Sunday , February 28 2021

“Të bashkuar jemi më të fortë”/ Politikanët shqiptarë urojnë Ditën e Europës

Dita e Europës që mbahet çdo vit më 9 maj, kremton paqen dhe unitetin në Europë. Por ky vit është i veçantë edhe për vendin tonë. “Dita e Europës”, këtë vit nderon solidaritetin midis Europës dhe Shqipërisë në përballjen me krizën aktuale të COVID-19.

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Europës me himnin europian, një pjesë nga preludi i “Odës së Gëzimit” të simfonisë së 9-të të Bethovenit.

“Gëzuar Ditën e Europës” shkruan ai. Sot në orën 13:00 Edi Rama dhe ambasadori Soreca kanë një konferencë për mediat.

Ruçi: Qasja e BE, rikthimi i ballkanasve në shtëpi 

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkruan se 9 Maji 2020 është e para Ditë e Europës, pasi Shqipëria ka merituar konsensusin e Këshillit  Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

“Është një koinçidencë e bukur që Dita e Europës pason Ditën e fitores mbi fashizmin, mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë. Liria dhe të drejtat qytetare janë thelbi i Bashkimit Europian. I cili nga ana e tij është një ndër projektet më frymëzuese të njerëzimit. Europa është sinteza e vlerave perëndimore.

Qytetërimi perëndimor është një ndër kulmet e zhvillimit bashkëkohor të njerëzimit. Ky qytetërim është i hapur dhe paqësor me qytetërimet e tjera dhe kjo hapje është tipari më emancipues i Europës. 9 Maji 2020 është e para Ditë e Europës, pasi Shqipëria ka merituar konsensusin e Këshillit  Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Qasja e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një politikë zgjerimi, por rikthimi i ballkanasve në shtëpinë dhe familjen e tyre. Me përfundimin e këtij projekti, e gjithë familja europiane do të kthehet në shtëpinë europiane.

Mirënjohje të gjithë atyre që i janë përkushtuar dhe kontribojnë për këtë projekt. Një përshëndetje të veçantë kam sot për emigrantët shqiptarë, këta europianë shqiptarë, që i kanë lartësuar emrin atdheut të tyre në vendet e Bashkimit Europian.  Jam krenar që çelja e negociatave u arrit duke u shërbyer shqiptarëve si Kryetar i Kuvendit të tyre dhe si rezultat edhe i përpjekjeve e kontributit të Kuvendit të Shqipërisë”shkruan Kryetari i Kuvendit.

Meta letër Presidentit të Këshillit Europian: Këto kohë vërtetuan se të bashkuar jemi më të fortë

Presidenti Ilir Meta me rastin e Ditës së Europës i ka dërguar një mesazh urimi  kreut të Këshillit Europian, Charles Michel. Kreu i shtetit i shpreh mirënjohjen për mbështetjen pas tërmetit tragjik dhe hapjes së negociatave.

“Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta juve, si dhe të gjithë qytetarët evropianë në Ditën e Evropës! Muajt dhe javët e fundit kanë qenë një vitrinë e vërtetë e solidaritetit, mbështetjes dhe inkurajimit evropian ndaj Shqipërisë.

Unë dhe bashkëqytetarët e mi jemi mirënjohës për ndihmën e menjëhershme që na dhatë pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar, për përgjigjen e integruar ndaj pandemisë si dhe për vendimin inkurajues të Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jam i inkurajuar gjithashtu edhe nga përfundimet e Samitit të Zagrebit, që ritheksuan perspektivën evropiane të rajonit tonë si dhe domosdoshmërinë për të pasur një proces të pakthyeshëm pranimi, të mbështetur mbi vlerat e përbashkëta evropiane.

Do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të favorizuar një zbatim të mirëfilltë të reformave, veçanërisht në drejtim të ndërtimit të një demokracie funksionale dhe të mbizotërimit të sundimit të ligjit, plotësisht në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, sipas standardeve më të mira evropiane.

Këto kohë sprovuese vërtetuan edhe një herë se bëhemi edhe më të fortë, vetëm duke qenë të bashkuar. Zoti President, Gëzuar Ditën e Evropës”, shkruan Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *