Saturday , June 19 2021

AHMETI TAKON KRYESINË E PARTISË, ZAEV: MARRJA E MANDATIT ÇËSHTJE DITËSH

Bashkimi Demokratik për Integrim ka thirrur sot kryesinë qendrore, për të analizuar konkluzat që dolën dje nga takimi i kryetarit Ahmeti, me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.

Ahmeti mbrëmë pas takimit tha se po analizohet deri në imtësi gjithçka që mos të sillet vendim i gabuar. Tema kryesore edhe mbrëmë ka qenë ligji për gjuhën shqipe. Sipas Ahmetit, nuk është folur për formimin e qeverisë, apo për marrjen e mandatit, por vetëm për dallimet që ekzistojnë në mes dy subjekteve politike.

“Mbetet tek ekspertët të cilët do të marrin orientimet e tyre se si mund ti përmbyllin ato çështje për të cilat ka dallime. Tash për tash nuk bëhet fjalë për koalicionime. I gjithë takimi ka shkuar duke parë u janë dallimet substanciale mes dy subjekteve politike”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Pas takimit me ambasadorin suedez, Arni Bjornstad, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, ka thënë se bisedimet janë në fazën përfundimtare. Edhe kryetari, Zoran Zaev tha se është çështje ditësh kur ai do ta merr mandatin. Por megjithatë ende ka disa dallime se si të ndryshohet ligji për përdorimin e shqipes, por që ajo të jetë në suaza të kushtetutës.

“Dallimet janë në zbatimin kushtetues dhe zbatimin praktik të ligjit. Në aspekte të caktuara na duhet qasje analitike në realizimin praktik. Nuk është qëllimi gjithçka të shkruajmë, disa vendime ligjore, disa tekste… është e rëndësishme që ato vendime të shohin dritë dhe të përdoret”, tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Ahmeti dhe Zaev do të presin mendimin e eksperteve për çështjen e gjuhës, kurse për çështje tjera, Zaev thotë se palët janë marrë vesh.

“Në pjesën e Unionit Evropian dhe NATO-s e dini që kemi qëndrime të përbashkëta. Në pjesën për përkrahjen e Prokurorisë Speciale kemi qëndrime të përbashkëta. Në pjesën e barazisë ekonomike, ajo është nevojë e regjioneve, e gjithë Maqedonisë, jo vetëm pyetje etnike. Do të ketë gjithmonë një trup kontrollues, i cili para sjelljes së buxhetit do ti marr parasysh të gjitha aspektet në ndarjen e drejtë të buxhetit”, shtoi Zaev.

Për dallim nga BDI, kryesia e së cilës do të takohet sonte, në LSDM nuk do të ketë takim. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, që mbrëmë tha se do të thirr grupin e punës për ti informuar se si ka rrjedh takimi me Ahmetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *