Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott ka thënë se për paqe dhe raporte të mira në rajon është e rëndësishme që të gjithë të shikojnë prapa si dhe t`i pranojnë gabimet.
Këtë deklaratë ai e bëri për televizionin N1 me ç`rast shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
“Është e rëndësishme për paqen dhe marrëdhëniet në rajon, që të gjithë të shohin prapa dhe të pranojnë, kur ata kanë bërë diçka të gabuar,” tha ai, duke shtuar se “kriminelët e luftës nuk mund shëtisin rrugëve”.
Duke folur për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori amerikan theksoi se ky dialog është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.
“Ka pasur disa marrëveshje dhe ato duhet të përmbushen. Tani negociatat janë duke u zhvilluar lidhur me atë sesi të zbatohen marrëveshjet, ndërkaq ritmi nuk është i shpejt dhe kjo është problem”.
Me sa e shoh unë BE-ja kërkon përparim në këto bisedime, “tha ai.
Poashtu i dërguari i Washingtonit në Beograd ka deklaruar se as Kosova nuk i ka përmbushur ato për të cilat është rënë dakord, duke iu referuar Asociacionit të komunave serbe, por sipas tij “është më mirë që Serbia t` i kushtojë vëmendje gjërave që ka premtuar dhe të bëjë gjithçka që mundet në lidhje me të, përcjellë Klan Kosova.