Friday , February 26 2021

Komisioni nuk rekomandon lehtësimin e masave

Ende nuk ka vendim për hapjen e restoranteve dhe kafeneve. Në mbledhjen e Komisionin për Sëmundje Ngjitëse sot nuk është diskutuar  nëse do të propozohet ose jo hapja e tyre. Edhe pse nuk është marrë vendim që të nisin me punë, pothuajse në të gjitha lokalet në lagjen Debar Mallo dhe jo vetëm, kishte persona të cilat po pastronin objektet, duke u përgatitur në këtë mënyrë për një hapje të shpejtë të tyre.

“ Pronarët e bareve dhe restoranteve të cilët tashmë dy muaj kanë mbyllur dyer e bizneseve të tyre për shkak të pandemisë, presin me padurim të rihapin të njëjtat. Megjithatë nga qeveria ende nuk ka vendim, pavarësisht kësaj, kur vjen momenti që ata të përdorin zërin e tyre për të shprehur ndonjë pakënaqësi apo të parashtrojnë pyetje drejtuar institucioneve, vendosin të largohen nga kamera.”

Nga Shoqata e përfaqësuesve të kafeneve dhe restoranteve, thonë për Alsat se pronarët të pakënaqur alarmojnë se do të falimentojnë nëse së shpejti nuk nisin me punë.  Përfaqësuesit e shoqatës sot do të diskutojnë situatën, përkatësisht mungesën e vendimit për nisjen e punës. Megjithatë për hapjen e kafeneve dhe restoranteve do të mund të diskutohet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë për atë se ne cilën fazë do të nisin me punë në të dytën apo në të tretën. Faza e dytë parashikon hapje të pjesshme të bizneseve në fjalë, ndërsa faza e tretë hapje të plotë, por në të dyja rastet bizneset duhet të respektojnë masat sidomos distancën mes tavolinave dhe pajisjen me mjete dezinfektuese. Megjithatë institucionet shëndetësore lehtësimin e masave e shohin si rrezik potencial për rritje të numrit të rasteve të reja me COVID -19. Në mbledhjen e sotme Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka rekomanduar që nga e mërkura të nisin sportet në natyrë, trajnimet individuale, ndërsa sportet në grup të fillojnë nga e hëna. Oda stomatologjike, pas protokolleve të dorëzuara mori leje për punë duke filluar prej të mërkurës, me vëllim të kufizuar të punës, në përputhshmëri me aktivitetet e tyre të parapara.  Lehtësimi i masave duhet të diskutohet në seancën e Qeverisë, nga ekzekutivi thonë se kjo do të ndodhe gjatë ditës së nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *