Wednesday , April 21 2021

Ambasadori amerikan: “Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë”

Fjala e Ambasadorit në Seminarin e Qendrës Marshall: Krimi i Organizuar Transnacional (7 shtator 2016)

Ambasadore Schütz, Ambasador Griffiths, Profesor Vann, Profesoreshë Zeneli, zonja dhe zotërinj,

Kur shërbeja në Kirgistan një dekadë më parë, një bos i krimit të organizuar ishte aq i guximshëm saqë ngriti një tendë përballë portës së Parlamentit dhe kërcënonte deputetët se do t’i dhunonte nëse nuk përmbushnin kërkesat e tij.

Dy dekada më parë në Gjeorgji, grupi kriminal Mkhedrioni ishte aq i fuqishëm saqë Presidenti Shevernaze vendosi që nuk mund t’i luftonte dot më dhe i shndërroi në Gardën Kombëtare të Gjeorgjisë, ku kryen vrasje jashtëgjyqësore dhe vazhduan me aktivitetet e tyre kriminale me autoritetin ligjor për të mbajtur armë, arrestuar qytetarë e mbajtur uniformë.

Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të procedimit penal të krimeve të rënda në Evropë. Problemi është pandëshkueshmëria. Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim.

Ne në Shtetet e Bashkuara u përballëm me probleme të ngjashme. Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920-të dhe 1930-të. Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij krijuar përmes prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore.

Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën.

Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri.

Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë — “Të bëhesh pjesë e politikës i bën keq biznesit. Do zbulojë aktivitetet tuaja kriminale dhe do përfundoni në burg”.

Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar. Është gjithashtu e rëndësishme sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Në muajin prill, Kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me Drejtorin e FBI-së Comey për ta përforcuar këtë angazhim.

Ky do të jetë një grup hetuesish seriozë dhe të aftë. Atyre do t’u bëhet në mënyrë sistematike testi i poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe pajisjet më të fundit. Nga Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t’u siguruar që të jenë efikasë në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa anshmëri politike.

Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar. Kjo është në interesin edhe të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, është në interesin e populllit shqiptar. Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e partnerëve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *