SHARE

Komisioni parlamentarë për Mbrojtje dhe Siguri, në mungesë të opozitës maqedonase, i dha dritë jeshile në lexim të parë pakos ligjore për reforma në sistemin e përgjimeve dhe në MPB. Ministri i Brendshëm Oliver Spaskovski i siguroi anëtarët e komisionit se propozim-ligji për ndjekjen e komunikimeve dhe kontrolli i ashpër i të punësuarve në shërbimet sekrete dhe në Agjencinë e re Teknike Operative do të pamundësojë keqpërdorimin e sistemit të përgjimeve. Më tej Spaskovski shpjegoi se ATO-ja do jetë vetëm përcjellëse e sinjaleve të telekomunikimit nga organet kompetente deri tek operatori dhe anasjelltas, dhe se e njëjta nuk do të ketë qasje në përmbajtjen e materialeve të përgjuara.

 Në sistemin e ndjekjes së komunikimeve kemi kontroll të dyfishtë. Për arsye se mes vete do të kontrollohen ATO-ja dhe organi që kërkon ndjekje të komunikimeve. Përgjimet do të bëhen me urdhër të gjykatës kompetente e cila më pas me kërkesë do të dërgohet deri tek ATO. E njëjta jep qasje deri te operatori, megjithatë ATO-ja nuk do të mundet assesi ta dijë përmbajtjen e bisedës së atij komunikimi. Atë mund të ketë vetëm organi që e kërkon përgjimin – tha  Oliver Spaskovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Anëtari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Goran Misovski nuk përjashtoi mundësinë e keqpërdorimeve në Agjencisë Teknike Operative, mirëpo ai shpalosi disa arsye se pse nuk do të ndodhë një gjë e tillë.

Po, gjithmonë ekziston mundësia për keqpërdorim. Por nëse kemi vullnet politik dhe parakushte siç është kjo zgjidhje ligjore, absolutisht përjashtohen mundësitë për keqpërdorime. Arsyeja e parë, drejtorin dhe zv/drejtorin do ta zgjedh Kuvendi I RM-së dhe gjithashtu kjo do të kalojë edhe në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime e cila për herë të parë pas 11 vitesh asnjëherë nuk ka ndodhur që kreu I këtij komisioni t’i takojë opozitës -u shpreh Goran Misovski – Anëtar I KMS-së, LSDM.

Ndërkaq deputeti i BDI-së, Ejup Halimi tha se sistemi i ATO-së do pamundësojë keqpërdorimet si ato të mëparshmet. Halimi tha se propozim-ligji për ATO-në ka nevojë për disa përmirësime mirëpo tha se do t’i debatojnë gjatë leximit të dytë.

Shihet se dikund ka hapësirë për përmirësime teknike mirëpo besoj që në komisionet tjera do të shqyrtohen dhe me amendamente të komisionit apo të deputetëve, do të përmirësohen të gjitha ata mangësi të cilat për arsye teknike ndoshta edhe janë lëshuar – tha Ejup Halimi, Anëtar i KMS-së – BDI.

Pasi që leximi i parë i propozim ligjit të kalojë në seancë parlamentare ditën e hënë, përsëri do të rikthehet në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri në leximin e dytë për të shqyrtuar amendamentet e mundshme. Agjencia Teknike Operative parashihet të marrë në tërësi kompetencat të cilat deri tani i ka pasur DSK-ja për ndjekjen e telekomunikimeve. Modeli që është zgjedhur është ai kroat megjithatë ekspertët e sigurisë disa herë kanë ngirut shqetësimet për mundësitë e keqpërdorimit të përgjimeve, siç ka ndodhur në të kaluarën. Megjithatë, në propozim-ligjet për ndjekjen e përgjimeve nuk potencohen kriteret e profilizimit të të punësuarve, përzgjedhja dhe filtrimi i mundshëm i tyre gjatë kalimit nga DSK-ja ose institucionet tjera të shërbimit sekret, në kuadër të Agjencisë së re. Nga MPB-ja nuk bëjnë të ditur sa të punësuar do të ketë Agjencia dhe sa do të kushtojë themelimi dhe vënia e saj në funksion. Kohë më parë, ministri Spasovski u shpreh i bindur se asnjë institucion nuk do të mund të marrë të dhëna dhe materiale të përgjuara nga Agjencia, pa urdhër gjyqësor për këtë. Institucioni që kërkon masën e përgjimit nga ATO-ja nuk do të ketë njohuri për kërkesat e institucionit tjetër për ndjekjen e numrave të caktuar dhe as nuk do të mund të bëjnë shkëmbim të informatave të marra nga Agjencia.

Besian Leka

SHARE