Wednesday , March 3 2021

ADILI: NJË PJESË E UDHËHEQËSISË SË BDI-së ËSHTË THELLË E KORRUPTUAR

INTERVISTË: NJË PJESË E UDHËHEQËSISË SË BDI-së ËSHTË THELLË
E KORRUPTUAR

Nuk ishim të gjithë për hyrje në Qeveri në vitin 2008 – dhe prej atëherë filluan problemet e brendshme në BDI, thotë Zulfi Adili, deputeti i cili braktisi partinë e Ahmetit dhe formoi parti të re – Uniteti.

Deri ku është regjistrimi i partisë Uniteti? Kur mund të presim mbajtjen e kuvendit themelues?
– I mbaruam procedurat, i grumbulluam firmat, mbaroi pjesa juridike dhe gjitha dokumentet janë dorëzuar tek gjykata përkatëse. Tani presim përgjigje. Shpresoj se së shpejti edhe kjo procedurë do mbaroj. Pjesën tonë në këtë aspekt e përfunduam, dhe derisa e presim vendimin e gjykatës, punojmë në teren.

Si është gjendja në teren, vallë përveç votuesve të papërcaktuar dhe të zhgënjyer, synoni edhe anëtarësinë e BDI-së?
– Absolutisht. Synimi ynë janë edhe ata që në një mënyrë janë tërhequr nga BDI ose periudhën e kaluar janë përjashtuar nga partia, për të njëjtat arsye për të cilat dolëm edhe unë dhe z. Gëzim Ostreni, si dhe të tjerët që janë pjesë e këshillit nismëtar për formimin e partisë.

BDI disa vite ka probleme, përplasje dhe konflikte brenda partiake. Pse pikërisht tanë vendosët ta braktisni?
– Kur BDI u formua si parti politike në vitin 2002, qëllimi ynë kryesore ishte plotësimi i Marrëveshjes kornizë. Njerëzit që asokohe hynë në BDI, e pjesa dërmuese e tyre rridhnin nga UÇK, ishin njerëz që donin të punonin dhe sinqerisht dëshironin që institucionet dhe shteti të funksionojnë siç duhet. Pa korrupsion, krim dhe shumë gjëra për të cilat tani janë të njohur disa nga njerëzit që i drejtojnë institucionet shtetërore, pavarësisht nëse janë nga BDI ose VMRO-DPMNE. Mandati i parë i BDI-së, 2002-2006, ishte periudha më e mirë e partisë. Problemet e brendshme filluan nga viti 2008, e këndej. Pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti, të cilat ishin shumë të vështira jo vetëm për BDI-në, por për tërë shtetin, pjesë e udhëheqësisë së BDI-së orvatej që partia të mos futet me çdo kusht në koalicion me VMRO-DPMNE. Pjesa tjetër e udhëheqësisë së partisë, ajo pa koncept, hyri në qeveri pa asnjë marrëveshje ose platformë politike përmes të cilës do të realizoheshin projektet e BDI-së. Problemet filluan këtu.

Që nga momenti i parë kur publikuat se do formoni parti politike, elementi korruptiv në udhëheqësin e BDI-së u ishte një nga argumentet kryesore…
– Kohë të gjatë ne shpresonim se do arrijmë të gjejmë gjuhë të përbashkët pa pasur nevojë të formojmë parti të re politike, se do të arrijmë ta imponojmë konceptin tonë në koalicionin qeveritar. Koncept real sipas të cilit më nuk nevojitej të bisedohej për Marrëveshjen kornizë, por për Kushtetutën. Pasi ajo marrëveshje është kategori kushtetuese dhe gjitha institucionet duhet ta respektojnë. Kjo ishte ideja jonë. Pse pikërisht tani erdhëm në këtë gjendje? Nga viti 2008 deri më tani, tërë kohën ishim në udhëheqësinë partiake dhe vazhdimisht debatonim dhe diskutonim për respektimin e atij koncepti. Një pjesë e udhëheqësisë nuk ishte e gatshme për këtë, sepse ishte futur thellë në veprime korruptive. Rrjedhimisht, kuptuam se më nuk mund të bashkëpunojmë. BDI nuk u formua që të zbatoi korrupsion, e as ne nuk jemi angazhuar politikisht për atë qëllim.

A ballafaqoheni me presione të mëdha në teren? Kishte informata për transferime të mëdha nga BDI tek ju, por deri tani nga linja e parë politike e BDI-së ngelni vetëm Ju dhe Ostreni?
– Presione ka, por nuk janë të atilla që të mos mund të funksionojmë. Në këtë periudhë presim presione nga BDI, sepse ata dëshirojnë me çdo kusht të mbesin në pushtet. Zotëri Ostreni, unë dhe të tjerët që jemi pjesë e këshillit nismëtar, nuk jemi njerëz që nuk e njohim BDI-në. I njohim njerëzit atje dhe saktë e dimë çfarë mund të presim. Pikërisht ky është problemi i tyre. Ata nuk dëshirojnë që ish kuadrot e BDI-së të na bashkëngjiten dhe në fund të rezultojë se në BDI ngelën vetëm njerëzit të cilët thellë janë të implikuar në korrupsion. Ata njerëz nuk kanë guxim që VMRO-DPMNEsë t’ia paraqesin kërkesat dhe konceptin tonë. Partia fitoi 153 mijë vota me koncept i cili duhet të garantoj barabarësi të qytetarëve, koncept qytetarë i cili duhet të siguroj prosperitet. Politikisht është e patolerueshme kjo të mos shfrytëzohet.

Zgjedhjet duhet të mbahen në prill vitin e ardhshëm. Uniteti do futet në garën zgjedhore. Cili do jetë kundërshtari juaj më i madh – BDI ose PDSH?
– Edhe BDI edhe PDSH do jenë kundërshtarët tanë. Këto dy parti dy vitet e fundit janë një, ato janë në anën e njëjtë.

Si e vlerësoni gjendjen në bllokun politik shqiptar. Është e qartë se dështimi i BDI-së në promovimin e politikave të veta prodhoj shumë parti të reja. Është i mundur bashkimi i opozitës në bllokun politik shqiptar?
– Nuk përjashtojmë bashkëpunim eventual parazgjedhor me partitë joparlamentare – Lëvizjen për reforma në PDSH të Zijadin Selës, Besa, RDK. Tashmë ka biseda fillestare për bashkëpunim eventual parazgjedhor. Teza e Ahmetit se nëse copëtohen partitë shqiptare, do humb popullit shqiptar, është e pabazë. Unë dëshiroj të pyes çfarë fitoj populli shqiptar që BDI kishte 20 deputet. Çfarë fitoi populli shqiptar me 153 mijë votat e fituara. Prandaj nuk ka asgjë të keqe në ekzistimin e më tepër partive, ofertave e platformave.

Çfarë do i ofroj Uniteti qytetarëve?
– Uniteti është opsion qytetar. Do të merret me zbatimin e Kushtetutës. Për Marrëveshjen kornizë tashmë nuk duhet të bisedohet, ajo është pjesë e Kushtetutës. Domethënë, institucionet tona nuk e respektojnë Kushtetutën. Ky është thelbi i problemit. Detyra e dytë do jetë dekriminalizimi i institucioneve, zgjerimi i përfshirjes së përdorimit të principit të votës së dyfishtë. Do u japim mundësi njerëzve cilësor, reforma në sferën mediale, në gjyqësorin…Do insistojmë në konceptin konsenzual në vendimmarrje në gjitha institucionet ku të jetë e mundur. E jo sikur deri tani, në Qeveri vendimet të sillen sipas dëshirës dhe vullnetit të kryeministrit.

Ostreni nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në. Njëherë e kritikoni BDI-në për korrupsion, e mandej jeni të hapur për bashkëpunim me BDI-në. Në këtë qëndrim shumica vërejtën lojë politike, mënyrë si Ahmeti t’i ruan votuesit që eventualisht do shkonin…
– Qëllimi i Unitetit është rrëzimi i regjimit. Pjesë e këtij regjimi është edhe BDI. Nuk ka logjikë ne të bashkëpunojmë me BDI-në. Nuk e dijë nëse e keni kuptuar si duhet Ostrenin. Ai tha se në princip do jemi të hapur për bashkëpunim me partitë politike. Më tepër mendonte në partitë politike joparlamentare. Rrjedhimisht, nuk ka logjikë Uniteti të bashkëpunoj me BDI-në dhe me PDSH-në./Utrinski

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *