Wednesday , August 4 2021

ALEANCA PËR SHQIPTARËT NË SHKUP: NUK KA PSE TË PYETEN GRUEVSKI DHE ZAEV PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE

Aleanca për Shqiptarët kërkoi mbështetjen e shkupjanëve në tubimin e mbajtur mbrëmë në Sheshin Skënderbeu. Bartësi në njësinë e pestë zgjedhore, Syrija Rashiti, tha se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve nuk varet nga vullneti i Zaevit dhe Gruevskit, kurse siç tha ai, Aleanca për Shqiptarët është shpresë për një jetë më të mirë.

Aleanca për Shqiptarët synon ta bëjë Shkupin përsëri qendër të politikbërjes shqiptare, deklaroi Vesel Memedi. Ndërkaq, kryetari i LR PDSH-së, Ziadin Sela, tha se Aleanca për Shqiptarët tanimë ka shënuar një fitore të madhe.

“A ju kujtohet në 2014 vëllezër dhe motra, se cili ishte debati politik? Kush më i pari do ti përulet Nikolla Gruevskit. Njëri me shumicë për të hyrë në qeveri, tjetri me një deputet për të hyrë në qeveri. Dhe a e dini se cila është fitorja jonë kësaj radhe? I kemi detyruar edhe servilët dhe puthadorët që mos të flasin për kërkesë më, por të flasim për kushte”, u shpreh Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.

Sipas kryetarit të Unitetit, Gëzim Ostreni, qeveria aktuale aq shumë e ka dëmtuar këtë shtet, sa që nëse dikush të pyet prej nga je, nuk ke përgjigje.

“Nëse dikush të pyet se ku jeton, është vështirë me u thanë, se këta njerëz të këqij e lanë edhe shtetin pa emër. Atëherë, unë do të isha përgjigjur, po unë jetoj në shtetin e dhunës. Aty ku deputetët flaken jashtë nga parlamenti. Aty ku policia hynë me dhunë në universitetet e rinisë. Unë jetoj aty ku arrestohen gazetarët”, tha Gëzim Ostreni, Aleanca për Shqiptarët.

Aleanca për Shqiptarët tubimin përmbyllës do ta mbajë sonte në Gostivar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *