Wednesday , June 23 2021

A u erdhi fundi klasave fiktive maqedonase?

Zëvendësdrejtori i shkollës së mesme “Cvetan Dimov” në Shkup, Mustafa Alili, pohon se në dy ditët e paraqitjes së parë të regjistrimit të nxënësve për afatin e qershorit, nuk është paraqitur as edhe një kandidat për paralelet maqedonase në këtë shkollë. Zero është numri i paraqitjeve edhe për paralelen maqedonase në gjimnazin “Rilindja” të Zhitoshës, si dhe në paralelen turke në gjimnazin “Negotinë” të Vrapçishtit

Laura PAPRANIKU

Gjykuar në bazë të interesimit që kanë treguar nxënësit për regjistrimin në shkollat e mesme, nuk ka thuajse aspak gjasa që këtë vit të formohen paralelet artificiale maqedonase dhe turke të cilat i cakton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) me gjithë mungesën ndër vite të atyre nxënësve në shkolla të caktuara. Kështu, në gjimnazin “Rilindja” të fshatit Zhitoshë, në Shkollën e Mesme Komunale “Cvetan Dimov” në Shkup, Gjimnazin “Negotinë” të Komunës së Vrapçishtës dhe ndonjë shkollë tjetër, kot që MASH-i kërkon formimin e paraleleve maqedonase dhe shqiptare. Gjasat për formimin atyre paraleleve janë zero. Nëse regjistrimi i nxënësve për vitin shkollor 2016/2017 do të mbajë ritmin e paraqitjes së parë të afatit të qershorit, është mëse e sigurt se do të dështojnë edhe këtë vit paralelet që mbahen artificialisht nëpër Konkurset e MASH-it. Dy ditët e paraqitjes së parë të qershorit i lanë bosh të gjitha vendet për formimin e dy paraleleve maqedonase dhe një turke në SHM “Cvetan Dimov” në Shkup. Situatë e njëjtë është edhe në paralelen maqedonase në Gjimnazin “Rilindja” në Zhitoshë, si dhe në paralelen turke në Gjimnazin “Negotinë” të Vrapçishtit. Për dallim prej “Cvetan Dimov” ku vite përpara paralelet maqedonase dhe turke mbusheshin me nxënës shqiptarë, në gjimnazin e Zhitoshës dhe Negotinës nuk janë formuar as edhe një herë paralelet maqedonase dhe turke. “Në Konkurs, përveç katër paraleleve me mësim në gjuhën shqipe (tre drejtimi gjimnaz dhe një ekonomi) caktohet të formohet edhe një paralele në gjuhën turke. Mirëpo, kjo paralele nuk formohet meqë në Komunën e Vrapçishtit është i vogël numri i nxënësve turq. Ata që janë, regjistrohen në shkollat e Gostivarit”, tregon drejtori Rahim Kasapi. Të martën dhe të mërkurën, siç tregon ai, nuk ishte paraqitur asnjë kandidat edhe për paralelet turke të drejtimit gjimnaz. “Nuk ka asnjë kandidat deri tani. Pra, numri i nxënësve për paralelen turke është zero”, deklaron ai. Situatë e njëjtë me paralelet që MASH-i nuk i largon nga konkursi rezulton edhe në Gjimnazin “Rilindja” të Zhitoshës, nga ku bëhet e ditur se “interesimi për paralelet maqedonase është zero”. Po kështu ka ndodhur edhe në SHMK “Cvetan Dimov” në Shkup. Problemi i paraleleve artificiale është sensibilizuar prej vitesh në gazetën KOHA dhe është konfirmuar vazhdimisht nga drejtorët e shkollave. Tani e njëjta problematikë konfirmohet rishtazi edhe nga rezultat e para të regjistrimit të nxënësve, mirëpo pavarësisht kësaj, ka munguar në kontinuitet reflektimi i MASH-it ndaj situatës reale. Mustafa Alili, zëvendësdrejtor në SHMK “Cvetan Dimov” në Shkup deklaron se të martën dhe të mërkurën, sa zgjati paraqitja e parë e regjistrimit të nxënësve në afatin e qershorit, nuk është paraqitur as edhe një nxënës për dy paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, të cilat janë planifikuar të formohen në këtë shkollë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndërkaq, për paralele me mësim në gjuhën turke thotë se janë paraqitur vetëm dy kandidatë. Rezultate e para zyrtare nga MASH-i pritet të bëhen të ditura të enjten, ndërsa më 4 korrik do të organizohet paraqitje e dytë e dokumenteve për afatin e qershorit./Koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *