Wednesday , July 28 2021

A do t`i vuajnë përsëri shqiptarët pasojat e një përçarje të mundshme në LSDM?

Shkruan: Hamdi Nuhiu

Republikën e Maqedonisë ka nisur që të tensionohet përmes formave dhe mënyrave të cilat janë të ditura nga e kaluara, por kanë referenca të së tashmes dhe së ardhmes së habitshme të një mish-mashi ose përzierje ideologjike të pakuptimtë. Partitë garën e tyre parazgjedhore e kanë nisur moti kohë përmes pozicionimeve të ndryshme si dhe strukturimit të tyre dhe formimit të fronteve e koalicioneve. Ndoshta edhe para nisjes së betejës për pushtet, subjektet e mëdha politike kanë pasur që të përgatitur skicat e veprimtarisë së tyre politike për të arritur deri te synimi i tyre final, marrja e pushtetit me 11 dhjetor të këtij viti.

Ideja e me çdo kushti deri në pushtet, tek subjektet politike maqedonase do të dëmtoje shumë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë për shkak të përzierjes së rrymave dhe krijimit të turbullirave dhe hutive të cilat munden që të krijojnë një vdekje të ndërgjegjes kolektive të shqiptarëve. Mish-mashi ideologji që sot po duket tek këto subjekte politike maqedonase, me disa vijëzime të vogla edhe tek subjektet politike shqiptare do të ishte i pakuptimtë në një botë të globalizuar dhe demokratike. Por, ekzistimi i tij jep të drejtën e konstatimit të mungesës së demokracisë dhe vlerave të saj në Republikën e Maqedonisë.

VMRO-DPMNE-ja tradicionalisht ka qenë e orientuar kah partitë turke, rome, boshnjake, serbe, dhe torbeshët, maqedonasit musliman. Si parti e ka mbajtur veten jashtë ose ka qenë përjashtuese ndaj shqiptarëve. Ndoshta me qëllim për shkak të mbijetesës së saj politike dhe sundimit me Maqedoninë duke e përdorur kartën e nacionalizmit vetëm kundër shqiptarëve, ndërsa kartën e ideologjisë me të gjitha etnitetet tjera të cilat janë më të vogla se shqiptarët në Maqedoni. Në këtë mënyrë, VMRO-DPMNE ka tentuar dhe tenton vazhdimisht që ta zbeh rrolin e shqiptarëve si shtetformues në Republikën e Maqedonisë dhe në këtë mënyrë t`i mbaj nën kontroll duke e përdorur logjikën përçaj e sundo.

Kjo politikë ose strategji i ka sjell fitore VMRO-DPMNE-së gjatë cikleve të fundit zgjedhore dhe si duket edhe në këtë betejë të re politike është nisur nga parimi dhe strategjia e njëjtë e përdorimit të kartës së nacionalizmit vetëm ndaj shqiptarëve, ndërsa përdorimit të vijës ideologjike ndaj etniteteve tjera pakicë në vend.
LSDM-ja opozitare ka pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar këtë strategji të VMRO-DPMNE-së si dhe përgatitjen e saj për ndryshimin e qasjes në pikën ku partia në pushtet duket e fortë. Përveç lidhjeve të saja tradicionale me romët, turqit, serbët, boshnjakët, torbeshët, maqedonasit musliman, LSDM ka vendosur në këto zgjedhje parlamentare të paraqitet edhe me kartën e identitetit nacional shqiptar. Qëllimi i vetëm është dobësimi i VMRO-DPMNE-së dhe ardhja në pushtet përmes kësaj vije ku si antitezë e saj gjendet strategjia e partisë në pushtet.
Edhe strategjia e Zaevit është lehtë e lexueshme dhe e kuptueshme për kërkuesit e fenomeneve politike në vend, por vështirë e deshifrueshme në aspektin ideologjik. Ka mbledhur rreth vetes njerëz dhe grupacione të vijave diametralisht të kundërta ideologjike që krijojnë përshtypjen se edhe nëse e arrin synimin, arritjen në pushtet, domosdoshmërisht ky mish-mash ideologjik i LSDM-së do të plas dhe përçahet. Ajo që nuk e di as unë e as shqiptarët e Maqedonisë është se si do të janë pasojat e përplasjes së këtij mish-mashi ideologjik të LSDM-së, ose më saktësisht kush do t`i vuaje ato? Është e ditur se Zaevi ka përllogaritur mirë se pas marrjes së pushtetit me çdo kusht, me një mish-mash ideologjik do të vije momenti i përçarjes, dhe ai ka strategji politike dhe juridike për t`u përballur me pasojat. A do t`i vuajnë përsëri shqiptarët pasojat e një përçarje të mundshme në LSDM? Përgjigjen e kësaj pyetje do ta kuptojmë pas 11 dhjetorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *