Tuesday , June 22 2021

475 kriminelë serb që kryen gjenocid mbi shqiptarët, të strehuar në veri të Mitrovicës

Kryetari i Këshillit rajonal për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Berani, e ka quajtur të pakuptueshëm faktin se si serbët të cilët kanë kryer krime dhe kanë ushtruar gjenocid në Kosovë nuk e kanë marr dënimin e merituar.
Ai ka theksuar se vetëm në Mitrovicë, në pjesën e okupuar të qytetit, janë të strehuar mbi 475 kriminelë çetnik serbe, të cilët kanë kryer krime (gjenocide) mbi popullatën shqiptare.

Barani me anë të një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ka shpalosur fakte rreth krimeve të kryera nga serbët në Mitrovicë, ndërsa i ka vlerësuar si të padrejta ndjekjet që po iu bëhen ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është shumë e pakuptueshme që ata që kanë bërë krime, por jo vetëm krime, por kanë kryer gjenocid mbi popullatën shqiptare, i cili ka qenë synim i kahmotshëm i Serbisë që të bëjë spastrime etnike, shfarosje të shqiptarëve, jo vetëm por edhe me ndihmën e veglave qorre (shqiptarohiqeve) dhe me ndihmën e disa pjesëtarëve të Europës…! është jo vetëm për t’u habitur, por edhe për mjerimin e Kombit shqiptar kur kriminelët çetnik serb, janë ata që patën tentuar të bëjnë spastrime etnike, përkatësisht shfarosje të shqiptarëve e që nuk ia arritën këtë falë vetëdijësimit të popullit shqiptar. Këtë e them duke pasur parasysh se dy shekuj me radhë tentuan të shfarosin popullin më të lashtë në Ballkan, popullin Ilir-shqiptar. Nuk quhet rastësisht një qytet në Slloveni “Ilirska Bistrica”, kjo nënkupton se deri në kufirin Slloveno-Austriak kanë qenë të shtrira trojet Ilire atëherë kur nuk kanë ekzistuar këto hordhitë që këtu erdhen nga Karpatet…Tani këto që janë duke ndodhur me shqiptarët në Kosovë, përkatësisht me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç është rasti i Gjeneralit Ramush Haradinaj, i cili jo që ka sakrifikuar veten, por gjithë familjen e tij për kauzën kombëtare. Tani gjenerali Haradinaj akuzohet nga hordhitë kriminele çetnike serbe se kinse ai ka bërë krime mbi popullatën civile gjatë dhe pas luftës 1998 / 99 në Kosovë”, ka thënë Barani për gazetën “Bota sot”.

Barani: Mbi 11 mijë civilë shqiptarë të vrarë në Kosovë

Tutje, Barani ka përmendur faktin se në Kosovë janë vrarë mbi 11 mijë civilë shqiptarë pa dallim moshe dhe gjinie.

“Një gjë duhet ta kenë të gjithë parasysh se në Kosovë janë pushkatuar mbi 11.000 civilë shqiptarë pa dallim moshe e gjinie duke filluar prej foshnjës dy muajsh e deri tek plaku 93 vjeçar, pra fëmijë, pleq e plaka, pleq e plaka të paralizuar siç ka ndodhur në lagjen Bair të Mitrovicës, më 27 mars 1999 kur dy plaka dhe një plak të paralizuar i pushkatojnë ashtu siç ishin të shtrirë në shtretër, i arrestuan dhe i humben pa gjurmë mbi 5.000 shqiptarë civil pa dallim moshe e gjinie, ku ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 sish. Gjenerali Ramush Haradinaj mbahet në arrest shtëpiak në Francë sipas një flet-arresti të Beogradit”, është shprehur ai.

Po ashtu, Barani ka theksuar se vetëm në Mitrovicë, janë të strehuar në pjesën e okupuar të qytetit mbi 475 kriminelë çetnik serbe, të cilët kanë kryer krime (gjenocid) mbi popullatën shqiptare.

Çetnikët vranë 455 civilë shqiptarë në Mitrovicë, plagosën, dëbuan e shkatërruan

“Këtë regjistër e kanë bërë vet disa hetues të xhandarmërise franceze që nga gushti 1999 e deri në vitin 2004. Autori i këtyre rreshtave është dëshmitar okular për ish-policin, Tofill Voinoviq nga Mali i Zi i cili më 27. III. 1999 ditë e shtunë, në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë ka pushkatuar në mes të rrugës, Rrahim (Vocen) (53) banor i lagjes “Bair”-Mitrovicë, Hajdin (Islam) Xonin (72) banor i lagjes “Ilirida” ish Tavnik-Mitrovicë, po ashtu jam dëshmitar okular për, Ratko Antonijeviq ish banor i lagjes “Ilirida” ish Tavnik-Mitrovicë, Dejan Saviq nga fshati Gojbulle-Vushtrri, Nenad Paviqeviq ish banor i lagjes “Qendra 2”-Mitrovicë, Boban Milosavleviq banor i lagjes “Bair”-Mitrovicë. Këta katër kriminelë, me datë 27.III.1999, ditë e shtunë kanë vrarë Eset Behram) Behramin banor i lagjes “Ilirida ish Tavnik-Mitrovicëë, Haradin (Shaban) Hasanin (24) nga fshati Prekaz i strehuar në lagjen “Ilirida”, Haki Kurshumliun banor i lagjes “Bair”-Mitrovicë, kanë plagosur rëndë me armë zjarri Shemsi (Deli) Pecin (39) banor i lagjes “Ilirida” ish Tavnik-Mitrovicë, i cili ka mbetur invalid i përjetshëm. Këta policë po ashtu, me 27.III.1999 në orët e mbrëmjes dogjën shtëpitë e vëllezërve, Skënder e Bajram (Feke) Jaha, Bajramit iu dogjën edhe restorantin që e kishte në oborrin e shtëpisë së vet në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë, pastaj vazhdojnë me djegien e shtëpive dhe dyqaneve prej stacionit të autobusëve e deri në afërsi të tregut në Mitrovicë. Po ashtu të njëjtit policë, me 3.IV.1999 e djegin shtëpinë e Halit ( Rushit) Baranit dhe pushkatojnë Selman (Kadri) Mustafën (65), në afërsi të shkollës “Migjeni” në lagjen “Ilirida”-Mitrovicë, në djegien e shtëpisë së Halit Baranit përveç këtyre katër policëve të lart përmendur kanë marrë pjesë edhe Zharko Kosovaci dhe Dragan Gjuriqi, këta dy ish inspektor të SPB-së në Mitrovicë. Vetëm në Mitrovicë me rrethinë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serb të armatosur vranë 455 civilë shqiptarë pa dallim moshe e gjinie, plagosën me armë zjarri 429 civilë shqiptar, po ashtu pa dallim moshe e gjinie, i pushkatuan dhe ua humbën gjurmët 279 civilëve shqiptarë pa dallim moshe e gjinie, dogjën 9540 shtëpi dhe objekte tjera ndihmëse të shqiptarëve, dogjën 21 fabrika të përpunimit të drurit në Zhabar të Mitrovicës, i dogjën 14 shkolla 10 prej tyre i rrafshojnë me themel, 17 xhami dhe objekte tjera fetare, një xhami është rrafshuar me themele tani nuk dihet as ku ka qenë ajo xhami, bënë shumë dëme në pyje, male, bagëti, shpeze shtëpiake etj. Në fund, me 15 e 16. IV. 1999 nga Mitrovica dhe rrethina u dëbuan me dhunë për në Shqipëri, Mal të zi, Maqedoni etj. mbi 80.000 shqiptarë të cilët paraprakisht i patën grumbulluar në lagjen “Ilirida” ish Tavnik, dhe në Zhabar. Pra vetëm në qytetin e Mitrovicës, qytet ky i cili para lufte ka pasur 85% shqiptarë 15% të tjerë”, ka nënvizuar ai.

“Agresori po bëhet viktimë e viktima agresor!”

Sipas Halit Baranit, me gjithë këtë që ka ndodhur në Mitrovicë, vetëm katër kriminelë serbë dhe një shqiptar janë dënuar në mungesë, ku dëshmitari kryesor ishte vet ai.

“Tani pas lufte u dënua edhe një kriminel serb, por për pjesëmarrje dhe urdhërdhënës në masakrën e 3 dhe 4 shkurtit viti 2000 kur u pushkatuan 10 shqiptarë civil brenda nëpër shtëpi dhe banesa të veta, u plagosen me armë zjarri 25 civil shqiptarë pa dallim moshe e gjinie, po ashtu brenda nëpër banesa të veta. Pra tani kërkohen përgjegjësi nga shpëtimtarët e kombit, nga pjesëtarët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës siç është gjenerali, Ramush Haradinaj, duke vuajtur burgun janë edhe gjenerali, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku që askush nuk e din pse janë duke vuajtur këta dy të fundit burg, për Samiun thuhet se e ka vra një njeri, por kur dëshmitari është pyetur kë e ka vra, ku e ka varrin dëshmitari nuk ka pasur përgjigje. Gjithherë ne shqiptarët, edhe pse jemi viktima, në fund po dalim agresori e agresori serb viktimë!!! çka po ndodh me ne kështu…?!”, ka deklaruar Barani për “Bota sot”./BS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *