Rrugët dhe sheshet e vendit paraditen e sotme ishin të dedikuara vetëm për lëvizjen e pensionistëve dhe nënave me fëmijë deri në 14 vjeç, të cilët mund të lëviznin lirisht brenda dy fashave orare të dedikuar për ta.
“Një e diel e bukur”, e cilësoi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau pamje nga rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të mbushura me zërat e fëmijëve.
Këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin u lejuan të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve u bë me dy fasha orare.
Konkretisht deri në orën 09:30 u lejuan vetëm pensionistët dhe nga ora 10:30 deri në 17:30 prindërit me fëmijë deri në 14 vjeç.
Më herët, kryeministri Rama ka paralajmëruar se “nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç”./m.m//a.a/