Wednesday , September 26 2018

17 vite refren i njejtë: “Rruga për Bruksel kalon nëpër Ohër”

Me rastin e shënimit të 17 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në Klubin e Deputetëve në Shkup, ka filluar manifestimi tematik i organizuar nga Qeveria e Maqedonisë, me titull “Rruga për në Bruksel përmes Ohrit”, në frymën e vendimit të këtij viti për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian dhe ftesën për anëtarësim në NATO,percjell Fakte.

Në panel do të flasin kryeministri, Zoran Zaev, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ndërkaq moderator i panelit është zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Në manifestim po marrin pjesë, ministra nga përbërja qeveritare, diplomatë, por edhe reisi i BFI-së.

Ali Ahmeti

Ali Ahmeti

10:00 – “Në kuadër të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, e cila këtë vit është organizuar nga ana e Sekretariatit për Çështje Evropiane, planifikohet organizimi i një pritje për përfaqësuesit më të lartë politikë të shtetit, trupit diplomatik dhe përfaqësues të organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare si dhe organizim i një panel diskutimi. Në kuadër të këtij diskutimi do të transmetohen mesazhe lidhur me përfitimet dhe zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për të gjithë qytetarët e vendit, frymën dhe vlerat e kësaj marrëveshjeje, si dhe mesazhe të bashkëjetesës, tolerancës reciproke, respektit dhe vlerësimit të diversitetit me qëllim të ndërtimit të një shoqërie moderne multietnike e cila përparon në rrugën e integrimit të shtetit në BE dhe NATO”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Ndryshe, më 13 gusht para 17 viteve u nënshkrua Marrëveshje e Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001.

Dokumentin, pas negociatave disaditore në Ohër, në Shkup e kanë nënshkruar presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski dhe liderët e PDSH-së, Arbën Xhaferi, PPD-së Imer Imeri dhe i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Në cilësi të garantuesve, dokumentin, i cili është i njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, e kanë nëshkruar edhe përfaqësuesit special  të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.

Marrëveshja e Ohrit e ka përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare dhe nga pjesa më e madhe e partive nga blloku politik shqiptar dhe maqedonas, si kornizë e vetme për zhvillim të shtetit.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime të ligjeve janë miratuar viteve të kaluara nga implementimi Marrëveshjes së Ohrit, prej të cilave pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskrimimin dhe përfaqësimin e drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në mars të këtij viti me 64 vota “për”, asnjë kundër dhe të përmbajtur e miratoi Ligjin për gjuhët, por i njëjti ende nuk ka hyrë në fuqi.

Me këtë ligj parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizatat, komisionet, personat juridikë, të cilët kanë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucioneve tjera, gjuhë zyrtare, krahas asaj Maqedone dhe alfabetit të saj, të jetë edhe gjuha që e flasin të paktën 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetit të tij, gjuha shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.