BE t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës e jo për shkak të meritave të politikanëve

Në çdo Ditë të Evropës kosovarët rikujtojnë padrejtësinë që po iu bëhet për shkak të mosliberalizimit të vizave. Por ky zhgënjim nuk i ka kthyer ata kundër BE-së. Nëse në BE mendojnë se ende ka gjëra për shkak të të cilave nuk duhet liberalizuar vizat, atëherë le t’i dënojnë për këtë politikanët e jo qytetarët. Sepse qytetarët e Kosovës nuk mund të bëjnë asgjë më shumë, pos të vuajnë, për të liberalizuar vizat. E politikanët kanë shumë opsione për veten

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shfrytëzoi Ditën e Evropës për të dërguar drejt BE-së dy kërkesa. Njërën për liberalizim vizash e tjetrën për status kandidati. Sa për statusin e kandidatit duhet ta kuptojë se ende nuk ka ndodhur në histori që dikujt t’i jepet statusi i kandidatit pa e kërkuar formalisht. Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhe askush nuk mund ta shqyrtojë mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit pa e dorëzuar kërkesën formale. Nuk është hera e parë që liderë politikë nga Kosova flasin për “marrjen e statusit të kandidatit”. Por është e qartë se këtë e bëjnë sa për të thënë diçka. Sa për të dalë se ata duan diçka për vendin e tyre. Nuk e mendojnë si duhet. E ka shumë gjasa që as vetë të mos besojnë. Kërkesa për anëtarësim në BE do të duhej të bëhej, por asnjë qeveri deri tash nuk ka pasur guximin ta bëjë. Sepse nuk është e qartë nëse ajo fare do të shqyrtohej, pasi në BE integrohen vetëm shtetet, e Kosova, për BE-në, nuk është shtet. Por po e lëmë këtë anash dhe të flasim për një gjë që është më reale, dhe për të cilën BE-ja po të ketë vullnet politik mund të vendosë shpejt. Liberalizimi i vizave.

Presidenti Thaçi është me siguri njeriu i cili më së shumti ka folur për liberalizim vizash. Ka dhënë garanci. Ka thënë se atij i kanë dhënë garanci. Ka sulmuar ata që kanë thënë se nuk i kanë dhënë garanci. Ka kritikuar edhe miqtë e Kosovës, të cilët kanë kërkuar liberalizim, por ia kanë tërhequr vërejtjet që të mos i manipulojnë njerëzit me premtime rreth datave.

Prandaj kërkesat e Thaçit nuk kanë asnjë ndikim. Sikur nuk kanë pasur efekt as garancitë e tij që i ka përsëritur vite me radhë, edhe kur ka qenë kryeministër, edhe ministër e edhe president. Dhe këtë efekt do ta ketë edhe kjo thirrje e Ditës së Evropës. Pra, nuk do të ketë fare efekt.

Nuk ka dyshim se fajin kryesor pse vizat nuk janë liberalizuar e ka BE-ja. Por edhe politikanët e Kosovës kanë dhënë shpesh arsye që të ketë shtyrje të këtij vendimi. Jo me fjalë, por me vepra. Ata tash e sa vite e shohin liberalizimin vetëm si një proces nga i cili do të përfitonin vetë. Jo për të lëvizur lirshëm, sepse ata nuk e kanë këtë problem as tash, por për të rritur popullaritetin e tyre në opinion, sepse ja ishin ata që “e morën liberalizimin”.

Sa herë dëgjojnë se në Kosovë politikanët flasin se si ata do ta marrin liberalizimin, kjo apo ajo qeveri, kjo vetëm mund ta pengojë atë liberalizim. BE-ja duhet ta dijë se liberalizimi u jepet qytetarëve e jo politikanëve.

Dhe qytetarët e meritojnë që ky liberalizim të ndodhë. Në çdo Ditë të Evropës kosovarët rikujtojnë padrejtësinë që po u bëhet për shkak të mosliberalizimit të vizave, sepse janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë një gjë të tillë. Por ky zhgënjim nuk i ka kthyer ata kundër BE-së. Nëse në BE mendojnë se ende ka gjëra për shkak të të cilave nuk duhet liberalizuar vizat, atëherë le t’i dënojnë për këtë politikanët e jo qytetarët. Sepse qytetarët e Kosovës nuk mund të bëjnë asgjë më shumë, pos të vuajnë për të liberalizuar vizat. E politikanët kanë shumë opsione për veten. Mund të marrin viza, mund të marrin dhe pasaporta të Shqipërisë ose të Serbisë. Edhe për vete, edhe për anëtarë të familjes.

Kriza e koronavirusit dhe kriza politike në Kosovë pas rrëzimit të Qeverisë nuk do të ndikojnë në procesin e liberalizimit të vizave. Dhe kjo nuk do të ndryshojë as nëse LDK arrin ta krijojë Qeverinë. Sepse, edhe nëse krijohet, nga ajo qeveri do të pritet të dëshmohet. E kjo kohë do të kalojë pa asnjë lëvizje në BE. E nuk është ndonjë qeveri në ardhje që jep ndonjë shpresë se do të ketë besim të madh as në Kosovë e as në BE.

Ata që ende dyshojnë, është për shkak se nuk besojnë se në Kosovë janë luftuar sa duhet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Nuk ka raste të mjaftueshme të dënimeve në nivel të lartë e as konfiskim të pasurisë së tyre. Për këtë e kanë fajin më shumë ata që në pushtet ishin njëzet vjet sesa ata që ishin më pak se dy muaj.

Këta politikanë kanë bërë aventura me Marrëveshjen për Demarkacionin, duke premtuar se i kanë votat. Skënder Hyseni, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Këta politikanë kanë penguar ratifikimin e demarkacionit, Haradinaj dhe Vetëvendosje. Këta politikanë kanë ndikuar në gjykata, të cilat vazhdojnë të jenë nën ndikime politike. E në anën tjetër, lojën e ndytë e ka luajtur edhe BE-ja, ia ka bërë Kosovës kusht “Demarkacionin” e kufirit e ia ka liberalizuar vizat Ukrainës e Gjeorgjisë, që nuk i kontrollojnë fare kufijtë e tyre.

Tash ekziston edhe një rrezik tjetër, e ai është që liberalizimi tash të lidhet me dialogun. Nëse lejohet një gjë e tillë, atëherë kjo do të ketë dy goditje të mëdha. Do të vonojë liberalizimin, sepse dialogu mund të zgjasë edhe disa vjet. E do të shfrytëzohet për shantazh të Kosovës, siç u shfrytëzua edhe në rastin e demarkacionit dhe të marrëveshjes së liberalizimit të vizave. Kundërshtuesit e demarkacionit u dorëzuan pasi u kritikuan se “po e lënë popullin në izolim”. Në një të ardhme mund të vijë momenti kur do të kërkohet pranimi i ndonjë ndryshimi të kufirit me Serbinë, sepse “do të mbetemi të izoluar”.

Me këtë strukturë politike, që e kërkon liberalizimin për vota e jo për nevoja të qytetarëve, rritet frika se liberalizimi do të vonojë ende. Një ditë kur do të ndodhë, do të gëzohen të gjithë. Dhe ndoshta do të harrohet se sa kanë pritur kosovarët dhe sa herë janë zhgënjyer. E politikanët do të krenohen se ja ata e sollën liberalizimin. E BE-ja do të thotë se ja e mbajtëm premtimin. Të dyja palëve në këtë kohë të pandemisë, por edhe në kohën kur shënohet Dita e Evropës, mund t’ua dërgoj vetëm një porosi: TURP JU QOFTË!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *