Wednesday , September 26 2018

A do të dalin Thaçi e Vuçiq kundër kancelares Merkel?

Deklarata e Angela Merkelit se askush nuk guxon t’i prekë kufijtë në Ballkan nga analistë e politikanë po shihet si një shuplakë e fortë kundër treshes Thaçi, Vuçiqi dhe Daçiqi, të cilët janë të vendosur t’i çojnë përpara idetë e tyre për t’i lëvizur kufinjtë. Nga Zyrën e Ramush Haradinajt është mirëpritur deklarata e Merkelit, e po konsiderohet si lajmi më i mirë që ka marrë Kosova së fundmi.

Përderisa Bashkimi Evropian po hesht, e administrata amerikane duket në amulli të plotë rreth Ballkanit Perëndimor, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka të definuar se çka nuk guxon të ndodhë në Ballkan. Sipas kancelares, në asnjë mënyrë, nuk mund të zbatohen idetë e  lëvizjes se kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Gazetari Adriatik Kelmendi thotë se deklarata e Merkelit ishte mesazh i qartë për ‘spozorizuesit’ e idesë së lëvizjes së kufijve, Thaçit e Vuçiqit.

“Tash nëse flet Thaçi sërish për këtë temë i bie se flet kundër kancelares Merkel. Njësoj edhe Vuçiqi. Mbetet të shihet a do të bëhen bashkë Thaçi e Vuçiqi kundër kancelares Merkel”, ka thënë Kelmendi për Gazetën Express.

Mesazhin e qartë të Merkelit kundër propozimeve për lëvizjen e kufijve, Thaci provoi ta relativizonte me ironi, duke i treguar se detyrë e BE’së është të binden 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën të ndërrojnë qendrim.

“E përshëndes deklaratën e Kancelares Angela Merkel rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të bashkimit Europian t’i bindin pesë vendetmosnjohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, tha Thaçi“, ka shkruar Thaci në Tëitter, aty ku zakonisht dëshiron të përcjellë mesazhe në rrafshin ndërkombëtar.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ndryshe nga Presidenti Thaçi, ka deklaruar se kufijtë e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet të preken. Deklarata e Merkelit që përkon me qëndrimin e Kryeministrit për kufij, është mirëpritur nga zyra e tij.

Avni Arifi, shef i stafit të Kryeministrit, ka thënë për Gazetën Express se deklarata e kancelares gjermane ishte lajmi më i mirë që së fundmi e ka marrë Kosova.

“Është lajm më i mirë që populli i Kosovës ka marrë së fundmi. Qëndrimi i kancelares Merkel i hedh poshtë mundësitë për cenimin e paqes në Ballkan, është garant për paqen afatgjate.

Sipas Arifit, deklarata e kancelares gjermane është zëri i të qëndrimit të të gjitha shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Ai thotë se të gjitha janë kundër prekjes së kufijve.

Gazetari Kelmendi pret që edhe shtetet e tjera të BE’së të radhitën pas kancelares gjermane, që është një prej liderëve më të fuqishëm të unionit.

“Tash, duke qenë se Merkel sot është zëri më i fuqishëm i shteteve të BE-së, pritet të ndikojë që kësaj linje t’i përmbahen edhe shtetet që kanë qenë të heshtura, siç është rasti i Francës. Britania edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë lëvizje sa i përket mosndryshimit të kufijve dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ai.

Të deklasuar me qëndrimin e prerë të Merkelit, gazetari thotë se kanë mbetur dy liderët, Thaçi e Vuçiq.

“Që nga deklarata e Merkel, duket se Vuçiq ka mbetur si peshku pa ujë. Njëjtë është vërejtur edhe me ofensivën thuajse komike të Thaçit me multi-konferencat e shtypit me temë “korrigjimin e kufijve”, thotë Kelmendi.

Deputeti i Alternatives, Ilir Deda, thotë se deklarata e kancelares Merkel është një mesazh i shkurtë dhe i qartë për përpjekjen e Thaçit- Vuçiqit- Daçiqit për “korrigjim” të kufijve Kosovë – Serbi.

“Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet”, e ka përsëritur deklaratën e kancelares gjermane Deda në profilin e tij në FB.

Ndërsa, kontradiktat në deklarimet e Presidentit Thaçi, po rriten çdo ditë e më shumë.

Edhe përkundër asaj që deklaroi liderja e supërfuqisë evropiane, Thaçi thotë se do ta ketë përkrahjen e BE’së, nëse pajtohet me Serbinë.

“Nëse palët pajtohen në këtë proces dhe arrijnë një marrëveshje, BE-ja dhe SHBA-të do të mbështesin çdo marrëveshje në korrigjimin e kufijve”, ka thënë Presidenti në një intervistë për Reuters.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.