazgjedhor me ndonjë parti ose koalicion nga kampi maqedonas, do të ishte vetëm përpjekje për ta zëvendësuar BDI-në në pjesëmarrjen në pushtet dhe me arritjen e këtij statusi do të bëhej vetëm një ndryshim i partnerit të koalicionit me VMRO-në, e cila do të ndiqte rrugën e mosrespektimit të partisë ose partive shqiptare në koalicionin e ri. Gjendja politike do të ashpërsohej edhe më tepër ashtu që partneri i koalicionit shqiptar do të detyrohej të kalojë në opozitë dhe të vazhdojë me veprime jashtëparlamentare për të treguar se po bën përpjekje për realizimin e programit zgjedhor për të mos e humbur elektoratin, ose do të shndërrohej në poltron të partisë së koalicionit.
Në kushte të tilla, partitë – koalicionet maqedonase do të bënin edhe koalicione të fshehta në të gjitha nivelet dhe në të gjitha zgjedhjet tjera presidenciale dhe lokale për t’i mbivotuar partitë shqiptare. Në një relacion të shprehur me numra votash 30 kundër 93 votave kundërshtare nuk mund të fitohet asgjë.

4.2.1. Çka mund të fitojë koalicioni i partive jashtëparlamentare shqiptare

Nëse është në koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase
Nëse një parti shqiptare me marrëveshje paraprake për realizimin e programit zgjedhor bën koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase, partitë tjera do ta kritikonin për tradhti kombëtare dhe do të provonin që liderit të saj dhe udhëheqësve të tjerë t’u ngjeshin edhe të paqenat për t’ua ulur vlerat kombëtare dhe morale të tyre e së bashku me to edhe të partisë. Por, nëse partitë shqiptare më parë bëjnë koalicion mes tyre dhe pastaj hyjnë në koalicion me ndonjë parti maqedonase me marrëveshje paraprake për realizimin e kërkesave që u përmendën më sipër, atëherë kjo luftë mes shqiptarëve do të evitohej dhe do të mundësonte fitore në zgjedhjet parlamentare dhe më pas edhe në ato komunale dhe presidenciale.
Për ta vërtetuar këtë, do ta marrim për shembull koalicionin e zgjeruar parlamentar dhe qeverinë e atij koalicioni që u përmend më sipër, i cili u krijua nga partitë në pozitë dhe opozitë nën ndikimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001, për ta bërë të mundur arritjen e Marrëveshjes së Ohrit për ndryshime në Kushtetutë, që mbaroi me sukses.
Gjendja politike dhe e sigurisë në Maqedoni, nga problemet tani më të njohura, është aq fort e tendosur, saqë kanoset të shndërrohet në përplasje ndërmjet qytetarëve maqedonas përmes partive në pozitë dhe opozitë, që do të provokonte edhe përfshirjen e qytetarëve shqiptarë.
Meqë nga partitë politike në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-të u vlerësua se rrugëdalja nga kjo gjendje kaotike mund të arrihet me Marrëveshjen e Përzhinos, e cila për dalje nga kriza e krijuar, mes tjerash, sanksionoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas krijimit të kushteve për zgjedhje fer, të lira dhe demokratike, është e domosdoshme që Qeveria e koalicionit aktual VMRO DPMNE – BDI, të humb në këto zgjedhje për t’u flakur nga pushteti në mënyrë demokratike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Për ta flakur këtë qeveri në mënyrë demokratike përmes zgjedhjeve, partitë politike opozitare maqedonase duhet të jenë të sigurta se do ta marrin mandatin për krijimin e një qeverie të re, çka e imponon formimin e një koalicioni të zgjeruar së bashku me partitë jashtëparlamentare shqiptare, nëse ato do të ishin pajtuar me këtë zgjidhje.
Veprimet e deritanishme të LSDM-së dhe liderit të saj tregojnë se ata janë të shqetësuar për fitoren e tyre në zgjedhjet parlamentare kundër VMRO DPMNE-së dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese kur vlerësohet se VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja mund të hyjnë në koalicion parazgjedhor, për të krijuar kushte të sigurta për të marrë mandatin për formimin sërish të qeverisë të koalicionit të tyre, të detyruara nga nevoja për t’u shpëtuar përgjegjësive për veprat penale të kryera gjatë qeverisjes, çka vërtetohet me angazhimin e gjithanshëm të forcave të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për pengimin e punës së Prokurorisë Speciale.
Fitorja e VMRO DPMNE-së në këto zgjedhje me ose pa BDI-në, nënkupton pjesëmarrjen e domosdoshme të BDI-së në koalicionin pas zgjedhjeve. Pra, rivendosjen e të njëjtës qeveri kriminale, që do të përfaqësonte humbje të madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Nga këto arsye, për të evituar zhvillimin e situatës në këtë drejtim është i nevojshëm koalicioni i zgjeruar në përbërje të partive shqiptare dhe maqedonase të opozitës, për marrjen e mandatit dhe zgjerimin e mëtutjeshëm të koalicionit pas zgjedhjeve për të krijuar shumicën e 2/3 në parlament, të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
Në sajë të të dhënave dhe përfundimeve të parashtruara arrihet deri te konkluzioni se:
Koalicioni i partive shqiptare është mënyra e vetme, por jo e mjaftueshme për bashkimin në një agregat të përbashkët për shfrytëzimin e energjisë të votës shqiptare për të mbështetur në mënyrë unike kërkesat që shprehin vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni për t’i siguruar liritë dhe të drejtat në nivelin që ato i gëzojnë qytetarët maqedonas;
Organizimi i këtij koalicioni kërkon vullnet të mirë të partive shqiptare dhe qëndrim identik të programeve afatgjate dhe zgjedhore, i cili nuk mungon, por ka nevojë të shkrihet në një të tillë;
Për sukses të plotë të programit të koalicionit të partive shqiptare, meqë ato vetë nuk i kanë votat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve në Kuvendin e Republikës, imponohet krijimi i koalicionit të zgjeruar me partinë opozitare maqedonase, LSDM, me kusht që ajo të dakordohet me realizimin e parashikimeve të koalicionit të partive shqiptare, çka do të arrinte deri te zhvillimi i shtetit demokratik qytetar dhe do të mbaronte përplasja e brendshme ndërnacionale në Maqedoni dhe do t’i jepej përparësi e përhershme zhvillimit shoqëror-ekonomik evropian dhe anëtarësimit në organizatat euroatlantike.
Nëse nuk do të ishte e mundur që të krijohen kushte të menjëhershme për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve për realizimin e marrëveshjes për koalicion, pjesë e kësaj marrëveshjeje për koalicion do të ishte edhe procedura e veprimit të mëtutjeshëm pas zgjedhjeve lokale dhe presidenciale.
Pas arritjes së barazisë së shqiptarëve me qytetarët maqedonas dhe stabilizimit të funksionimit të sigurtë të demokracisë me garancë se nuk do të abrigoheshin sërish të drejtat e fituara , do të krijoheshin kushte në Maqedoni për formimin dhe veprimin e partive etnikisht të përziera, që rrethanat aktuale nuk e mundësojnë.
Nëse nuk krijohen kushte për koalicion me partitë maqedonase për fitimin e mandatit, partitë shqiptare do të duhet të vazhdojnë të veprojnë në koalicion dhe nuk do të hyjnë individualisht në koalicion pas zgjedhjeve me partitë maqedonase, por do të ngelin në opozitë, duke ndërmarrë aktivitete në kuadër të Kuvendit të Republikës dhe jashtë tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për sigurimin e lirive dhe të drejtave themelore të barabarta me qytetarët maqedonas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *